“E rrezikshme”/ Brataj: Ka qytetarë që e mbajnë të fshehur infektimin nga Covid, marrin mjekim interneti

Veç rritjes së rastit të infeksioneve me Covid në vendin tonë, një fenomen tjetër i shfaqur rishtazi po shndërrohet në një rrezik real dhe burim infeksioni.

Bëhet fjalë për njerëz që shfaqin simptomat të koronavirusit, por e mbajnë të fshehur dhe kurohen vetë duke u bazuar në informacione në internet.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj,  në një intervistë me gazetaren Matilda Mcini në Ora News apeloi qytetarët që për çdo shqetësim të shëndetit të tyre të kontaktojnë mjekun e familjes ose 127 dhe është mjeku që përcakton nëse ata kanë Covid apo jo, por edhe kurën përkatëse.

“Ka diçka që është shqetësuese. Ka njerëz që janë të sëmurë, kanë shenja dhe simptoma, kërkojnë këshillim, nuk kërkojnë tamponë, nuk duan të regjistrohen, duan të ruajnë anonimitetin sepse kanë frikë se do të merret vesh se janë të infektuar nga Covid. Kjo është akoma më e rrezikshme. Ka njerëz që shenjat e para i kurojnë vetë. Bëra një status para ca ditësh: Jo mjekim interneti. Qarkullojnë protokolle të ndryshme ku gjithë medikamentet janë të përziera njëra me tjetrën por çdo terapi është rast pas rasti vetëm me këshillë mjekësore. Filloje me mjekun e  familjes ose 127 dhe pastaj kalo te specialisti, pneumologo ose infeksionisti për të zgjidhur problemin. Kjo përqindje njerëzish e këtij mentaliteti është burim infeksioni”, tha Brataj.

LEXO EDHE  Basha i përgjigjet Berishës: Nuk ke fuqi të mbledhësh Kuvendin Kombëtar, më mbështesin 97 përqind e demokratëve

“Veç faktit që nuk do që ta dinë të tjerët dhe e kuron vetë, nuk respekton as karantinën dhe nuk ke si ta monitorosh. Pavarësisht se tani ka edhe sëmundje të tjera, për çfarëdo lloj shenje duhet kontaktuar me mjekun.E përcakton mjeku specialist”, shtoi ai.