Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë këtë të mërkurë Edlira Petrin, gjyqatre e Apelit të Tiranës.
Petri u përball të enjten më 11 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që kreu procesin e vetingut për Petrin përbëhej nga Roland Ilia kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Xhensila Pine anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Roessingh.
Seanca dëgjimore
Gjetjet e KPK-së gjatë seancës dëgjimore u fokusuan tek pasuritë e bashkëshortit të Petrit, Sokol Sadushi, i zgjedhur së fundmi anëtar i Gjykatës së Lartë.
Komisioni nuk identifikoi probleme në pasuritë e zotëruara 100% nga gjyqtarja Petri, konkretisht për një autoveturë tip Benz të blerë në vitin 2009 në vlerën 600 mijë lekë, depozitat bankare dhe llogaritë rrjedhëse në emër të saj. Relatorja Sanxhaktari tha gjithashtu se subjekti ka pasur burime të mjaftueshme për shkollimin e vajzës së saj në një institucion arsimor jo-publik.
Hetimi është shtrirë gjithashtu edhe mbi shtëpinë e prindërve të gjyqtares, e deklaruar prej saj si adresë banimi në vitet 2003-2009. Sipas relatores Sanxhaktari, ka mospërputhje në dëklarimin e një shtese prej 85m2, që sipas ALUIZNI-t ishte ndërtuar në vitin 2006.
Sanxhaktari tha se subjektit të rivlerësimit i është kaluar barra e provës lidhur me shtesën në apartamentit e prindërve dhe se Petri ka shpjeguar se nuk ka lidhje me këtë gjë pasi nuk i është marrë mendim nga prindërit. Ajo ka deklaruar se ka qenë e ndarë ligjërisht nga prindërit prej vitit 1997, por se ka vazhduar të jetojë së bashku me ta deri kur ka lidhur kurorë.
Hetimi i pasurive të Sadushit
Pas një karriere të gjatë në fushën e drejtësisë, Sokol Sadushi u zgjodh anëtar i Gjykatës së Lartë në mars 2020, pas një procesi verifikimi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Pasuritë e tij u bënë pjesë e hetimit edhe nga KPK, në kuadër të procesit të vetingut të bashklëshortes së tij, Edlira Petri.
Relatorja Sanxhaku tha se Komisioni kishte hetuar një apartament prej 99.5 m2 në Qerret të Kavajës, një apartament prej 186 m2 në Tiranë i përfituar përmes privatizimit, një shtesë prej 81 m2 e ndërtuar mbi këtë apartament si dhe një truall me sipërfaqe 285 m2 dhe 51 m2 ndërtesë në Vlorë, e përfituar nga trashëgimia e ish-bashkëshortes.
Lidhur me apartamentin në Qerret, i blerë në nëntor të vitit 2012 në vlerën 58 750 euro, Petri ka deklaruar para Komisionit se të gjithë veprimet ishin kryer prej bashkëshortit të saj para lidhjes së martesës. Ajo ka sqaruar se pavarësisht se figurojnë bashkëpronarë, të drejtat e pronësisë janë 100% të bashkëshortit të saj.
Si burim krijimi për këtë pasuri është deklaruar shitja e një apartamenti tjetër në vitin 2006 në vlerën 55 mijë euro. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se pagesa është kryer cash. KPK identifikon mospërputhje për marrjen e parave nga shitja e apartamentit në vitin 2006 dhe për dhënien e vlerës për blerjen e apartamentit 99.5 m2.
Sanxhaktari tha se Petri ka dhënë shpjegime për gjetjet e KPK dhe ka kërkuar që veprimet e bashkëshortit para martese të mos përfshihen në rivlerësimin e saj.
Në seancë u relatuan hetimet e kryera për disa pasuri të patundshme në pronësi të gjyqtarit Sadushi dhe dy fëmijëve të tij në Tiranë dhe në Vlorë. Për një apartament në Tiranë me sipërfaqe 186 m2 që Sadushi e kishte përfituar nëpërmjet privatizimit në vitin 1998 në vlerën 1.8 milionë lekë në bashkëpronësi me dy fëmijtë, Komisioni nuk identifikoi probleme.
Në seancë dëgjimore u evidentua një apartament tjetër 81.6 m2 me vlerë rreth 1.6 milionë lekë, shtesë mbi apartamentin 186 m2. Sipas KPK, shtesa është legalizuar në vitin 2012 dhe si burim krijimi i kësaj pasurie janë deklaruar të ardhurat familjare.
