Huatë e marra nga familjarët, si ka ndryshuar pasuria e kryetarit të Gjykatës së Matit

Kryetari i Gjykatës së Matit, Artan Çupi do të përballet të mërkurën më 22 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja.

Gjyqtari Artan Çupi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995. Ai ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Matit dhe prej vitit 2008 e ushtron funksionin si kryetar i kësaj gjykate.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Artan Çupi nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtari Artan Çupi deklaron pasuri me vlerë 1.5 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 9.1 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, gjyqtari Çupi zotëron likujditete bankare prej 5.2 milionë lekësh, pasuri të patundshme prej 2 milionë lekësh, automjet me vlerë 1.3 milionë lekë si dhe kursime në cash prej 500 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 29 milionë lekë, nga të cilat 65% burojnë nga paga e funksionit të gjyqtarit dhe rreth 20% nga pagat e familjarëve. Të ardhurat në cash nga trashëgimia zënë 7% të totalit, ndërkohë që Çupi deklaron edhe 3% të ardhura nga shitja e pasurisë së patundshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit të Z. Çupi, një deklaratë rezultoi me probleme dhe 13 të tjera pa probleme.

LEXO EDHE  Që edhe listat e hapura të kenë kuptim!

Gjyqtari Artan Çupi rezulton me pasuri të pajustifikuar përmes burimeve të deklaruara në vitin 2007 në vlerën e 1.1 milionë lekëve. Diferenca negative rrjedh nga blerja e një apartamenti prej 2 milionë lekësh, pa specifikuar burimin e krijimit.

Gjithashtu nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” huatë e marra nga familjarët. Në vitin 2009, ai deklaron 2 milionë lekë hua nga familjarët për blerjen e një apartamenti, por vlerat janë shlyer të plota në vitin 2010 pa shtuar ndonjë pronë të patundshme. Ndërsa në vitin 2010, ai deklaron blerjen e një automjeti me vlerë 10 mijë euro me burim një hua pa interes në të njëjtën vlerë.

Në vitin 2015, kryetari i Gjykatës së Matit deklaron si trashëgimi nga babai shumën prej 2.1 milionë lekësh, e cila depozitohet si shtesë e një llogarie bankare.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017   /BIRN/