Komisioni ngriti dyshime për përfshirje të gjyqtarit Artan Çupi në korrupsion si dhe sjellje të papërshtatshme dhe zvaritje të proceseve gjyqësore. Çupi pretendoi se kishte burime të ligjshme dhe kundërshtoi konstatimet për pastërinë e figurës.
Kryetari i Gjykatës së Matit, Artan Çupi u përball të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me probleme në të tri kriteret e rivlerësimit; për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Gjyqtari Artan Çupi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995. Ai ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Matit dhe prej vitit 2008 ushtron funksionin si kryetar i kësaj gjykate.
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë, ILDKPKI, nuk kishte gjetur probleme në deklaratat e kryetarit të Gjykatës së Matit, por Komisioni identifikoi pasaktësi dhe mospërputhje si edhe balanca negative në vlera të konsiderueshme përgjatë disa viteve.
Për një apartament me sipërfaqe 78.4 m2 të blerë në Burrel në vitin 2007 për 2 milionë lekë, gjyqtari Çupi ka deklaruar si burim krijimi dy hua të marra nga i ati dhe i vëllai.
Relatorja Etleda Çiftja tha se Çupi nuk i ka pasqyruar huatë në vitin 2007 dhe 2008 duke i konsideruar si pasaktësi në deklarim. Nga hetimi ka rezultuar se kontratat e huasë mes gjyqtarit Çupi dhe dy familjarëve të tij janë nënshkruar në vitin 2009, dy vite pasi thuhet se janë marrë.
Gjithashtu, Komisioni gjen mospërputhje edhe për vitin e blerjen së këtij apartamenti për shkak se ka gjetur indicie se ai ka jetuar që prej vitit 2006 në këtë banesë.
Sipas relatores, gjyqtari Çupi nuk ka dorëzuar dokumentacion për të provuar burimin e huasë 1.3 milionë lekë të marrë nga babai. Komisioni konstaton se gjyqtari nuk e ka deklaruar shlyerjen e huasë në vitin 2010, si dhe burimin. Gjithashtu, nga analiza financiare ka rezultuar se i ati nuk kishte pasur mundësi financiare për dhënien e kësaj shume në vlerën 1.1 milionë lekë.
Çupi tha në seancë se babai ka pasur burime të mjaftueshme për dhënien e huasë, pasi veç të ardhurave nga puna e tij prej vitit 1953 e në vazhdim, ka administruar edhe ato të anëtarëve të trungut familjar. “Babai administronte gjithë të ardhurat e familjes, që deri në vitin 1997 përbëhej nga 10 anëtarë”, tha Çupi. Ai shtoi se deri në vitin 1997 kishte kontribuar dhe ai dhe bashkëshortja, ndërsa vëllezërit dhe motrat edhe në vitet në vazhdim.
Gjithashtu, për huanë e marrë nga vëllai në shumën 700 mijë lekë, Komisioni konkludon se ai ka pasur mundësi për krijimin e kësaj vlere.
Në fjalën e tij Çupi e vlerësoi procesin e rivlerësimit të kryer nga Komisioni. Ai e pranoi se kishte pasaktësi në mosdeklarimin e huamarrjeve dhe mospërputhje për kohën e blerjes.
“Adresa e apartamentit është vendosur në deklaratën e vitit 2006, pasi ajo është plotësuar në mars të vitit 2007 dhe ka qenë një lapsus nga ana ime. Për pasaktësinë e mosdeklarimit të huave, sqaroj se kam dhënë shpjegime edhe në ILDKPKI në vitin 2009 kur kam thënë se burim kanë qenë dy huatë e marra nga babai dhe vëllai. Duke qenë se ishin familjarë, nuk hartuam kontratë. Nga ana e ILDKPKI m’u kërkua të paraqisja kontratat e huamarrjes dhe i nënshkruam në vitin 2009,” sqaroi Çupi.
Gjatë seancës dëgjimore, Çupi u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs se përse i kishte nënshkruar kontratat e huasë dy vite më vonë, kur dihej që duhej t’i deklaronte ato, si dhe përse nuk e shiti apartamentin që dispononte para se të blinte banesën tjetër në 2007-ën.
Çupi shpjegoi se pasi fëmijët ishin rritur, i kishte lindur nevoja për të jetuar në një apartament 2+1 dhe sapo kishte gjetur një mundësi, kishte negociuar për ta blerë banesën që disponon aktualisht. “Shitësi i apartamentit i donte paratë në një afat të shkurtër dhe nuk pata mundësi ta shisja apartamentin e mëparshëm që zotëroja. Ndërkohë, nuk nëshkrova kontratë për huatë pasi i mora tek familjarët e mi në mirëbesim,” tha ai, duke përsëritur se ato i kishte nënshkruar pasi ia kishte kërkuar ILDKPI.
