Teste serologjike në ALNET, për 2 orë mësoni nëse e keni kaluar Covid-19

Dilemat nëse e keni kaluar COVID-19 apo jo mund ti shuani përmes një testi serologjik. Që nga e hëna analizën e gjakut që tregon nëse keni antitrupa të koronavirusit mund ta kryeni në ALNET.

Shefja e rrjetit të laboratorëve ALNET, Dr. Albana Daka tregon se testet që do të përdoren kanë ndjeshmëri të lartë ndërsa rezultatin mund ta merrni për rreth 2 orë.

“Do të fillojmë testet serologjike të kompanisë Roche e cila është kompania me sensibilitetin me të lartë që është testuar në gjithë këto muaj. Është parë që sensibiliteti i metodës së antikorpeve të kompanisë Roche është shumë afër rezultateve molekulare. Një rezultat serologjik dhe kur aparati është i besueshëm brenda dy orësh është gati”, tregon Dr. Daka.

Ndërkohë Dr. Albana Daka tregon se ALNET do të jetë gati brenda javës së ardhshme të ofrojë për qytetarët edhe testin molekular apo siç njihet ndryshe testi i tamponit i cili tregon a jeni me koronavirus.

“Ne si laborator i kemi gati me të gjitha kushtet, me infrastrukturën pra me kushtet e biosigurisë dy dhe tre, me stafin e dedikuar për 24 orë.

Padyshim të gjitha këto do t’i vëmë në dispozicion Ministrisë së Shëndetësisë që të hënën dhe mendojmë që nëse testet do të bëhen të mundura që të vijnë javën tjetër (testet molekulare) ne fillojmë menjëherë nga puna dhe kemi staf 24 orë”, shprehet ajo.

LEXO EDHE  Covid-19 në Kosovë, asnjë humbje jete dhe 13 raste të reja

Por sa do të kushtojnë analizat për Covid-19?

“Kemi vendosur një çmim që është 4.000 (katër mijë lekë të reja për të dy nivelet e anitkorpeve IgM dhe IgG të serologjisë, ndërsa çmimi për testin  molecular, tamponin do të jetë 95 euro”, u shpreh ajo.

Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka detajuar kushtet e vendimit për lejimin e kryerjes së tamponëve dhe në laboratorët jo publik. Ndërkohë ka sqaruar se analizat për COVID-19 në strukturat private mund të kryhen për arsye pune apo udhëtimi.

Në rast se një person del pozitiv diagnoza do të konfirmohet nga Instituti i Shëndetit Publik ku laboratorët jo publik janë të detyruar të raportojnë çdo 24 orë.