Manastirliu, 2.4 mln euro për Skanera e Rezonancë, ekspertët “çmontojnë” skemën e fituesit “të paracaktuar”

Nga Boldnews.al

Ekspertë të pajisjeve mjekësore kanë identifikuar një mori të dhënash, të cilat forcojnë dyshimet paraprake të “Boldnews.al” se tenderat e shpallur së fundmi nga Ministria e Shëndetësisë, me vlerë rreth 2.4 milionë euro, për blerjen e 3 Skanerave CT dhe një Rezonancës Magnetike, duket se janë të paracaktuar.

Redaksia kontaktoi me inxhinjerë të fushës, të cilët analizuan specifiket teknike të pajisjeve që kërkohet të blihen nga institucioni i drejtuar nga Ogerta Manastirliu.

Përfundimi ishte i qartë- të dhënat teknike nxjerrin se cila është marka, modeli dhe kompania e huaj prodhuese e atyre lloj aparaturave. Pra, duket qartë që specifikimet teknike janë hartuar në mënyrë të tillë që tenderi të fitohet vetëm nga operatori ekonomik që ka mundësinë të sigurojë pajisje mjekësore të tilla.

Në Shqipëri, distributor i aparaturave me këto specifikime teknike është vetëm një kompani, e cila është në pronësi të një të afërmi të Ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe që në rrethet e biznesmenëve njihet edhe si “Daja”.

“Abuzimi” me kriteret “top quality”

Në pamje të parë, duket se Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar kritere “top quality” për skanerat që synon të blejë me tenderin e sapo-shpallur.

Por në fakt, e vërteta qëndron tërësisht ndryshe. Detajet teknike nuk lidhen me kërkesën për “pajisje cilësore”. Ato e orientojnë tenderin drejt aparaturave që i prodhon një kompani e vetme dhe që nuk i prodhojnë markat e tjera ndërkombëtare.

Në foto: Ministria e Shëndetësisë shpall tenderin për blerjen e 3 Skanerave CT

Ekspertët e intervistuar nga “Boldnews.al” shprehin mendimin se, nëse realisht Ministria e Shëndetësisë kërkonte pajisje “top quality” dhe do të vendoste specifikime teknike për aparatura edhe të markave të tjera, “kompania e paracaktuar”, me shumë mundësi, do të skualifikohej.

Pikëpyetjet e shumta të ekspertëve, të shoqëruara me propozimet përkatëse për të hapur garën, si edhe për të siguruar pajisje cilësore, janë të përmbledhura më poshtë;

1. CT Scanner 64 slice
Gjeneratori i Rrezeve X
Hapat e kërkuara të rregullimit të tensionit janë ≤ 80 deri në ≥ 140 kV që është tipike e aparaturave “të paracaktuara”. “Pse nuk është kërkuar ≤ 65 deri në ≥ 130 kV sepse kjo bën të mundur edhe hartimin e mjaft protokolleve me dozë të ulët? “Apo nuk e plotëson prodhimi “i paracaktuar?”, ngrenë pikëpyetjen ekspertët e pajisjeve mjekësore.

Tubi i Rrezeve X
Në parametrat e llambës së Röntgen-it, specifikimet teknike vendosen përsëri në nivele vlerash ku prodhimi “i paracaktuar” ndihet komod. Më saktësisht: Kapaciteti ngrohës i Anodës (vlera nominale, pa përmirësim nga softueri), MHU kërkohet 7 MHU që është përsëri fotokopje e “produktit të paracaktuar” . “Pse vallë nuk kërkohet 9 MHU, kur ka disa kompani që e kanë të tillë, apo kjo e vendos “mallin e paracaktuar” në vështirësi”, ngrenë pikëpyetjen ekspertët e fushës?

