Nishani: Ja hapat që do të ndiqen për seleksionimin e kandidatëve në PD

Komisioni i Seleksionimit të kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish në selinë blu nisi dje punën për të administruar dosjet me emrat e propozuar nga anëtarësia e PD-së.

Ish-Presidenti Bujar Nishani dhe aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar në PD, në një intervistë për gazetën “Panorama” ka treguar etapat që do të ndjekë Komisioni, ku ai u emërua vetëm dy ditë më parë nga dy organet më të larta vendimmarrëse të PD-së, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar.

Nishani pranon që procesi është delikat, por ai shprehet se me kriteret e përcaktuara nga sekretari i përgjithshëm, procesi do të jetë objektiv dhe transparent.

Muaji gusht, sipas Nishanit do të jetë i ngarkuar për Komisionin, pasi do të bëjë seleksionimin paraprak të kandidatëve bazuar në disa kritere, ndërkohë në fund të këtij muaji, ata do të kenë hartuar një listë paraprake dhe do ta dërgojnë për votim sërish në bazë. Ndërkohë, vetëm ata që cilët do të marrin mbështetjen e bazës, do t’i nënshtrohen më pas vetingut të brendshëm. Ish-Presidenti theksoi se kandidatët, të cilët janë propozuar në muajt qershor-korrik nga anëtarësia dhe nuk do të jenë në listën finale për deputetë dhe kryetarë bashkie, do të jenë resursi prioritar për atë që përbën administratën politike të qeverisë së ardhshme.

  1. Nishani, Kryesia e PDsë dhe më pas Këshilli Kombëtar miratuan anëtarët e Komisionit të Seleksionimit të kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie. Çfarë pritet të ndodhë në ditët në vijim të gushtit?

Ky është një proces që nis menjëherë. Partia Demokratike dhe blloku opozitar kanë nisur tashmë përgatitjet për zgjedhjet e reja parlamentare dhe ky proces është pjesë e kësaj platforme të madhe pune. Ne nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur, pasi çdo ditë që kalon është thellim i vuajtjeve për shqiptarët dhe shkatërrim i shtetit.

Sa është numri i kandidatëve që kanë ardhur nga faza e parë e procesit?

Kjo do të verifikohet sapo të marrim në dorëzim dokumentacionin e ardhur nga degët e Partisë Demokratike.

Faza e parë e këtij procesi shkoi normalisht në grupseksionet, ndërsa faza e dytë që është edhe seleksionimi pritet të jetë më delikate, pasi jo të gjithë do të qëndrojnë në listë. Cilat janë kriteret dhe si do të bëhet përzgjedhja e individëve?

Vendimmarrja do të jetë kolegjiale. Vetë Komisioni është një organizëm kolegjial. Ky do të jetë seleksionimi i parë i mbështetur në kontributet publike, shoqërore, institucionale, politike e komunitare të kandidaturave. Vlerësim mbi luajalitetin ndaj parimeve që Partia Demokratike është themeluar, ngritur, qeverisur dhe i ka rezistuar regjimit hibrid autokratik dhe aferave korruptive të tij. Vlerësim mbi vlerat e integritetit dhe dinjitetit personal të çdo individi. Influencave, mbështetjes dhe respektit që gëzon jo vetëm te strukturat e Partisë Demokratike, por në tërësi te komuniteti ku do të paraqitet për votën.

Cili është kriteri kryesor, që do të përbëjë edhe peshën kryesore në vlerësimin e kandidatëve? Çfarë informacionesh do t’u kërkohet që të depozitojnë kandidatët?