Gjyqtarja Petri ka thënë përpara KPK-së se apartamenti i përfituar nga bashkëshorti nëpërmjet privatizimit gjendej në katin e tretë dhe njëkohësisht të sipërm të ndërtesës. Tre pronarët e apartamenteve të kateve të treta kishin kryer shtesat dhe kishte mbetur vetëm pjesa e tarracës mbi apartamentin e Sadushit. Petri ka deklaruar para Komisionit se shtesa mbi tarracën e apartamentit në pronësi të bashkëshortit ishte kryer nga zotëruesi i apartamentit të katit të dytë në vitin 1010 dhe jo nga Sadushi.
“Sipas subjektit të rivlerësimit, shtesa ishte ndarë në dy pjesë dhe u fitua me negocim me personin që e ndërtoi,” tha ndër të tjera Sanxhakatari.
Ajo shtoi se Komisioni ka gjetur mospërputhje për shpenzimet për ndërtimin dhe arredimin e shtesës. “Subjekti ka dhënë shpjegime që do të vlerësohen para vendimarrjes përfundimtare”, pohoi relatorja.
Komisioni nuk ka gjetur probleme lidhur me një truall me sipërfaqe 285 m2 dhe 51 m2 ndërtesë në Vlorë që Sadushi dhe dy fëmijët e tij kanë përfituar nga trashëgimia e ish-bashkëshortes prej prindërve të saj. Në seancë u relatua se nga kontratat e sipërmarrjes të lidhura për ndërtime në këtë truall, Sadushi dhe dy fëmijët kanë përfituar pesë apartamente, një njësi shërbimi dhe një garazh, të cilat kanë rezultuar të rregullta për Komisionin.
Sanxhaktari tha se në analizën financiare nga viti 2003 deri në 2009-ën janë përfshirë vetëm deklarimet për pasuritë, të ardhurat dhe shpenzimet e gjyqtares Petri. Ndërsa nga viti 2010 e në vazhdim janë përfshirë gjithë anëtarët e familjes. Sipas Komisionit, nga analiza financiare ka rezultuar një balancë negative në vlerën 974 mijë lekë në total.
KPK nuk i ka konsideruar shpjegimet e Petrit se bashkëshorti kishte fituar të ardhura nga shitja e disa librave, pasi nuk ka rezultuar të jetë paguar tatim mbi fitimin. Sipas relatores, Petri ka dhënë deklarime për të ardhura të tjera që do të vlerësohen para marrjes së vlerësimit përfundimtar.
Vlerësimi i profesionalizmit
Gjyqtarja Edlira Petri u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figures, ndërsa u identifikuan raste të vonesave në zbardhjen e vendimeve. Gjithashtu, vlerësime pozitive u relatuan edhe në mënyrën e parimeve të së drejtës dhe zbatimin e Ligjit.
Relatorja identifikoi vonesa në arsyetimin e disa vendimeve. Sipas saj, bazuar në raportimin periodik të kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë për vonesat e arsyetimeve të 5 vendimeve të vitit 2016, është nisur një hetim disiplinor. Sanxhaktari tha se është konkluduar që vonesat kanë ardhur si pasojë e ngarkesave në punë, faktit që Petri ka qenë edhe pjesë e Kolegjit Zgjedhor dhe se për një periudhë ka qenë me leje.
“Subjekti ka dhënë shpjegime për vonesat të cilat do të vlerësohen nga Komisioni para marrjes së vendimit përfundimtar,” pohoi Sanxhaktari. Për 11 denoncimet, 10 pranë KPK dhe 1 në ONM nuk u evidentuan probleme gjatë seancës dëgjimore.
Gjyqtarja Edlira Petri falënderoi Komisionin për procesin e rivlerësimit të realizuar ndaj saj. “Procesi nuk ishte i lehtë, por është i domosdoshëm,” tha ajo, duke shtuar se ishte e hapur për pyetje.
Anëtarja e Komisionit, Xhensila Pine e pyeti lidhur me një gjendje cash në vitin 2014, se ku ndodhej fizikisht kjo vlerë. Petri sqaroi se në vitet e para kishte konfuzion në mënyrën e deklarimit të gjendjes cash dhe se kishte zgjedhur të pasqyronte vlerën që mbetej në fund të vitit.
“Nga viti 2007 vendosa të mos mbaja më gjendje cash se mund të gaboja. Bashkëshorti kur ka pasur gjendje cash e ka deklaruar. Gjendja cash e deklaruar nga bashkëshorti në vitin 2014 ishte në shtëpi”, pohoi ajo.
Gjyqtarja Petri vlerësoi procesin e vetingut, ndërsa shprehu ndjeshmëri për peshën e të qënit pjesë e një trupe gjyqtarësh që nuk arriti të fitojë besimin e publikut. Duke e konsideruar çlirim përfundimin e procesit për të, Petri kërkoi konfirmimin e saj në detyrë.