Largimi i nxehtësisë së Anodës (ftohja) është ≥ 1000 kHU. “Pse nuk vendoset vlera e largimit të nxehtësisë ≥ 1500 kHU apo kjo e vendos “produktin e paracaktuar” në vështirësi?”, vijojnë inxhinjerët e kontaktuar nga redaksia

Shtrati i pacientit
Ekspertët e pajisjeve mjekësore ngrenë pikëpyetje edhe për specifikimet teknike, lidhur me shtratin e pacientit, tek Skanerat. “Meqenëse jemi në kohë pandemie, pse nuk vendoset edhe kërkesa për të pasur “Kontroll të plotë në distancë të shtratit të pacientit, me qëllim minimizimin e kontaktin të operatorit me pacientin e sëmurë?? Apo sepse nuk e plotëson “aparatura e paracaktuar?”, flasin me dyshim ata

4. CT Console – Kapaciteti Rindertues
Kërkohet matricë rindërtimi 512×512. “Pse nuk kërkohet një matricë 1024×1024? Apo nuk plotësohet nga “produkti i paracaktuar?”, mbyllin analizën e tyre ekspertët, lidhur me specifikimet teknike për Skanerin Ct 64 slices

CT Scanner 16 slice
Ndërsa, lidhur me Skanerin 16 slice, gjithashtu i kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë në tenderin e shpallur së fundmit, ekspertët inxhinjerë analizojnë. “Autoriteti kontraktor ka përcaktuar si kohë minimale të imazheve të rindërtuar me matricë 512X512. Pse nuk bëhet 1024x 1024, apo nuk e ka pajisja e paracaktuar për fitimin e tenderit?Pse nuk bëhet 25 imazhe në sekondë?”, përfundojnë ekspertët shpjegimin teknik.

Propozimet e detajuara të ekspertëve përmblidhen edhe në tabelën në vijim.

Në vlerësimin e tyre, ndryshimet e specifikimeve teknike janë të nevojshme jo vetëm për të rritur konkurencën ndërmjet operatorëve ekonomikë, por sidomos për të siguruar një produkt tejet cilësor në shërbim të pacientëve.

Por, sipas inxhinjerëve të fushës, të cilët analizuan të dhënat e procedurës për blerjen e Skanerave dhe Rezonancës Magnetike, tenderi nuk duket se ka qëllim cilësinë, por skualifikimin e të gjithë operatorëve ekonomikë dhe mbetjen në garë të një kompanie të vetme, e cila mund të shpallet fitues, edhe pse mund të paraqesë ofertën në “top-buxhet”.

Specifikimet teknikë aktuale të tenderit për Skanerat nxjerrin “jashtë loje” apriori dhe në mënyrë arbitrare, prodhimet e kompanive si “Siemens”, “Philips”, “Toshiba”, e të tjerë.

Ekzistojnë të gjithë mundësitë që autoriteti kontraktor, Ministria e Shëndetësisë, të hartojë specifikime teknike të kombinuara, duke arritur të marrë aparatura sa më të përshtatshme për nevojat e saj.

“Boldnews.al” pyeti të njëjtët ekspertë nëse ekzistojnë mundësitë për të shmangur fituesin e paracaktuar dhe për të siguruar konkurueshmërinë ndërmjet operatorëve ekonomikë në këtë garë.

Ekspertët u treguan të bindur se një gjë e tillë realizohet lehtësisht, mjafton te këtë vullnet pozitiv për të modifikuar specifikimet teknike, të cilat hapin garën, pa cënuar aspak cilësinë e pajisjeve të kërkuara.

Në foto: Dokumenti mbi Specifikimet Teknike për tenderin e blerjes së 3 Skanerave CT

Nga ana tjetër, tenderi për blerjen e skanerave ka një “veçori” tejet interesante. Nga njëra anë Ministria e Shëndetësisë duket se kërkon pajisje tejet cilësore, por nga ana tjetër, nuk është e interesuar që kompania fituese të ketë staf të nevojshëm për montimin dhe vendosjen në punë të tyre.