Komisioni ka në dispozicion kriteret dhe parimet e përcaktuara nga strukturat drejtuese të Partisë Demokratike. Por secili prej anëtarëve dhe kolegëve me të cilët do të bashkëpunojmë, besoj se do të ndërtojnë një proces të ngritur mbi transparencën, vlerat dhe pritshmëritë e anëtarësisë së Partisë Demokratike, por edhe të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Është një garanci e shtuar në këtë proces personaliteti, integriteti, eksperienca, qytetaria dhe antikonformizmi si vlerë që mbart secili prej kolegëve, me të cilët do të kem kënaqësinë dhe nderin të punojmë për këtë proces, që është jo vetëm një risi për partitë politike shqiptare dhe ato në të gjithë rajonin tonë, por dhe një proces i lidhur ngushtësisht me standardin dhe garancitë e qeverisjes së nesërme.

LEXO EDHE  Bizneset e drejtuara nga gratë në Shqipëri u dëmtuan rëndë nga tërmetet dhe pandemia

Do ketë një sërë dokumentesh shoqëruese, por edhe çdo dokument tjetër që do të kërkojë secili prej anëtarëve të këtij Komisioni. Natyrisht, këto do të materializohen në fazat e ndryshme. Aktualisht nis veç faza e parë, e cila do të pasohet nga procesi i votimit të anëtarësisë së PD-së, për të vijuar me fazat e tjera ku përfshihet edhe vetingu brenda partisë. Kandidatët që do të jenë në listë, pasi të rishkojnë në bazë për t’u votuar me parimin ‘një anëtar, një votë’, do të duhet të plotësojnë një formular vetëdeklarimi. Nga ky detyrim do të përjashtohen ata, të cilët në 10 vitet e fundit kanë mbajtur funksione që kanë qenë subjekt i ligjit të vetëdeklarimit në ILDKPI. Ndërkohë, anëtarët e Komisionit, nëse do të kenë nevojë për më shumë informacione, do t’i kërkojnë ato nga institucionet shtetërore.

Sa do zgjasë kjo fazë dhe çfarë ndodh pasi të bëhet seleksionimi i tyre?

Brenda muajit gusht do të përfundojë faza e parë seleksionuese dhe do t’i dërgohet anëtarësisë për votim e më pas rikthehet për vetingun e çdo kandidati të votuar nga anëtarësia, sipas parimit ‘një anëtar, një votë’.

Emrat, të cilët do të skualifikohen në fazën e dytë, çfarë do të bëhet me ta?

Nuk do të ketë një proces që nënkupton skualifikimin, por një listë e kualifikuar për t’u vlerësuar nga baza si kandidatë për deputetë dhe lista që mbetet si resursi prioritar i administratës së lartë të qeverisjes së re. Ura që do të lidhë procesin shtetëror vendimmarrës me publikun është një mekanizëm me shumë hallka dhe do të ketë nevojë për resurse njerëzore me energji të reja, motivim politik e qytetar dhe të aftë të bëjnë të mundur qeverisjen e vendit dhe marrjen e shërbimeve qytetarëve. Grupi i deputetëve do të jetë veçse njëra prej këtyre hallkave.

  1. Nishani, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, më herët është shprehur se Komisioni i Seleksionimit do të përbëhet nga individë, të cilët nuk përbëjnë konflikt interesi. Prezenca juaj në këtë Komision do të thotë që ju nuk aspironi të jeni pjesë e listës së kandidatëve për deputetë?

Interesimi i gazetës suaj nëse do të jem unë deputet apo jo është pjesa më pak e rëndësishme e interesit madhor publik sot. Kryetari Basha është i saktë në atë që referoni ju. Kryetari i partisë, nënkryetarët dhe kryetari i Këshillit Kombëtar janë të përjashtuar nga procesi i seleksionimit. Kështu që, unë nuk kam asnjë konflikt interesi në këtë proces ku jam përfshirë. Ata që kanë merak nëse do të jem apo jo unë deputet, do të zhgënjehen në merakun e tyre. Të qenit deputet apo jo varet në dimensionin politik, integritetin moral e qytetar, vullnetin e institucioneve të Partisë Demokratike dhe më kryesorja, mbështetja popullore. /Panorama.al