Koronavirusi nuk është zhdukur dhe vala e dytë e tij do të ndodhë në vjeshtë ose dimër, thotë doktor Tobias Welte, nga Qendra gjermane për Sëmundjet Infektive. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se faktorë të mëdhenj rreziku janë ajri i ftohtë dhe lagështia e ulët.
Welte thotë se distanca fizike dhe maskat e fytyrës janë ndër masa më të rëndësishme mbrojtëse.
Welte, që është edhe pjesëtar i task-forcës gjermane për luftimin e koronavirusit, thotë se rritja e numrit të rasteve në Kosovë, ditëve të fundit, lidhet me kulturën e jetesës.
Radio Evropa e Lirë: Doktor Welte, a mund të na shpjegoni fillimisht se çfarë është vala e dytë e koronavirusit dhe a po ndodh një e tillë tashmë? Shohim rritje të numrit të rasteve në disa vende.
Tobias Welte: Mendoj se dallon nga vendi në vend. Janë disa vende ku po ndodh vala e dytë. Për shembull, në Iran ka rritje ditore të rasteve, pasi numri i tyre ka rënë. Atje tani është vala e dytë. Shkaku mund të jetë fetar. Gjatë Muajit të Ramazanit, numri i rasteve ka rënë, por më pas, pas takimeve të shumta të njerëzve, ai prapë është rritur. Në vende të tjera, si Gjermania, nuk ka rritje në nivel vendi, por ka vatra. Një nga këto vatra janë fabrikat e mishit. Problemi i këtyre vatrave është se ato bartin disa faktorë rreziku. Në fabrikat e mishit, për shembull, mbizotëron ajër i ftohtë dhe i thatë; njerëzit punojnë afër njëri-tjetrit dhe distanca nuk respektohet.
Po ashtu shumica e punëtorëve vijnë nga Evropa Jugore dhe Lindore dhe kushtet në të cilat jetojnë janë larg të qenët të përsosura. Këta faktorë, pra, ju bëjnë më të cenueshëm ndaj koronavirusit. Ajo që mund të mësojmë nga këto lloje shpërthimesh është se virusi është ende këtu, është ende infektues. Dhe, nëse i jepni shans atij, do të ketë infektim. Tani jemi në kohë të verës, por nëse ajri i ftohtë luan rol, ka shumë gjasa që do të shohim valën e dytë në vjeshtë ose në dimër.
Radio Evropa e Lirë: A do të ketë valë të dytë në secilin vend që ka pasur raste me koronavirus, apo kjo është një gjë që varet nga strategjia që ato ndjekin?
Tobias Welte: Virusi nuk është zhdukur në asnjë vend evropian. Ne jetojmë në një botë globale. Nëse udhëtimet lejohen dhe kufijtë hapen sërish, virusi do të përhapet prapë nga vendi në vend. Andaj, do të thosha po, do të ketë valë të dytë në vjeshtë. Intensiteti i valës së dytë është ende i paqartë.
Radio Evropa e Lirë: A mund të parandalohet vala e dytë?
Tobias Welte: Druaj se jo. Nuk do të ketë vaksinë deri në mes të vitit të ardhshëm, nëse jemi me fat. Pra, gjasat për një vaksinë nuk janë aq të mëdha dhe nuk do të ketë trajtim efektiv. E vetmja gjë që duhet të bëjmë, edhe kur rihapim ekonominë, është t’i ruajmë disa masa parandaluese. Dhe, më e rëndësishmja është distanca.
Radio Evropa e Lirë: A mund të jetë vala e dytë më e keqe se e para?
Tobias Welte: Mendoj se vala e dytë nuk do të jetë më e keqe, por ka mundësi që të mblidhen disa probleme bashkë. Mund të ndodhin koronavirusi dhe influenza në të njëjtën kohë. Andaj, duhet të merren vaksinat kundër gripit, kundër pneumonisë bakteriale, për të zvogëluar rrezikun që disa infeksione të vijnë në të njëjtën kohë.
Radio Evropa e Lirë: Vala e dytë lidhet shpesh me vjeshtën, siç e thatë edhe ju. A e bën moti i ftohtë më keq situatën, apo pse?