Komisioni nuk identifikoi probleme për burimin e krijimit të një apartamenti të përfituar nga Enti i Banesave kundrejt shumës 500 mijë lekë. Sipas relatores Çiftja, është gjetur si pasaktësi deklarimi i shitjes së kësaj pasurie në shumën 1.5 milionë lekë në vitin 2008, pasi kontrata rezulton e vitit 2009. “Subjekti ka shpjeguar arsyet e kësaj pasaktësie dhe nuk kanë rezultuar probleme”, pohoi relatorja Çiftja.
Për një autoveturë tip Benz të blerë në vitin 2012 në vlerën 10 mijë euro, Çupi ka pasqyruar si burim krijimi në deklaratën veting të ardhurat familjare, ndërkohë që në deklaratën periodike ka shënuar hua të marrë nga i ati në shumën 10 mijë euro. Komisioni konstaton si babai ka pasur mundësi financiare për dhënien e kësaj huaje.
Si pasaktësi u evidentua edhe mosdeklarimi në fund të vitit 2016 i vlerës 4 milionë lekë, që sipas analizës financiare duhej të ishte në gjendjen cash.
Nga hetimi ka rezultuar se Çupi nuk ka paguar tatimet lidhur me përfitimin e një vlere nga dhënia me interes e një huaje 500 mijë lekë në vitin 2011. Çiftja tha se pavarësisht se shuma mbi të cilën duhej të paguhej tatimi mbi fitimin është e vogël, kjo vlerë nuk është përfshirë në analizën financiare.
Relatorja renditi balanca negative për disa vite për periudhën 2003-2016. Për vitin 2007, komisioni ka gjetur mungesë të burimeve të ligjshme në vlerën 1.1 milionë lekë për blerjen e shtëpisë dhe 1 milionë për shtesat dhe likujditetet. Për vitin 2012 u konstatua balancë negative në vlerën 556 mijë lekë dhe për vitin 2014 në shumën 336 mijë lekë. Relatorja Çiftja tha se balancat negative janë të ndryshueshme në bazë të provave dhe shpjegimeve të depozituara nga subjekti.
Gjyqtari Artan Çupi pretendoi se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për shpenzimet e kryera dhe se babai kishte pasur mundësi financiare për dhënien e huasë 1.3 milionë lekë në vitin 2007.
“Pranoj se ka pasaktësi në deklarime lidhur me pasyqrimin e tepricave. Vetëm gjatë takimit të kryer në ILDKPKI në vitin 2009 u informova se duhej të deklaroja edhe tepricat,” pohoi ai.
Dyshime për korrupsion
Sipas raportit përfundimtar të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ekzistojnë dyshime të arsyeshme për përfshirjen e gjyqtarit Artan Çupi në veprimtari të paligjshme dhe korrupsion pasiv gjatë ushtrimit të detyrës së tij në Gjykatën e Matit.
“Dyshohet se së bashku me një avokat ka favorizuar disa persona të pandehur në periudha të ndryshme. Gjithashtu, ata janë përpjekur të lirojnë një person duke shfrytëzuar hapësirat ligjore,” pohoi relatorja Etleda Çiftja.
Ajo shpjegoi se nga hetimet dhe verifikimet e kryera prej Komisionit dhe ONM-së mbi dokumente të klasifikuara, si dhe nga informacionet e dërguara prej insitucioneve ndihmëse, duket se ka dyshimet për përfshirje të Çupit në veprimtari të paligjshme dhe në korrupsion pasiv.
Çupi tha se i kundërshtonte të gjitha konstatimet e DSIK dhe ato të Komisionit lidhur me pastërtinë e figurës. “Nuk ka asnjë provë apo indicie. Nuk ka asnjë takim apo kontakt me ndonjë person të përfshirë në krimin e organizuar. E kundërshtoj konstatimin për figurën,” tha Çupi.
Në fillim, relatorja Çiftja identifikoi probleme drejtëshkrimore në tre dosjet e përzgjedhura nga vetë subjekti për verifikim. “Në të tre vendimet nuk janë përdorur shkronjat ‘ë’ dhe ‘ç’”, tha Çiftja. Ndërsa në një prej pesë dosjeve të shortuara, u identifikua zgjatja e shqyrtimit gjyqësor 4 muaj e gjysmë nga 2 muaj që ishte afati.
Gjyqtari Artan Çupi e pranoi gjatë seancës dëgjimore se kishte gabime drejtëshkrimore ndërkohë që justifikoi gjetjet e tjera të Komisionit për profesionalizmin. Për zgjatjen e shqyrtimit 4 muaj e gjysmë, ai pohoi se kishte rastisur që shqyrtimi të niste në qershor dhe se muajt korrik e gusht ishin periudha lejeje për gjyqtarët.
