Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin që ndëshkonte mediat me gjoba, në kuadër të masave për koronavirusin.
Sipas argumenteve të Presidencës ky ligj është kthyer pasi Kuvendi, duke miratuar aktin normativ nr.20, datë 20.05.2020, të Këshillit të Ministrave që paraqitet si një akt që “lehtësonte” masat kufizuese për jo më shumë se 2 persona të pranishëm në një studio epidemie, në fakt përcakton një masë të rëndë administrative fikse, me gjobë 1 një milion lekë ose vendosjen e bllokimit të medias.
Presidenca sqaron se ky ligj është miratuar në kohën që gjendja e fatkeqësisë natyrore e shpallur me ligj, ka përfunduar vetëm 5 ditë pasi Kuvendi ka miratuar këtë akt.
Sipas argumenteve shoqëruese të Dekretit, kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur, por sanksioni ndëshkues administrativ është shproporcional.
Sipas ligjit, ky sanksion që rrezikon të çojë në ndëshkimin me pa të drejtë të mediave, jo më nga një organ i pavarur, por nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, cenon të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes, të parashikuara në nenet 22 dhe 23 të Kushtetuës.
Arsyet e kthimit të ligjit
TË LIGJIT NR. 73/2020 “PËR MIRATIMIN E AKTIT NORMATIV, ME FUQINË E LIGJIT, NR. 20, DATË 20.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ‘PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË AKTIN NORMATIV NR. 3, DATË 15.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ‘PËR MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA ADMINISTRATIVE GJATË KOHËZGJATJES SË PERIUDHËS SË INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-19’, TË NDRYSHUAR”
Të nderuar deputetë!
Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 18.06.2020 ka miratuar ligjin nr. 73/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 20, datë 20.5.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19’, të ndryshuar”.
Me shkresën me nr. 1636 prot., datë 23.06.2020 të Kuvendit, ky ligj i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Sipas dokumentacionit parlamentar dhe relacionit shoqërues të projektaktit, akti normativ me fuqinë e ligjit ka për qëllim:
Heqjen e ndalesës në studio televizive për të ftuar jo më shumë se një person, duke përcaktuar kushtin për ruajtjen e distancës prej 2 metrash nga njëri- tjetri, shoqëruar ndërkohë edhe me masat ndëshkuese administrative në rast të shkeljes së tyre;
Ndryshimin/shtesën në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, për të bërë të mundur parashikimin e masës administrative për ato subjekte tregtare që plotësojnë kushtet, por që nuk kryejnë aplikimet për përfitimin pagesës së ndihmës financiare për të punësuarit apo ish-të punësuarit e tyre, që kanë humbur vendin e punës për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.
Presidenti i Republikës konstaton se, edhe pse akti normativ është argumentuar se ndërmerret për qëllime shumë pozitive në kuadër të masave të përballimit të gjendjes së pandemisë “Covid-19”, në thelb të tij ai paraqet problematika të theksuara të kushtetutshmërisë, pasi:
Cenon të drejta dhe liri themelore, si e drejta për informim dhe liria e shprehjes, të parashikuara nga nenet 22 dhe 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
Sjell ndikime direkte në lirinë e veprimtarisë ekonomike, parashikuar nga neni 11 i Kushtetutës, përmes masave jo proporcionale dhe mungesës së mjeteve efektive të ankimimit të tyre.
Në mënyrë më të detajuar, problematikat që paraqet ky akt shtjellohen si më poshtë vijon:
Parashikimet e propozuara në ligjin nr. 73/2020, supozohet të jenë kufizime të diktuara nga nevoja publike në kushtet kur ndryshimi kryhet pikërisht në aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.03.2020.
Paraprakisht duhet theksuar se, Akti normativ nr. 20, datë 20.05.2020 ka filluar të japë efektet e tij brenda periudhës kohore kur vendi iu nënshtrohej kufizimeve të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por ky akt është miratuar nga Kuvendi vetëm në datën 18.6.2020, pra 5 ditë para përfundimit të afatit të gjendjes së shpallur të fatkeqësisë natyrore.
Referuar nenit 101 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit për marrjen e masave të përkohshme, por këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve, nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.
Kjo dispozitë e Kushtetutës kërkon që Kuvendi duhet të mblidhet brenda 5 ditëve dhe të marrë në shqyrtim vullnetin politik të Këshillit të Ministrave si dhe të kryejë sa më parë vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe rregullshmërisë së këtij akti.
