KPK shkarkon nga detyra Shpresa Beçajn, ish-kryetare e Gjykatës së Lartë

KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren Shpresa Beçaj, ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë, e cila ishte gjyqtare në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Vendimi u dha sot nga KPK, e cila përbëhej nga Roland Ilia, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Në seancën e fundit, zhvilluar me 1 korrik, relatori Hamitaj tha se KPK nuk kishte mundur të administronte dosjet me deklaratat përkatëse të Beçaj nga institucionet ndihmëse, ILDKPKI, DSIK dhe KLD dhe pas verifikimit kishte rezultuar se ajo nuk i kishte dorëzuar as brenda afateve ligjore dhe as më vonë deklaratën e pasurisë, atë të pastërtisë së figurës dhe vlerësimin profesional.

“Gjyqtarja e Apelit Tiranë, Shpresa Beçaj nuk kishte përmbushur detyrimin ligjor që rrjedh nga dispozita e parashikuar në nenin 31 të ligjit nr.84/2016 “Për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Rebublikën e Shqipërisë,” tha Hamitaj.

Sipas tij, Beçaj nuk shfrytëzoi as të drejtën e parashikuar në pikën 3 të nenit, përmes së cilës u jepet mundësia edhe ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve ligjorë që t’i drejtohen me kërkesë Komisionit brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Relatori shtoi se KLGJ sqaronte në dokumentacionin e dërguar se në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit, Beçaj nuk ishte gjyqtare në detyrë. Vetë Beçaj i kishte sqaruar KPK-së se e konsideronte veten gjyqtare, pasi nuk kishte asnjë akt për heqjen e statusit të magjistratit gjatë kohës që ajo nuk ishte emëruar ende.

Pas përfundimit të mandatit në Gjykatë të Lartë në vitin 2013, Shpresa Beçaj udhëhoqi një betejë ligjore kundër Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit dhe e fitoi atë. Megjithatë, vendimi për emërimin e saj në Apel u ekzekutua në vitin 2018.

Në korrespondencën në Komisionin, Beçaj ka pretenduar se kishte shkuar të dorëzonte formularët në ILDKPKI, por nuk ia kishin pranuar pasi nuk gjendej në listën e gjyqtarëve. Ajo ka shtuar se në këto kushte kishte nisur të ushtronte profesionin e avokatit dhe se nuk ka qenë gjyqtare në detyrë.

Ajo pretendoi gjithashtu se me emërimin e saj në detyrë kishin përfunduar afatet e dorëzimit të formularëve të deklarimit.

Pretendimet e Beçajt nuk e kanë bindur Komisionin, i cili konstatoi se ajo nuk i kishte ushtruar të drejtat e saj në rrugë alternative, për t’iu nënshtruar vetingut me kërkesë.

“Duket se znj. Shpresa Beçaj nuk ka pasur ndonjë shkak justifikues apo arsye madhore që të mos iu mundësonin përmbushjen e detyrimeve ligjore apo ushtrimin e të drejtave,” pohoi Hamitaj.

LEXO EDHE  Njerëzit po vdesin në Kakavijë, Edi Rama bën propagandë në Instagram

“Mosparaqitja e deklaratave apo e kërkesave, sipas përcaktimeve ligjore shkakton humbjen e cilësisë apo statusit të subjektit të rivlerësimit dhe passjell pamundësimin e Komisionit për kryerjen e procesit të rivlerësimit për këtë subjekt, me pasojat që rrjedhin nga dispozitat kushtetuese të parashikuara në nenet: D, pika 5; Dh, pika 4 dhe E, pika 5 të Aneksit të Kushtetutës”, tha Hamitaj.

Në pikën 5 të gërmës D të Aneksit të Kushtetutës parashikohet se nëse subjekti i rivlerësimit nuk e dorëzon deklaratën e pasurisë në kohë sipas ligjit, ai shkarkohet nga detyra.

Avokati i subjektit, Julian Mërtiri përsëriti para Komisionit situatën unike të klientes së tij, ndërsa shtoi se situata nuk ishte krijuar për shkakun e saj.

Mërtiri sqaroi se pas largimit nga Gjykata e Lartë, Beçaj ka dorëzuar pranë ILDKPKI “deklaratën e interesave private, pas largimit nga funksioni” dhe se në tetor 2013 ka paraqitur ish-KLD-së, kërkesë për t’u emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë.

“Pavarësisht kësaj kërkese, KLD në mënyrë arbitrare ka refuzuar ta marrë atë në shqyrtim për afro 5 vjet, duke mos zbatuar detyrimin që ligji i ngarkonte,” tha Mërtiri dhe shtoi se në këto kushte Beçaj i është drejtuar Gjykatës Administrative me padi, duke kërkuar rehabilitimin e statusit të gjyqtarit në karrierë dhe shpërblim dëmi.

Sipas Mërtirit, Shkalla e Parë e Gjykatës Adminsirtative Tiranë kishte vendosur detyrimin e ish-KLD-së për shqyrtimin e kërkesës së Beçajt për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa Apeli Administrativ ka urdhëruar detyrimin e nxjerrjes së aktit të emërimit. Të dyja gjykatat kanë vendosur edhe shpërblimin e dëmit si pasojë e mosmarrjes në shqyrtim të kërkesës së Beçajt.

Ai shtoi se menjëherë pas emërimit në Gjykatën e Apelit Tiranë në qershor të 2018-ës, Beçaj ka dorëzuar pranë ILKDPKI deklaratën e Interesave Private “para fillimit të detyrës”.

Mërtiri shpjegoi se në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut, në tetor të vitit 2016, Beçaj nuk kishte ende një vendim përfundimtar nga gjykata për rikthimin e saj në Apel.

“Rezulton qartë se zonja Shpresa Beçaj nuk ka pasur statusin e gjyqtarit në detyrë. Është fakt dhe provohet se pas mbarimit të mandatit si anëtare e Gjykatës së Lartë dhe pas përfundimit të pagesës kalimtare prej 3 vitesh, znja Beçaj u detyrua të ushtronte detyrën e Avokatit, për të siguruar të ardhura,” tha Mërtiri, duke sqaruar se e përfaqësuara prej tij ishte regjistruar si person juridik më datë 30 qershor 2016.