Nga Boldnews.al
Sokol Sadushi, anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kryetar në detyrë i saj, me shumë mundësi nuk do të emërohej në postin e lartë, në rast se do të ishte përfshirë në të njëjtën procedurë Vetingu si të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë.
Disa probleme të dala për pasurinë e Sadushit gjatë Vetingut te bashkëshortes së tij, Edlira Petri, gjyqtare në Apelin e Tiranës, mund të ishin të mjaftueshme për ta konsideuar Sadushin të papërshtatshëm për të qenë në sistemin e drejtësisë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, gjatë seancës dëgjimore për Petrin, konstatoi probleme me burimin e ligjshëm për blerjen e dy apartamenteve, një në Qerret dhe një në Tiranë, si edhe një balancë negative ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, të krijuara nga Sokol Sadushi, kryesisht para martesës me gjyqtaren.
Por, KPK, me një vendim të ndërmjetëm, i cili shkon kundër praktikës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pranoi kërkesën e gjyqtares Petri, për të mos i konsideruar pjesë të përgjegjësisë së saj veprimet financiare të kryera nga bashkëshorti para lidhjes martesore të tyre.
Në përfundim, në 17 Qershor 2020, KPK konfirmoi në detyrë Edlira Petrin, me një votim të brishtë, 2-1, ku anëtarja Xhensila Pine ka votuar për shkarkimin e gjyqtares, sidomos për problemet me pasurinë e bashkëshortit.
Pikëpyetjet mbi pasurinë e Sadushit
Sadushi, ish-drejtor i Shkollës së Magjistraturës, u verifikua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) para se emri i tij t’i përcillej për dekretim Presidentit Ilir Meta, në Mars të këtij viti.
KLGJ bëri një verifikim mbi pasurinë, aftësitë profesionale dhe integritetin e Sokol Sadushit. Në përfundim, KLGJ konstatoi se kandidati plotësonte kriteret për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë.
Por, “dhëmbëzat” e Vetingut të Këshillit të Lartë Gjyqësor duket se janë shumë më të buta se ato që aplikojnë strukturat zyrtare të rivlerësit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA).
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti pikëpyetje të rëndësishme mbi dy asete dhe bilancin financiar të gjyqtares Edlira Petri, pasuri të krijuara kryesisht nga bashkëshorti Sokol Sadushi.
Megjithatë, siç rezulton në vendimin e zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, anëtarët e trupës gjykuese u ndanë në vlerësimin përfundimtar për Petrin.
Shumica konsideroi korrekte veprimet e bashkëshortit të gjyqtares për mënyrën e përfitimit dhe shitjes së një apartamenti 99.5 m2 në Qerret; konsideroi të rregullt veprimet financiare për një apartament 81 m2 në Tiranë, si edhe konstatoi një diferencë minimale me vlerë negative në bilancin financiar të familjes Petri-Sadushi.
Anëtarja e pakicës, Pine, konkludoi në përfundime tërësisht të ndryshme. Për gjyqtaren në pakicë, subjekti Edlira Petri ka bërë deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për apartamentin në Qerret; ka probleme me ligjshmërinë e burimit për një apartament në Tiranë.
Gjithashtu, anëtarja e pakicës vlerëson se gjyqtarja Edlira Petri rezulton me një balancë negativë në mbi 3 milionë lekë të reja.
Për këto arsye, komisionerja Pine vlerëson se Edlira Petri duhet të shkarkohet nga detyra.
Kundër praktikës së KPA
Vendimi për Edlira Petrin, krahas ndarjes së gjyqtarëve për vlerësimin përfundimtar, përmban edhe një moment procedurial të diskutueshëm.
Trupa e KPK-së pranoi kërkesën e subjektit Petri për të mos përfshirë në procesin e rivlerësimit pasuritë e bashkëshortit të saj, Sokol Sadushi, të krijuara para martesës së tyre.
Ky vendim i trupës gjyqësore shkon në të kundërt të praktikës së vendosur nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), në vendimmarrjen e tij për një situatë të ngjashme.
Me vendimin nr. 6 të Shkurtit 2019, KPA shkarkoi nga detyra subjektin e rivlerësimit A.S., kryesisht për faktin se bashkëshorti nuk justifikonte me dokumentacion ligjor tatimet e paguara si i punësuar në një shtet jashtë Shqipërisë, para se ata të martoheshin.