Në specifikime teknike kërkohet që operatori i suksesshëm të ketë në dispozicion një inxhinjer, ndërkohë që pajisje moderne kërkojnë “një ushtri” profesionistësh për t’i vënë në funksion dhe për t’i mirëmbajtur gjatë aktivitetit të tyre.

Specifikime “me porosi”
“Boldnews.al” ka raportuar në vijimësi mbi tendera të dyshuar si të paracaktuar, të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë gjatë mandatit të Manastirliut.

Formalisht thuhet se, specifikimet për tenderat e aparaturave mjekësore përgatiten nga Qendra Teknike Bio-Mjekësore.

Në foto: Qendra Bio-Medikal, faqja zyrtare

Ministria e Shëndetësisë, e gjendur shpesh përballë ankesave të operatorëve të ndryshëm ekonomikë për “specifikime të paracaktuara”, ka shmangur përgjegjësinë nga vetja, duke argumentuar se se kriteret teknike vijnë të përgatitura nga struktura e specializuar, Qendra Bio-Medikale.

“Boldnews.al” u interesua mbi rrugën dhe mënyrën se si hartohen specifikimet teknike, para se ato të shpallen zyrtarisht në dokumentat e tenderave për aparatura mjekësore.

Në informacionet e siguruara, rezultoi se specifikimet për tenderat e Rezonancës Magnetike dhe 3 Skanera janë hartuar, formalisht, nga Qendra Kombëtare Teknike Bio-Mjekësore.

Në foto: Ministria e Shëndetësisë shpall tenderin për blerjen e një aparati Rezonancë Magnetike

Qendra Bio-Mjekësore, deri pak muaj më parë, është drejtuar nga D.L, i emëruar nga Ogerta Manastirliu, i cili më parë ka qenë drejtues i Qendrës Bio-Mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare (QSUT), edhe aty i emëruar nga ministrja e sotme, kur drejtonte qendrën më të madhë shëndetësore në vend.

D.L u largua, pa zhurmë nga posti i Drejtorit të Qendrës Bio-Medikale kombëtare, pasi një Audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbuloi të dhëna skandaloze në Qendrën Bio-Mjekësore të QSUT, gjatë kohës që drejtohej prej tij.

Pas largimit, D.L. mori një post të rëndësishëm në Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, një tjetër strukturë në varësi të Manastirliut.

Ndërkohë, në krye të Qendrës Bio-Medikale u emërua një inxhinjer IT, i cili kishte punuar më herët për një kompani private IT në QSUT. Sipas të dhënave konfidenciale, ai rezulton të ketë shumë miqësi me inxhinjerët e kompanisë së familjarit të ministres Margariti.

Drejtori i ri i Bio-Medikalit Qendror rezulton se nuk ka njohuritë për pajisjet mjekësore. E, megjithatë, ai ka marrë postin e rëndësishëm, me firmën e ministres Manastirliu.

Pra, përtej “justifikimeve” se specifikimet teknike i mbërrijnë Ministrisë së Shëndetësisë nga një strukturë “e pavarur”, fakti që titullarët e saj me radhë janë bashkëudhëtarë të Manastirliut e vë në pikëpyetje vërtetësinë e këtyre pretendimeve.

Për më tepër, “pretendimet” e Ministrisë së Shëndetësisë rrëzohen edhe nga një fakt tjetër shumë domethënëse-në hartimin e specifikimeve teknike për aparaturat mjekësore nuk merret në konsideratë opinioni profesional i mjekëve dhe specialistë të tjerë të fushës, siç ka qenë tradita prej vitesh në tenderat për pajisjet mjekësore.

Ndryshimet në stafin drejtues të Qendrës Bio-Medikale nuk duket se kanë përmirësuar situatën në atë strukturë.

Specifikimet teknike të tenderave të fundit për Skanera dhe Rezonancë Magnetike duket se janë njëlloj, “të porositur” nga Ministria e Shëndetësisë, drejt një fituesi të paracaktuar.