Komisioni e ka shtrirë hetimin mbi profesionalizmin deri në vitin 2006, prej nga janë identifikuar disa gjetje.
Lidhur me një ankim të kryer nga një shoqëri, Komisioni konstaton se subjekti nuk ka shfaqur sjellje të përshtatshme si dhe ka marrë një vendim pezullimi jashtë afateve. Nga e njëjta shoqëri janë depozituar më parë pranë Inspektoriatit të ish-KLD dhe ankesa të tjera prej nga janë evidentuar situata të ngjashme. “Pranoj se nuk duhej të kisha vendosur pezullimin, por ka ndodhur nga rutina. Për kalimin e afatit pesë ditor lidhur me shqyrtimin e kërkesës për një ekzekutim përmbarimor është e vërtetë, por gjykova se duheshin thërritur palët,” tha Çupi.
Ndaj gjyqtarit Artan Çupi ka depozituar ankesa edhe prokurori i prokurorisë së Matit, L.F., i cili ka pretenduar se vendimarrjet e Çupit për caktimin e masave të sigurisë e bëjnë të pamundur kryerjen e punës nga ana e organit të akuzës.
“Duket se subjekti nuk e njeh ligjin procedurial penal, pasi ka ndryshuar masën edhe pse e pranon se i pandehuri e ka kryer veprën penale,” tha Çiftja.
Ajo shpjegoi se në vitin 2013, shtetasi I.B. ka kërkuar zëvendësimin të masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të lehtë.
Çupi këmbënguli në seancë se kishte pasur të drejtë në zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.
“Ishin marrë të gjitha provat dhe nuk kishte rrezik. Nuk është rrezikuar largimi i të pandehurit. Ai ishte me arsim të lartë dhe babai i shtatë fëmijëve. Bëhej fjalë për dhunë në familje, por në rastin konkret nuk kishte urdhër-mbrojtje,”shpjegoi gjyqtari Çupi.
Edhe në tre ankesa të tjera të kryera nga shtetas të ndryshëm, Komisioni konstaton se gjyqtari Çupi nuk ka aftësi të intepretojë drejt ligjin procedurial penal. Çiftja evidentoi se në disa raste konstatohen zgjatje të gjykimit dhe mosmarrja e masave ndaj avokatëve mbrojtës të të pandehurve, pavarësisht mosparaqitjes së tyre në seanca.
Në një rast është gjetur se Çupi ka caktuar masë sigurie më të rëndë nga ajo e kërkuar nga prokurori i çështjes dhe se vendimi është marrë pasi kishte kaluar afati dhe masa ishte shuar.
Gjyqtari Çupi deklaroi se i ndaluari akuzohej për vrasje nga pakujdesia dhe se vetë prokurori e kishte ndryshuar qëndrimin gjatë seancës së caktimit të masës së sigurisë duke kërkuar “arrest në burg”.
Ndaj gjyqtarit Artan Çupi janë depozituar në KPK tre denoncime nga publiku. Komisioni konstaton sjellje të papërshtatshme të gjyqtarit Çupi gjatë zhvillimit të seancave, zgjatje të proceseve dhe mosmarrje të masave ndëshkuese ndaj avokatëve që kanë qenë shkak i zvarritjeve, pavarësisht se kjo gjë është kërkuar prej prokurorit.
Çupi i kundërshtoi konstatimet e KPK për denoncimet e kryera nga publiku. Ai deklaroi se në gjykimin e çështjes në fjalë, të pandehurit gjykoheshin për vrasje në bashkëpunim. Çupi tha se ngjarja kishte qenë e rëndë dhe e veçantë dhe për këtë arsye të gjitha seancat kishin qenë të hapura për publikun.
“Në sallë ka pasur edhe intimidime ndaj avokatëve të të pandehurve që kryheshin nga familjarët e viktimave. Kam marrë masa dhe i kam nxjerrë jashtë ata që sillnin probleme. Nga përmbajtja e CD rezulton se tonaliteti i zërit tim është në propocion me fjalët fyese. Janë bërë përpjekje për t’u përfunduar procesi në afat, por shtyrja ka ardhur vetëm dy herë nga gjykata, tre herë nga prokuroria dhe herët e tjera nga avokatët mbrojtës, që për shkak se nuk gjendeshin në Mat dhe vinin nga Tirana,” pohoi Çupi.
Në seancë u tha se për dy kallëzime penale të kryera ndaj gjyqtarit Artan Çupi për dyshime për raste korrupsioni, është vendosur mosfillimi i hetimeve nga prokuroria e Lezhës.
“Theksoj se në asnjë rast në karrierën time 24-vjeçare si gjyqtar nuk kam marrë asnjë vërejtje,” pohoi ai. Në përfundim, gjyqtari Artan Çupi kërkoi konfirmimin në detyrë.
KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 24 korrik, ora 09:30. /BIRN/