Kur udhëheqësit e BE-së të zhvillojnë takimin virtual të premten, një dyshe e njohur do të jetë në qendër të vëmendjes.
COVID-19, i cili ka goditur rendë ekonominë e Evropës, i ka dhënë gjithashtu një hov të ri dy fuqive ekonomike, Francës dhe Gjermanisë dhe mund t’i japë një energji të re marrëdhënies së vakët mes udhëheqësve të këtyre dy vendeve.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kanë gjetur një mision të përbashkët në përgatitjen e një plani rimëkëmbjeje për bllokun me 27 anëtarë. Plani ka në qendër filozofinë buxhetore gjermane, që e vë në konflikt me shumë vende që nuk duan të bëjnë shpenzime.
Por nuk është e sigurtë nëse ky objektiv i ri do të hapë rrugën për nisma të tjera evropiane. Paketa stimuluese ndaj pandemisë prej 843 miliardë dollarësh për grante e kredi, e propozuar muajin e kaluar nga Komisioni Evropian, ende ndeshet me pengesa.
“Mendoj se kemi përpara një betejë të vështirë,” thotë Daniel Gros, drejtor i Qendrës CEPS për Studime mbi Politikat Evropiane me qendër në Bruksel. Por megjithë kundërshtimet, shton zoti Gros, vendet anëtare “do të duhet të bashkohen, kaq gjë është e qartë”.
Presidenca gjermane: Brexiti dhe Buxheti
Takimi i së premtes është një moment i rendësishëm për një numër arsyesh. Muajin e ardhshëm, fuqia më e madhe ekonomike e Evropës, Gjermania, do të marrë presidencën e radhës për gjashtë muaj, në një kohë kur do të zhvillohen edhe negociatat e vështira të Brexitit. Po në atë periudhë do të hapen edhe diskutimet për buxhetin e ardhshëm shtatë vjeçar për periudhën deri në 2027.
Diskutimet zhvillohen ndërkohë që Angela Merkel, udhëheqësja e BE-së që ka qëndruar më gjatë në post, përgatitet të largohet nga detyra vitin e ardhshëm.
Tara Varma, kryesuese e zyrës së Parisit për Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, beson se zonja Merkel tani është e përqëndruar tek e ardhmja:
“Ajo e di që ka një rol shumë të madh dhe kritik,” thotë zonja Varma, veçanërisht për të ndërtuar sovranitetin shëndetësor të bllokut, pasi pandemia zbuloi varësi të dukshme tek importet nga Kina dhe India. “Ajo e ka të qartë nevojën që BE-ja të jetë në gjendje të mbrojë veten dhe qytetarët e saj”.
Por detyra e parë të premten do të jetë arritja e një konsensusi për fondet.
“Grupi i njohur si “Katër Kursimtarët” e Evropës, që përfshin Suedinë, Holandën, Danimarkën dhe Austrinë kanë theksuar shqetësimet e tyre për planin e rimëkëmbjes pas COVID-19, i cili ka në shenjestër kryesisht vendet më të varfra jugore të bllokut.
“Si mund të jemi përgjegjës për shpenzimin e 562 miliardë dollarëve dhe t’ia faturojmë shpenzimet të ardhmes,” shkruanin ata në një letër të botuar këtë javë në gazetën Financial Times, duke nënvizuar se taksapaguesit evropianë do të jenë ata që e mbajnë barren mbi supe.
Të katër këto vende kanë propozuar kredi që duhet të paguhen më vonë nga vendet që i marrin dhe jo grante që nuk duhet të paguhen.
Gjermania ka qenë një ndër vendet që ka ngritur shqetësime të ngjashme për paketa stimuluese në të kaluarën. Por muajin e kaluar, Kancelarja Merkel bashkoi zërin me Presidentin francez Macron duke propozuar një paketë stimuluese prej 562 miliardë dollarësh për rimëkëmbje pas koronavirusit, e përfshirë në propozimin e përgjithshëm të komisionit.
Ndërsa bëri njoftimin muajin e shkuar, Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, ish-ministre e mbrojtjes në kabinetin e Kancelares Merkel, e quajti planin “momenti i Evropës”, që do të bëjë që blloku ta marrë veten nga pandemia së bashku.
Gjatë një vizite në Gjermani në fillim të muajit, Ministri francez i Ekonomisë Bruno Le Maire ofroi një pikëpamje më të gjerë.
“Po shohim një pikë kthese në marrëdhëniet franko-gjermane”, tha zoti Le Maire për gazetën ‘Der Spiegel’, ndërsa përmendi edhe fusha të tjera lidhur me mundësinë për nisma të tjera të përbashkëta, përfshirë projekte industriale. Analistja Varma gjithashtu shpreson për një riangazhim.
“Në fillm të marrëdhënieve, pati pritshmëri nga të dy palët që nuk u përmbushën,” tha zonja Varma për duke patur parasysh Kancelaren Merkel dhe Presidentin Macron i cili erdhi në pushtet në vitin 2017. Zoti Macron pati ide të mëdha për Evropën ndërsa zonja Merkel u dobësua nga një koalicion i përçarë.
“Zoti Macron priste bashkëpunim më të madh nga Kancelarja Merkel që të ndërtonin mbi këtë energji franko-gjermane,” shtoi zonja Varma. “Pala gjermane kishte pritshmëri të tjera”.
Mospajtimet e vjetra
Berlini nuk ka të njëjtat pikpamje si zoti Macron për integrim më të ngushtë fiskal dhe të mbrojtjes. Por këtë javë, rrjeti televiziv Bloomberg njoftoi se të dy vendet po kërkojnë lidhje më të forta të mbrojtjes evropiane.
Këto përpjekje vijnë ndërsa Presidenti Donald Trump konfirmoi planet për tërheqjen e 9,500 trupave amerikane nga Gjermania, të cilën e ka kritikuar për dështimin për të shpenzuar sa duhet për mbrojtjen.
“Gjermania mbështetej tek Shtetet e Bashkuara dhe marrëdhëniet transatlantike për çështjet e sigurisë”, tha Varma. “Mendoj se po shohim një ndryshim edhe në këtë pikë”.
“Gjermania tani po arrin të kuptojë se Bashkimit Evropian do t’i duhet të mbrojë jo vetëm interesat ekonomike por edhe interesat e sigurisë, që përputhet me pozicion që ka mbajtur Franca prej kohësh,” tha ajo.
Por analistë të tjerë besojnë se uniteti aktual lidhur me paketën e shpërtimit ndaj COVID-19, mund të ndodhë vetëm një herë.
“Macron është i preokupuar nga shqetësimet e brendshme”, tha Gros me qendrën për politika CEPS. “Dhe Merkel e di se nuk do të ketë mbështetje të pafund brenda vendit për nismat evropiane”.
John Springford, zv/drejtor i Qendrës për Reforma Evropiane me seli në Londër, po ashtu është skeptik.
“Ka një përshtypje se ajo është pranë fundit të mandatit të saj dhe dëshiron të lërë si trashëgimi imazhin e një kancelareje që e ka bërë Evropën më të fortë”, tha zoti Springford për zonjën Merkel.
“Për momentin shohim një lloj martese e lumtur interesash tani mes saj dhe zotit Macron,” duke theksuar fondin e shpëtimit, “prandaj është realizuar diçka që është në vërtetë mjaft ambicioze”./VOA