Aq më tepër kur, sipas të dhënave konfidenciale, rezulton se drejtori i ri i Qendrës Bio-Medikale ka lidhje të ngushta miqësore me disa prej inxhinjerëve të kompanisë private, që duket si e paracaktuar për fitimin e tenderit për blerjen e 3 skanerave.

Në këtë “lojën” e specifikimeve teknike “me porosi”, për një periudhë kohe, dyshohet se është përfshirë edhe njësia Bio-medikale e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë.

Në krye të asaj strukture qëndron një inxhinjer, gjithashtu pa formimin e duhur për aparaturat mjekësore.

Ky personazh ka punuar më parë si inxhinjer në Top Channel, pa asnjë përvojë në pajisjet mjekësore dhe më pas, është rekrutuar nga QSUT, pasi ish-drejtori i televizionit, Enkelejd Joti, u emërua drejtues i qendrës më të madhe shëndetësore në vendin tonë.

Por, siç deklarojnë burime të “Boldnews.al”, linja e “bashkëpunimit” për specifikimet teknike të tendera me qendrën bio-medikal të QSUT, “u braktis”, sidomos pas dështimit spektakolar me tenderin “urgjent” për blerjen e respiratorëve, si rrjedhojë e situatës Covid-19.

Në atë tender, siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”, kompania fituese arriti të sigurojë vetëm 5 respiratorë, të cilët ishin të një cilësie aq të dobët, sa mjekët e Sanatoriumit refuzuan t’i merrnin në dorëzim dhe i dërguan pranë Repartit të Pediatrisë në QSUT.

Ka një pikëpyetje të madhe mbi faktin se përse titullarët e strukturave shtetërore përzgjedhin persona pa profesionalizmin e duhur për të mbajtur poste kyçe në hartimin e specifikimeve teknike për pajisjet mjekësore.

Në Ministrinë e Shëndetësisë ka ekzistuar një strukturë e posaçme, e përbërë nga inxhinjerë dhe mjekë profesionistë, të cilët njohin anët teknike të aparaturave mjekësore.

Por, ky sektor duket se është anashkaluar në procesin e përgatitjes së tenderave dhe gjithçka i është lënë në dorë Qendrës Bio-medikale.

Përballë kësaj skeme, siç deklarojnë burime konfidenciale të redaksisë, kompanitë e tjera në tregun e pajisjeve mjekësore, duhet të ndjekin “trendin” specifikimeve teknike të aparaturave që janë në dispozicion të dy “klientëve të përhershëm”, pasi ato duket se hartohen vetëm për pajisjet që ka në dispozicion shoqëria private e familjarit të ministres Margariti dhe një tjetër që fiton pjesën më të madhe të tenderave në strukturat shëndetësore.

LEXO EDHE  Akuza/ PD Rama fshehu për dy muaj ligjet e miratuara në Këshillin Politik (Dokumenti)

Firmat konkurente flasin me bindje se kanë arritur të kapin shpesh situata, kur specifikimet teknike, janë shpërndarë në “klientë” të caktuar përpara se të hapet tenderi, nëpërmjet një skeme interesante dhe me nota të forta korruptive.

Si funksionon kjo skemë, sipas deklarimeve të operatorëve të ndryshëm ekonomikë?

Kompanitë “kliente” të Ministrisë së Shëndetësisë vihen në dijeni të specifikimeve teknike të aparaturave mjekësore, para se autoritetet të shpallin tenderin.

Pasi vihen në dijeni, nisin kontaktet me kompani ndërkombëtare, të cilat prodhojnë aparatura me specifikimet teknike që pritet të kërkohen në tendera.