Tobias Welte: Moti i ftohtë dhe lagështia e ulët janë faktorë rreziku. Tjetër faktor rreziku është të qenët në ambiente të mbyllura, ku aerosoli [v.j. përzierja e grimcave të ngurta ose pikave të lëngshme në ajër] dhe koha e mbijetesës së aerosolit është më e lartë sesa jashtë. Pra, nëse jeni në dhoma të mbyllura, nëse ajri është më i ftohtë dhe më i thatë, rreziku rritet.
Radio Evropa e Lirë: Si të luftohet vala e dytë? Sërish me izolim?
Tobias Welte: Nuk mendoj se do të ketë sërish izolim total. Asnjë prej vendeve, as ato të pasurat si Gjermania apo Austria, nuk do të jenë në gjendje të izolohen sërish, për shkak të ekonomisë. Mund se do të ketë izolime të pjesshme, rajonale, por jo totale. Ajo që po përpiqemi të bëjmë tani është të kuptojmë se kush e përhap më shumë koronavirusin. Për momentin, duket se nuk janë fëmijët, andaj nuk ka kuptim që të mbyllen çerdhet ose shkollat. Por, të moshuarit janë më të rrezikuar dhe të moshuarit me sëmundje shoqëruese kanë më shumë rrezik të vdesin. Andaj, na duhen masa speciale për kategori speciale të popullsisë.
Radio Evropa e Lirë: A mund të na jepni më shumë detaje, cilat janë këto masa speciale?
Tobias Welte: Kufizimet e kontakteve, sidomos në shtëpitë e kujdesit. Mendoj se distanca është shumë e rëndësishme. Unë po ashtu u besoj maskave që mbulojnë gojën dhe hundën. Edhe nëse nuk na pëlqejnë, ne duhet të jetojmë me to.
Radio Evropa e Lirë: A mund të ketë më shumë se dy valë të koronavirusit?
Tobias Welte: Problemi i këtyre viruseve është se ne kurrë nuk dimë se çfarë do të ndodhë. Nëse ka mutacion të virusit, ndryshim në virulencë, ndryshim në transmetim, është e paqartë. Nëse shohim disa epidemi gripi – ku e kemi përvojën më të madhe – ato kanë qenë me ne për një, dy, tre vjet. Për shembull, gripi i derrave ka qenë tre vjet pandemik dhe pastaj është zhdukur. Një shpresë është se kjo do të ndodhë edhe me koronavirusin tani, se do të zhduket në një kohë, ose krijon mutacion dhe bëhet më pak i rrezikshëm, duke shkaktuar norma më të ulëta të vdekshmërisë, apo bëhet një virus më i përshtatshëm për sistemin njerëzor.
Rritja e rasteve në Kosovë lidhet me kulturën e jetës
Radio Evropa e Lirë: Do të kaloj në Kosovë. Disa ditë kemi pasur deri në 35 për qind raste pozitive në mesin e testeve të kryera. Si e komentoni këtë?
Tobias Welte: Nuk e kam dëgjuar këtë më herët. Kjo lidhet me kulturën e jetës suaj. Pra, nëse është kulturë familjare që njerëzit të qëndrojnë shumë pranë njëri-tjetrit, të puthen shumë, në të majtë, në të djathtë, të flasin me zë të lartë, atëherë rreziku rritet.
Radio Evropa e Lirë: Kosova tani nuk i teston kontaktet e para, por i këshillon të vetizolohen për 14 ditë. A është e rrezikshme kjo, marrë parasysh faktin se nëse dikush nuk e di se është i infektuar, ai mund ta përhapë infeksionin…
Tobias Welte: Kjo është e vërtetë. Ne veprojmë ndryshe në Gjermani. Ne i testojmë kontaktet e para. Kjo mendoj se është mënyra e duhur, sepse nëse ka një shpërthim, ju duhet t’i identifikoni personat në rrezik. Nëse doni të ndaloni një shpërthim, ju duhet t’i filloni ndërhyrjet shumë herët.
/REL/