Me një argumentim të diskutueshëm, por gjithësesi të detyrueshëm për t’u aplikuar nga shkalla e parë e Vetingut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i konsideroi pjesë të procesit të rivlerësimit të subjektit A.S. edhe të ardhurat e bashkëshortit të saj, para se ata të njiheshin e të lidhnin martesë.
Sipas atij vendimi, rezulton se bashkëshorti i A.S. nuk arriti të provojë me dokumenta të plota të ardhurat nga punësimi si emigrant në Greqi, në periudhën 1997-2000, kohë para se ata të lidhnin martesë ligjore.
Megjithëse ligji për Vetingun synon të identifikojë magjistratët me probleme pasurie dhe integriteti gjatë aktivitetit profesional, Kolegji i Apelimit e tejkaloi kufirin, duke analizuar të ardhura të krijuara nga bashkëshorti para martese, madje, edhe para se subjekti A.S. të kishte nisur punën në sistemin e drejtësisë.
Kolegji i Apelimit e penalizoi subjektin e rivlerësimit A.S., duke argumentuar se: “Nëpërmjet procedurës së kontrollit të pasurive, synohet identifikimi i atyre subjekteve të rivlerësimit, të cilët janë bërë përfitues apo përdorues të pasurive në mënyrë të paligjshme apo me të ardhura, ligjshmëria e të cilave, … vihet në dyshim, pavarësisht nëse ky fakt nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me ushtrimin e detyrës së subjektit, apo rezulton të ketë ndodhur jashtë periudhës kohore të ushtrimit të saj”.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, megjithëse dha një interpretim shumë të zgjeruar mbi objektin e Vetingut dhe të kontestuar nga shumë aktorë e faktorë, gjithësesi krijoi një standart që duhet aplikuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për raste të ngjashme.
Por, KPK, zgjodhi të mos e aplikojë këtë standart të vendosur nga KPA në rastin e gjyqtares Edlira Petri.
Trupa e shkallës së parë te Vetingut vendosi të mos i ngarkojë gjyqtares së Apelit përgjegjësitë për veprimet financiare të bashkëshortit të saj, Sokol Sadushi, për pasuritë para martese.
Drejt ankimit?
Gjithësesi, gjyqtarja Petri do të duhet të presë edhe të paktën dy javë, për të parë nëse institucioni i Komisionerëve Publikë do të ankimojë apo jo vendimin e konfirmimit të saj në detyrë.
Gjasat janë që vendimi të ankimohet, referuar praktikës së deritanishme, kur Komisioneri Publik ka kundërshtuar vendimet e shkallës së parë te Vetingut të marra me votim të brishtë 2-1.
Por, një ankim i mundshëm do të ndërlikonte situatën, për shkak edhe të disa arsyeve që nuk lidhen drejtëpërdrejtë me Vetingun.
Institucioni i Komisionerëve Publikë përbëhet nga dy komisionerë, të cilët vendosin bashkërisht për rastet e ankimeve ose jo, pavarësisht se në seancat para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit paraqitet vetëm njëri prej tyre.
Në rastin e Edlira Petrit, situata ka një specifikë të caktuar. Një ankim i mundshëm ndaj vendimit për gjyqtaren, do të ngrinte pikëpyetje të forta mbi pasurinë e bashkëshortit të saj, Sokol Sadushi, kryetar në detyrë i Gjykatës së Lartë.
Njëri prej komisionerëve publikë, Dariel Sina, aktualisht është në fazën përfundimtare të verifikimit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për një post vakant për në Gjykatën e Lartë.
Në rast se ai do të japë viston për ankimin e vendimit të KPK-së për Edlira Petrin dhe do të arrijë të sigurojë vendin në Gjykatën e Lartë, do të duhet të bashkëpunojë me Sokol Sadushin si kryetar.
Kjo duket se do të jetë një situatë disi e sikletshme për Sinën.
Nga ana tjetër, një ankimim i mundshëm, shoqëruar me një penalizim për karrierën e Edlira Petrit si pasojë e pasurive të Sokol Sadushit, do të vinte në pikëpyetje edhe integritetin e kryetarit në detyrë të Gjykatës së Lartë.
Megjithëse Sokol Sadushi është verifikuar me një procedurë alternative “Vetingu”, gjithësesi, shkarkimi hipotetik i bashkëshortes së tij për çështje pasurie, do të ngrinte dyshime mbi vetë mbajtësin e postit të kreut të Gjykatës së Lartë.