Me gjetjen e kompanive që kanë aparatura të tilla, “klientët e përhershëm” nënshkruajnë marrëveshje ekskluziviteti me kompanitë prodhuese, duke u dhënë atyre garanci se aparaturat do të jenë fituese në tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Pas hapjes zyrtare të tenderave për aparaturat mjekësore, kompanitë e tjera shqiptare vihen në lëvizje për të siguruar pajisjet e kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Por, këto operatorë ekonomikë janë gjendur shpesh përballë faktit që kompanitë e huaja nuk mund t’i furnizojnë për tendera të caktuar, pasi kanë nënshkruar marrëveshje “ekskluziviteti” me kompani shqiptare, të cilat, në fakt, rezultojnë që janë “klientët e përhershëm” të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pra, skema duket qartë-“klientët e përhershëm” marrin të parët specifikimet teknike, veprojnë në treg duke aplikuar marrëveshje “ekskluziviteti”, e në këtë mënyrë bllokojnë konkurentët e tjerë, të cilët rrjedhimisht skualifikohen, për shkak se nuk arrijnë të sigurojnë aparaturat.

Këto të dhëna hedhin dritë mbi procedura të paracaktuara në tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë për pajisje mjekësore.

Megjithatë, “Boldnews.al” nuk ka arritur t’i konfirmojë të gjithë dyshimet në mënyrë të pavarur, pasi Ministria e Shëndetësisë, prej muajsh, ka dëshmuar një qasje jo-transparente lidhur me procedurat tenderuese.

Aparatura të prishura nëpër Shqipëri
Përtej pamjeve pompoze televizive të Ministres së Shëndetësisë, situata e aparaturave mjekësore në qendrat spitalore në qytete të ndryshme të vendit është në gjendje shumë të vështirë.

“Boldnews.al” ka mësuar se, aktualisht, janë jashtë funksionit aparatura të Radiologjisë në Korçë, Paskuqan, Fier, Lushnje, Pogradec, Krujë, Laç, Tepelenë, Delvinë dhe Sarandë, etj, etj.

Kjo situatë ngre pikëpyetjen se çfarë vlere ka blerja e një skaneri, kur në qendrat spitalore nuk mund të kryhen ekzaminimet bazë, si grafi, skopi, që konsiderohen “të rutinës” dhe duhet të bëhen domosdoshmërisht para se pacientëve t’u bëhet skaneri.

Referuar të dhënave të siguruara nga redaksia, rezulton se mbi Aparaturat e Radiologjisë, të cilat janë jashtë funksionit, nuk është kryer asnjë shpenzim për mirëmbajtje dhe azhornim, për të paktën prej 7 vitesh.

Ekspertë të fushës ngrenë dyshimet se këto aparatura janë lënë qëllimisht të degradohen, duke bërë që kostot e riparimit të tyre të rriten gjithnjë e më shumë, derisa të arrijnë vlerën e një pajisjeve të reja.

Për më tepër, burime nga Ministria e Shëndetësisë deklarojnë se institucioni po mendon zëvendësimin e plotë të këtyre aparaturave të Radiografisë, me argumentin se nevojiten pajisje me teknologji të reja dhe dixhitale.

Përballë këtij argumenti, ekspertët e aparaturave mjekësore mendojnë se pajisjet e prishura të Radiografisë mund të kthehen në funksionale dhe, për më tepër, dixhitale, me një investim minimal, krahasuar me blerjen e aparaturave të reja.

Ministria e Shëndetësisë mund të aplikojë CR (convert radiology), për shndërrimin e aparaturave të Radiografisë në pajisje me funksione dixhitale. Ky proces, bashkë me rregullimin e aparatit kushton rreth 6 herë më lirë se sa blerja e pajisjeve të reja. Dhe këtu duhet mbajtur në vëmendje se aparatet dixhitale janë shumë më të shtrenjta sesa ato konvencionale.

Por, Ministria e Shëndetësisë duket se është e prirur drejt një tenderi të ri për blerjen aparatesh Radiologjie, ku dyshimet më të mëdha janë që procedurat do të jenë sërish të paracaktuara, drejt “klientit të përhershëm”, kompanisë që duket se është pilotuar për të fituar tenderin për blerjen e 3 skanerave.