Aktualisht vendi ynë gjendet juridikisht në një situatë ligjore ku kemi të shpallur gjendjen e epidemisë për shkak të pandemisë “Covid-19”, ndërkohë që gjendja e fatkeqësisë natyrore e shpallur sipas ligjit, ka përfunduar.
Për këtë shkak, masat e veçanta për përballimin e situatës pandemike duhet të jenë përparësi e organeve publike, bashkërisht me ndërgjegjësimin e popullatës mbi marrjen e masave vetjake për mbrojtjen nga infeksioni i shkaktuar nga pandemia “Covid-19”, ndërkohë që parashikimet e akteve ligjore që miratohen apo zbatohen përtej gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duhet të jenë shumë të kujdesshme dhe objektive në mënyrë që të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të respektohen dhe të mos cenohen.
Kjo për faktin se, me përfundimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shpallur sipas ligjit, bien automatikisht edhe kufizimet që mund të jenë vendosur sipas nenit 175 pika 2 të Kushtetutës, mbi të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet 37, 38, 41 paragrafi 4, 49, 51 të Kushtetutës.
Duke iu kthyer analizës së domosdoshme mbi realitetin me të cilin po përballemi të gjithë, duhet me çdo kusht të theksohet se vendimet e marra me qëllim lehtësimin e masave drastike, të cilat kanë shoqëruar periudhën e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duhet të diktojnë dhe sigurojnë një sjellje që tashmë duhet të drejtohet/orientohet përmes rekomandimeve dhe planeve të mirëstrukturuara për përballimin e situatës nga ana e stafeve mjekësore, në kushtet kur Vendimi nr. 342, datë 25.04.2020 i Këshillit të Ministrave “Për një ndryshim në Vendimin nr. 243, datë 24.03.2020, të Këshillit të Ministrave “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore” aktualisht ka përfunduar efektet ligjore prej datës 23.06.2020.
Pra, Kuvendi si organ miratues i akteve normative do të duhej të kishte kontrolluar dhe vlerësuar më parë nevojën dhe urgjencën që ka shtyrë Këshillin e Ministrave në miratimin e këtij akti normativ, më pas formën dhe përmbajtjen e normës dhe elementët e saj.
Referuar sa më sipër, Kuvendi i Shqipërisë, ka detyrimin që të bëjë një analizë të thelluar mbi kushtetutshmërinë e akteve normative pas përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe cilat janë ato masa legjislative që detyrimisht duhen ndërmarrë për ruajtjen e shëndetit publik, për ligjshmërinë e veprimeve të administratës publike përgjegjëse dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare dhe përmbajtjes së Aktit Noramtiv me fuqinë e ligjit nr.20, datë 20.05.2020, rezulton se:
Në pikën 1, të aktit normativ me fuqinë e ligjit është propozuar ndryshimi i pikës 13, me këtë përmbajtje:
“13. Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se një person në të njëjtën studio televizive, që nuk respektojnë distancën e sigurisë prej 2 metrash nga njëri-tjetri, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe, në rast përsëritjeje, iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent.”.
Ky formulim paraqet disa problematika të theksuara kushtetuese:
Duke vlerësuar paraprakisht rolin e medias përgjatë kësaj periudhe kur shtimi i hapësirave informuese dhe ndërgjegjësuese të qytetarëve është domosdoshmëri, ashtu si dhe angazhimin e treguar prej tyre për dedikimin e hapësirës mediatike për këtë qëllim, në krahasim me sanksionet administrative të vendosura në këtë dispozitë, rezulton se Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi nuk kanë arritur të parashikojnë në mënyrë balancuar nevojën publike për këtë normë të re në raport me sanksionin administrativ.
Kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur. Për këtë qëllim qeveria me këtë ndërhyrje është në përmbushje të një nevoje të ligjshme dhe ajo konsiderohet e përshtatshme.
Ndërkohë që, përveç rregullit, sanksioni i parashikuar paraqet problematikë të theksuar sepse dukshëm është i vendosur në mënyrë shproporcionale.
Vendosja e sanksioneve administrative në rast shkeljeje do të duhej të merrte detyrimisht në konsideratë që thelbi i aktivitetit mediatik të mos cenohet në atë masë sa të shkaktojë pamundësinë e ushtrimit të tij.
Kështu, Këshilli i Ministrave në propozimet e bëra e më pas Kuvendi gjatë shqyrtimit të tyre, do të duhej të kishin vlerësuar më mirë balancën midis interesit që synohet të mbrohet dhe të drejtave që kufizohen e sanksionohen, dhe kjo, pas analizës së argumenteve mbi rrethanat objektive që sollën këtë propozim në kuadër të lehtësimit të masave dhe miratimit të tij nga Këshilli i Ministrave.
