Autoritarizmi i maskuar

Nga Ilir Kalemaj

Diktatorët e kohërave post-moderne, nëse do i referoheshim kështu periudhës së pas viteve 90-të, i bashkojnë mjaft karakteristika, të cilat nëse do përdornim një logjikë inverse me atë të Samuel Huntingtonit, i përngjajnë një vale të tretë autoritarizmi. Huntingtoni ka hedhur i pari në tregun e ideve, idenë e ‘valës së tretë e demokratizimit’. Një karakteristikë e theksuar nga Huntingtoni dhe studiues të tjerë është se dy valat e mëparshme të demokratizimit më vonë u kthyen drejt autokratizmit dhe ngelet për t`u parë vala e tretë që përfshiu vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore. Deri më tani, pjesa më e madhe e tyre po ecën me sukses në rrugën e konsolidimit të reformave demokratike dhe të ekonomisë së suksesshme të tregut, por ish-Republikat sovjetike kanë shenja të theksuara ri-kthimi drejt autoritarizmit.

Kjo valë e tretë autoritarizmi që bashkon këta diktatorë nga njëri cep i globit në tjetrin, mund të përshijë të tillë si Putini në Rusi, apo Maduro në Venezuelë, Xi Jinping në Kinën e ‘kapitalizmit të kuq`, Raul Kastron dhe Miguel Diaz-Canel me fillimin e një cikli të ngjashëm në Kubë, Lukashenkan e Bjellorusisë, Rouhanin në Iran, apo Al-Asadin legjendar të Sirisë me kthesat e tij të papritura. Nuk ngelen pas as diktatorët e rinj të vendeve të Azisë Qendrore, apo ata tashmë tradicionalë të vendeve të ndryshme afrikanë, vencarisht në Afrikën nën-sahariane. Janë shumë gjëra që i ndajnë këto sisteme dhe këta diktatorë nga njëri-tjetri. Po aq të shumta janë edhe karakteristikat që i bashkojnë.  Këtu do trajtojmë vetëm disa nga elementët kryesorë që i bashkojnë këta liderë dhe këto sisteme.

Kryesisht këto shtete bazohen në logjikën e ‘shtetit ligjor’ dhe një veçori dalluese e tyre është theksimi i autoritetit shtetëror nën maskën e ligjshmërisë, e cila arrihet nëpërmjet një kalimi të panumërt ligjesh, urdhëresash dhe rregulloresh që synojnë mirëfunksionimin e hallkave të ndryshme shtetërore. Kjo ka efekt të dyfishtë pasi nga njëra anë, lë përshtypjen e një ‘dore të fortë’ të shtetit në luftë kundër ‘metastazave’ të kapitalizmit, si krimi, korrupsioni dhe fenomene të ngjashme dhe nga ana tjetër synon të konsolidoj juridikisht bazat e pushtetit personal dhe t`i vendosi tekat personale në baza ligjore.

Një tjetër karakteristikë e përbashkët është vendosja e emisarëve politikë, shpesh të mbiquajtur prefektë apo guvernatorë specialë, të emëruar dhe që kontrollojnë pushtetin faktik të provincave ku janë emëruar me të drejtë heqjen dhe emërimin e cdo funksionari të zgjedhur me anë të mekanizmit të votës. Ky pushtet që e ka bazën në marrëdhëniet feudale mes mbretit, lordit dhe vasalit në periudhën e mesjetës, është riaktivizuar me anë të kamuflimeve alla-demokratike dhe ka rezultuar mjaft efikas në vende të ndryshme. Për shembull në Kinë, megjithë rregullin bazë që të gjithë kandidatët duhet të vinë nga e njëjta parti, shpesh ndodh që banorët e iks apo ypsilon zone të zgjedhin alternativën e kandidatit të preferuar nga lart. Kjo con kryesisht drejt ripërsëritjes së zgjedhjeve në atë zonë, ku për së dyti, përdoret çdolloj mjeti që kandidati i preferuar të arrijë fitimin e mandatit. Pra edhe brenda një sistemi monopartiak ka kandidatë të preferuar dhe të ‘njerkut’. Ndërsa në Rusi dhe Venezuelë, guvernatorët e plotfuqishëm të emëruar nga Presidentët respektivë kanë fuqi të palimituar mbi të zgjedhurit vendorë.