Radiologjia është pika më e rëndësishme e përballimit të situatës Covid-19. Në këtë situatë, Ministria e Shëndetësisë, logjikisht, duhet të kishte prioritare riparimin e aparaturave të prishura.

Por, ka ndodhur krejt e kundërta. Ato janë lënë të degradohen, pa asnjë shpenzim minimal për riparimin e tyre, duke e çuar situatën drejt “erës së re dixhitale”, e përfaqësuar nga “klienti i përhershëm”, e duke ndryshuar, në këtë mënyrë, edhe ekuilibrat e furnizuesve të mjekësisë shqiptare.

“Loja” me ankimet
Krahas specifikimeve teknike, shumë kompani shqiptare të furnizimit me aparatura mjekësore deprimohen nga Ministria e Shëndetësisë edhe në atë që quhet “loja e ankimeve”.

Për shumë tendera pajisje mjekësore dhe jo vetëm, kompani të ndryshme i drejtohen me ankesa entit prokurues, pra Ministrisë së Shëndetësisë, për të modifikuar specifikimet teknike.

Ligji për Prokurorimet Publike parashikon që përgjigja duhet të jepet brenda 3 ditëve. Por, praktika ka dëshmuar që Ministria e Shëndetësisë, prej shumë kohësh, e tejkalon afatin ligjor për përgjigjet.

Kjo situatë i detyron operatorët ekonomikë që të drejtojnë ankesën e tyre pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) brenda 10 ditëve nga ankesa e parë (pra, nga ajo drejtuar autoritetit kontraktor).

Për ankesat në KPP, operatorët ekonomikë duhet të paguajnë një tarifë, e cila është një përqindje mbi fondin limit të tenderit. Në rastin e tenderave të mëdhenj, siç janë ato të Skanerave dhe Rezonancës, tarifa që duhet të paguajnë kompanitë arrin në shifrat e 8-10 milionë lekë (të vjetra).

Ka ndodhur gjithnjë e më shpesh që Ministria e Shëndetësisë ka kthyer përgjigje ankesave tej afatit ligjor dhe ndërkohë që operatorët ekonomikë i janë drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik, duke paguar edhe tarifat përkatëse.

Në këto përgjigje “të vonuara” të Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton që në pjesën më të madhe të tyre, të trajtohen në mënyrë të pjesshme ankesat e kompanive private.

Kjo situatë i detyron operatorët ekonomikë që t’i drejtohen sërish Komisionit të Prokurimit Publik, duke ndryshuar bazën ligjore dhe objektin e kërkesës. Pra, praktikisht është një kërkesë e re, gjë e cila i detyron kompanitë private të paguajnë një tjetër tarifë pranë Komisionit të Prokurimit Publik.

Në mënyrë më të përmbledhur, në rastin e tenderave për Skanerat dhe Rezonancë, ku çdo ankim në KPP përllogaritet në 8-10 milionë lekë të vjetra, kompanitë ankimuese duhet të shpenzojnë të paktën dyfishin, diku të 20 milionë lekë të vjetra, vetëm për të kërkuar ndryshimin e specifikimeve teknike, pra pa nisur gara reale.

Kjo duket si një formë interesante për të demoralizuar një pjesë të kompanive, të cilat vendosin të largohen nga gara, edhe pse kanë potencionale dhe kapacitete profesionale për të furnizuar autoritetet shtetërore me aparatura të cilësisë së lartë dhe çmim të ulët.

Përtej këtij kalvari burokratik, i shoqëruar me shpenzime të larta, ka ndodhur që autoriteti kontraktor, Ministria e Shëndetësisë apo strukturat vartëse të saj, kanë kryer një modifikim sipërfaqësor të specifikimeve teknike, duke lënë sërish “kunja”, të cilat e orientojnë tenderin drejt “fituesit të paracaktuar”.

Burime të “Boldnews.al” deklarojnë se diçka e tillë ka ndodhur, së fundmi, edhe me tenderin për blerjen e aparatit Eko, për Spitalin “Koço Gliozheni”.

