U konfirmua nga KPK, Komisioneri Publik ankimon vendimin për gjyqtaren e Apelit të Gjirokastrës

Gjyqtarja e Apelit të Gjirokastrës, Miranda Andoni pas vendimit të KPK-së

Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK për Miranda Andonin, gjyqtaren e Apelit të Gjirokastrës, njëkohësisht anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, e cila u konfirmua në detyrë.

Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që të riçelë hetimin gjyqësor për gjyqtaren, të tria kriteret e rivlerësimit, pasi sipas tij, hetimi i KPK nuk ka qenë shterues në drejtim të indicieve të rezultuara nga institucionet.

“Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 257, datë 12.6.2020, vlerëson se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Miranda Andoni, nuk gjejnë mbështetje në prova dhe në ligjin e zbatueshëm, si dhe nuk bazohen në një hetim të gjithanshëm, të plotë dhe shterues. Duke çmuar se ky vendim objekt ankimi shfaq mangësi në hetimin administrativ, konstaton se indiciet e dala nga aktet e administruara janë shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit. Në këto kushte, Komisioneri Publik e vlerëson të nevojshme t’i kërkojë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që të riçelë hetimin gjyqësor për të tria kriteret e rivlerësimit, pasi rezulton se hetimi i Komisionit nuk ka qenë shterues në drejtim të indicieve të rezultuara nga institucionet”, njoftoi Komisioneri Publik.

LEXO EDHE  Covid 19/ Ndërron jetë mësuesja e muzikës në Prrenjas! Emri (Foto)

Më 12 Qershor, KPk njoftoi vendimin e konfirmimit në detyrë të gjytares së Apelit Gjirokastër.

Seanca dëgjimore u zhvillua më 9 Qershor. Në seancën dëgjimore, Komisioni nuk evidentoi probleme të pasurisë, përveç pasaktësive dhe dy balancave negative në vlerë të vogël.

Gjyqtarja Miranda Andoni u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërkohë që u identifikuan disa gjetje për profesionalizmin. Komisioni evidentoi tejkalimin e afateve të gjykimit të parashikuara në ligj në disa raste. Edhe në 15 denoncimet e kryera prej publikut, tre prej tyre që kanë qenë për shkak të shtyrjes së proceseve gjyqësore. Firdes Shuli, nga trupa gjykyese e KPK, tha se Andoni ka shpjeguar se shtyrjet janë kryer me qëllim zhvillimin e hetimeve të pjesshme për veprime që nuk ishin kryer në Shkallës së Parë ose me kërkesa të palëve.

Gjyqtarja Miranda Andoni tha në fund të seancës së ishte dakort me gjithë procesin dhe se i ishin respektuar të gjithë të drejtat.