Arben Gjata: Nëse tejkalohen kapacitetet, spitalet rajonale kthehen në COVID

Me përkeqësimin e situatës së COVID-19 në Shqipëri, sytë e ekspertëve nuk janë vetëm në hapjen e strukturave të tjera spitalore, siç është COVId-3 tek ish-kirurgjia në QSUT apo COVID 4 tek ish-universiteti privat, por gjetja e stafit mjekësor për të përballuar fluksin në rritje të të infektuarve që kanë nevojë për trajtim në spital.

Profesor Arben Gjata, përgjegjës për burimet njerëzore gjatë epidemisë, tregon në një intervistë për “Report Tv” përgatitjet aktuale për të pasur mjaftueshëm bluza të bardha për të trajtuar të sëmurët, dhe mbi të gjitha me eksperiencën e duhur.

“Bashkë me shefin përkatës të infektivit profesoreshë Najada Comon dhe me drejtorin e sanatoriumit, profesor Perlat Kapisyzi do përcaktohet kush do të jetë grupi i mjekëve të cilet sot punojnë në Infektiv dhe tek Shfeqet Ndroqi, në mënyrë që të atashohen pranë spitalit te ish-kirurgjia në mënyrë që të ket një ekip i cili do të jetë i përbërë pikërisht nga ky grup mjekësh që janë me eksperiencë, nga pjesa tjetër e grupit të mjekëve të cilët mund të thërriten nga lista e vullnetarëve . QSUT-së i është rritur me 50 numri i të punësuarve për të marrë infermierë. Gjithashtu cdo shërbim universitar do vendosi rreth 20% të personelit të vet në dispozicion të luftës kundër covid”-u shpreh profesor Gjata

Autoritetet shëndetësore kanë gati skenarët nëse edhe 4 strukturat COVID do të tejkalojnë kapacitetet.

“Është edhe një skenar tjetër që mund të hapen një pjesë e spitaleve rajonale me reparte covid, nëse do të kemi rritje të mëtejshëm të numrit të pacientëve. Është menduar që këto spitale të kenë ekipe, ti përgatisin këto ekipe dhe në periudha një javore, jo të gjithë sëbashku që të mos pengojnë shërbimin në spitalet përkatëse, por nga një ose nga dy sipas spitalit rajonal, të vijnë dhe të punojnë rreth një javë në strukturat covid”-tha Arben Gjata

Jo më mjek familje dhe 127, një ide në diskutim është krijimin i njësive të lëvizshme të dedikuara covid.

LEXO EDHE  Berisha: Vettingu i politikanëve i nevojshëm, por jo mbi rregulla policeske

“Nuk është vendosur akoma nëse do të vazhdojmë që të mbajmë kontakte nëpërmjet mjekut të familjes në telefon dhe të përdorim 127 për të vajtur nëpër shtëpi nëpërmejt thirrjeve telefonike, apo ekziston edhe një mundësi tjetër, është hedhur dhe një ide, madje e kam hedhur unë, krijimi i njësive të lëvizshme të dedikuara për covidin që të kenë mundësi që të shkojnë në shtëpi të veshur dhe një pjesë të ekzaminimeve ose të ndihmës që mund ti jepen pacientëve, dhënia e një serumi, mbështetja morale etj të realizohet edhe nëpërmjet këtyre njësive të lëvizshme, kryesisht bëhët fjalë për Tiranën që është një qytet shumë i madhë, pra në qytetet e mëdhaja”- shpjegoi përgjegjësi i burimeve njërëzore gjatë epidemisë

Për profesor Gjatën duhet bërë një apel i fortë ndaj qytetarëve, ndërgjegjësimi i të cilëve ka në dorë që sistemi ynë shëndetësor të mos shkojë në kolaps.

“Nuk është në dorë të mjekësisë lufta me covidin është në radhë të parë në dorë  të qytetarëve. Nëse qytetarët nuk sensibilizohen dhe nuk respektojnë rregullat e covidit, cfarë do që të bëjmë ne, cfarëdo që të bëjë mjekësia e kemi të pamundur t’ia dalim sepse nëse rriten numrat, ju e dini që ka vende, kemi eksperienca që ka vende që kanë kapacitete spitalore, njerëzore, shumë më të mëdha se Shqipëria, janë shumë  më të pasur se Shqipëria, dhe gati ra në kolaps sistemi shëndetësor, pra edhe sistemi shqiptar shëndetësor ekziston mundësia që të bjeri në kolaps nëse qytetarët nuk ndërgjegjësohen”- tha Gjata.

Janë vetë qytetarët që e kanë në dorë, thotë profesori, nëse edhe në rast infektimi me COVID, tashmë që transmetimi i virusit është komunitar, duan të përfundojnë në spital në gjendje të rënduar, apo ta përballojnë në shtëpi. E kjo varet e gjitha nga doza virale që merr, e cila kalon në forma të rënda të koronavirusit, nëse nuk respektohen rregullat gjatë grumbullimeve të mëdha, ku rreziku të vjen shumëfish më i lartë.