Propozimet për marrjen e masave konkrete, nisur nga aktet zyrtare që shoqërojnë aktin normativ, nuk shoqërohen me një analizë të plotë dhe të kujdesshme të vlerësimit të:
proporcionalitetit të sanksionit;
mënyrës së vendosjes së masës ndëshkuese; dhe
ankimit të aktit.
Kuvendi duhet të qartësonte se objektivi që justifikon kufizimin e së drejtës dhe ndëshkimin në rast shkeljeje, është në raport logjik dhe të drejtë me masën ndëshkuese të parashikuar dhe aspak në tejkalim të tij.
Për më tepër, do të duhej të parashikonte instrumentet logjistike që do të nevojiten për përcaktimin e shkeljes në mënyrë që, zbatimi i aktit të mos lerë vend për abuzim dhe të kthehet në një instrument ndëshkimi jo objektiv në të ardhmen.
Sanksioni financiar i përcaktuara në pikën 13, është jo vetëm në një nivel të lartë, por edhe i përcaktuar në mënyrë fikse, pa asnjë hapësirë vlerësimi rast pas rasti për nivelin e masës së gjobës, duke mos lënë mundësi përshkallëzimi në varësi të nivelit të shkeljes së masave parandaluese të përhapjes së pandemisë.
Edhe masat ndëshkuese në rast përsëritjeje, janë jo proporcionale në raport me shkeljen, në rastet kur shkelja mund të kryhet në një emision apo program konkret, ndërkohë masa administrative ndëshkimore parashikohet të aplikohet përkundrejt bllokimit të të gjithë aktivitetit mediatik të televizionit.
Në këtë mënyrë masa ndëshkimore e parashikuar me efekt përkundrejt bllokimit të veprimtarisë për gjithë televizionin, e vendos subjektin mediatik në pamundësi të ushtrimit të veprimtarisë së tij.
Akoma më shqetësuese lidhur me këto masa ndëshkuese joproporcionale, është fakti se, ato mund të merren nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, duke rritur rrezikun për abuzime me këto masa, që do të çonin direkt në shkeljen e lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim.
Masat ndëshkuese joproporcionale, mund të çojnë në ndëshkimin me pa të drejtë të mediave, jo më nga një organ i pavarur, por nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, duke ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë dhe objektivitetin e informacionit, në këtë periudhë pandemie kur, informacioni objektiv ka shumë rëndësi për përmbushjen e përgjegjësive qytetare.
Ndaj, këto masa ndëshkuese administrative të parashikuara në këtë nen të aktit normativ, duhet të rishikohen nga Kuvendi, për të mos cenuar të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes, të parashikuara në nenet 22 dhe 23 të Kushtetuës.
Në lidhje me çështjen e masave joproporcionale administrative ndëshkuese që mund të aplikohen ndaj operatorëve mediatikë apo subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë fushë, është e nevojshme të evidentohet se, së fundmi Komisioni i Venecias bazuar në kërkesën e Komitetit të Monitorimit në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka dhënë Opinionin nr. 980/2020 për ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, duhet t’i referohen këtij dokumenti të vyer të Komisionit të Venecias edhe në këtë rast, me qëllim që referuar rekomandimeve dhe vlerësimeve që parashtrohen aty, të rishikojë dhe përmirësojë edhe një herë aktin normativ lidhur me masat ndëshkuese administrative, që ato të jenë në një nivel të pranueshëm me realitetin shqiptar dhe proporcional me gjendjen që ka diktuar marrjen e atyre masave.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë!
Për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllimin që,
vendimmarrjet e natyrës rregullatore të propozuara të jenë në të njëjtën frymë solidariteti dhe ndihmese konkrete në kohët e vështira për shtetasit dhe ekonominë vendase; por njëkohësisht duke qenë i bindur se detyrimet sociale që mbart shteti për t’u ardhur në ndihmë të gjitha shtresave të popullsisë, por edhe subjekteve ekonomike, do të vlerësohen nga qeveria dhe ligjvënësi në formën e duhur; si dhe çdo masë kufizuese apo sanksion që vendoset në këtë periudhë pandemia, duhet të mos cenojë të drejtat dhe liritë kushtetutese,
në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85 pika 1 të saj, kam vendosur, kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 73/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 20, datë 20.5.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19’, të ndryshuar”.