LEXO EDHE  Pas vendimit për Skenderbeun, UEFA: Luftë ndeshjeve të fiksuara, u hodhën poshtë pretendimet

Një aspekt tjetër i rëndësishëm që vlen të evidentohet është fakti që ky konsolidim në fakt personal bëhet në emër të një dogme apo ideologjie. Megjithëse këto lloj dogmash ndryshojnë nga shteti në shtet, psh., ajo religjioze në Iran, socialiste në Venezuelë, komuniste në Kubë dhe Kinë, dhe disi më pragmatike, por më nacionaliste në Rusi, në thelb synohet forcimi i autoritetit të liderit. Madje karakteristikë për këto vende (ndoshta me përjashtim të Kinës), partia nuk është e fortë, as aparati shtetëror në përgjithësi apo ai ushtarak, por funksionojnë mrekullisht mirë aparatet e sigurimit dhe kanë arritur suksesshëm vendosjen e një regjmi policor dhe krijimin e një rrethi të ngushtë nepotik që siguron mbijetesën e suksesshme të liderit dhe ruajtjen efikase të tij nga çdo kërcënim që i kanoset. Kjo të sjell disi ndër mend regjimet patrimonale dhe personalistikë të vendeve afrikane, por natyrisht me karakteristikat e saj dalluese të vendeve në zhvillim.

Të gjitha këto shenja dalluese dhe trajta të përbashkëta të këtyre vendeve të çojnë drejt një hipoteze për një rikthim ndoshta të tretë drejt autoritarizmit, drejt asaj ‘dore të fortë’ që për rusët, venezuelianët, apo kinezët e sotëm, arriti të krijojë një mirëqenie ekonomike, që fjala bie nuk arriti ta krijonte dot regjimi i korruptuar, nepotik dhe i dobët i Jelcinit apo liderë të tjerë të ngjashëm, të cilët dështuan në reformat e tyre të tregut dhe kursin demokratik. Të paktën sot mund të argumentojë një rus, iranian apo kinez i zakonshëm mund të hahet më mirë, siguria fizike është më e lartë dhe mund t’i lejojnë vetes një luks më të madh të jetuari. Por ka edhe një anë tjetër të medaljes.

Në rastin rus, venezuelian apo libian për të përmendur vetëm tre prej tyre, burimet e mëdha energjetike, si nafta dhe gazi natyror të shoqëruara me rritjen e beftë të aksioneve të tyre në treg, arritën t`i japin një shtytje të qenësishme ekonomisë, pa efektin e të cilave nuk do mund të shëroheshin shumë plagë sociale dhe të mos arrihej ajo mrekulli ekonomike që i mban këta liderë ende në pushtet sot. Ezaurimi i këtyre burimeve energjetike, i kombinuar me një rënie të kuotimit të tyre në bursat ndërkombëtare, ka shkaktuar ndërkohë një tronditje të vetë bazave të këtyre shteteve, që në mungesë të investimeve afatgjatë strategjike në plane alternativë, mund t`i shëmbëllejnë kalave prej rëre që mund të merren përpara nga erozioni financiar. Sinjalet nga vende të  tilla si Venezuela, Libia, Siria etj., na lënë të shpresojmë  që  fundi i tiranëve anembanë vonon por nuk harron. Gjithsesi një pikëpyetje e madhe vlen të shtrohet për diskutim: a janë regjimet autoritare apo gjysmë-autoritare që funksionojnë të paktën juridikisht mbi bazat e shtetit ligjor më efektive dhe të suksesshme në kapërcimin e tranzicionit shpesh të dhimbshëm që gjenden mjaft vende në kapërcyell të ndryshimeve historike? Natyrisht trajtimi i kësaj pikëpyetje tejkalon limitet e këtij artikulli dhe ka nevojë për një trajtim të zgjeruar, hulumtues dhe specifik që është jashtë objektit të këtij shkrimi përgjithësues.