Pas ankesave të disa operatorëve ekonomikë, specifikimet teknike ndryshuan, por sërish kanë mbetur në fuqi disa detaje teknike, të cilat lidhen me aparaturat e një prej “klientëve të përhershëm” të strukturave shëndetësore.

Manastirliu, “me dorë të hekurt”
Burime të brendshme nga Ministria e Shëndetësisë deklarojnë në mënyrë konfidenciale për “Boldnews.al” se tenderat kontrollohen “me dorë të hekurt” nga Ogerta Manastirliu, pavarësisht se formalisht ekzistojnë strukturat përkatëse, Njësia e Prokurimit dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.

Këto struktura, sipas të dhënave brenda institucionit, janë të përbëra nga persona dhe drejtues që nuk janë emëruar si rrjedhojë e meritokracisë, e, që, rrjedhimisht, mund të hiqen e vihen fare lehtësisht nga Manastirliu. Për këtë arsye, këto struktura janë të pazota për të kundërshtuar procedurat për “tendera të pilotuar”.

Në argumentat e tyre, të njëjtat burime rendisin faktin që, në të gjitha pikat kyçe, ku lëvrohen fonde të Ministrisë së Shëndetësisë, janë emëruar “bashkëudhëtarë” të Manastirliut.

Në foto: Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu

Krahas emërimeve në Qendrën Kombëtare Bio-Medikale, burimet përmendin si emërim “kyç” vendosjen e E.Xh. në postin e drejtores së “Global Fund”, strukturë në varësi të Manastirliut.

E.Xh. ishte “krahu i djathtë” e Manastirliut që kur ajo ishte Drejtoreshe e QSUT dhe më pas, edhe në ministri kur ajo u emërua në krye të Shëndetësisë shqiptare.

E.Xh u largua nga posti, menjëherë pasi ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se “një zyrtareje të Ministrisë së Shëndetësisë i kanë vjedhur 200 mijë euro në shtëpi”

Ngjarja nuk u hetua dhe as nuk u zbardh, ndërkohë që mbeti vetëm dyshimi i deklaruar nga Berisha: “Si i gjeti drejtoresha 200 mijë euro?”

E.Xh, pas largimit nga Ministria e Shëndetësisë, u emërua për disa muaj në kabinetin e ministres së Kulturës, Elva Margariti, e konsideruar gjithashtu edhe si “mbesa e vogël”.

Pasi kaloi disa kohë dhe u harrua “denoncimi i Berishës”, E.Xh. rikthehet sërish në varësinë e Manastirliut, e cila e emëron si drejtoreshë të “Global Fund”, një strukturë që menaxhon paratë e donatorëve të huaj për institucionet shëndetësore shqiptare.

Burimet e “Boldnews.al” referojnë raste të shumta, në të cilat fondet e “Global Fund” janë kanalizuar drejt një kompanie private, e konsideruar si “klient i përhershëm” i Ministrisë së Shëndetësisë dhe për të cilën redaksia ka raportuar edhe më herët.

Përballë këtyre akuzave, të cilat gjithësesi vijnë nga burime konfidenciale, është me rëndësi prioritare që “Global Fund” të tregojë transparencë, sidomos në inforimin e publikut për lëvrimin e fondeve gjatë kohës që Manastirliu drejton Ministrinë e Shëndetësisë.

“Dora e hekurt” e Manastirliut duket se shtrihet përtej kufijve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në oborret e politikës flitet kohët e fundit se edhe një zv.ministre, e një Ministrie shumë të rëndësishme, u detyrua të japë dorëheqjen nga posti, për shkak se bashkëshorti i saj, u “përplas” publikisht në “Facebook” me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ndërkohë vijon ende dhe e “denigron” në hapësira publike.

Pas shkarkimit të atij ish-zyrtari, një person me lidhje të forta me Partinë Socialiste, duket se radha i erdhi edhe bashkëshortes së tij, një ndër figurat më të rëndësishme të qeverisë “Rama”.