“Dëshira dhe hezitimi për kohën e botimit të këtij libri kanë jetuar brenda meje për një kohë jo të shkurtër. Motivin e botimit e kisha të qartë: një përshkrim realist dhe me fokus pozitiv të rrugëtimit jo vetëm personal”.
Kështu e nis rrëfimin e tij një nga emrat më në zë në fushën e ekonomisë dhe financave, ish-ministër Financash në kohëra shumë të vështira, pedagogu dhe politikani Arben Malaj. Me një karrierë të mbushur plot ngjarje, emocione të forta, përplasje politike e profesionale, Malaj ka vendosur të ‘rrëfehet’ në librin “Rrugëtimi”.
Kur mbyllet një derë, një portë hapet”, i cili së shpejti do të qarkullojë në librari nga shtëpia botuese “Mediaprint”. I shkruar nga një dëshmitar i dorës së parë, ky libër merr edhe një vlerë dokumentare. Ai sjell për publikun aspekte të jetës së tij profesionale, skema dhe vendime të marra në momente të vështira, të cilat fare mirë mund të jenë objekt studimi dhe analizash, nga ana tjetër ai rrëfen për ngjarje që kanë shënjuar jo vetëm historinë e Partisë Socialiste, por të të gjithë tranzicionit shqiptar.
Burgosja e ish-Kryeministrit Fatos Nano, rënia e firmave piramidale, përplasjet brenda Partisë Socialiste, njohjet dhe marrëdhëniet me figurat kryesore të kësaj partie, janë disa nga momentet, te të cilat ndalet Malaj në librin e tij.
Edhe pse çdo faqe ngjall interes për lexuesin, po ndalemi te njohja e tij me ish-liderin e PS-së, Fatos Nano, që do t’i hapte udhë edhe jetës së tij politike. Vizita në Burgun e Bënçës, bisedat me të, krijimi i një “Qeverie hije” dhe zgjedhja e tij si ministër Financash, kë kishte pro e kundër…
PJESË NGA LIBRI
Duke mos iu larguar politikës, le të mbetemi te detajet. Cila ka qenë njohja juaj me Fatos Nanon? E mbani mend takimin e parë?
E njihja shumë pak Nanon gjatë viteve të universitetit dhe, të jem i sinqertë, kanë qenë takime spontane. Nano nuk më kishte dhënë mësim, por të gjithë ne studentët kishim admirim për Nanon dhe Pashkon, për njohuritë e tyre të avancuara, ndoshta nga asimetria e informacionit, për të rejat në mendimin ekonomik dhe modelet e reformave, pasi ata kishin akses në literaturë në gjuhë të huaj edhe nga profesorët dhe studiuesit më të mirë në botë. Të dy dallonin nga pjesa më e madhe e profesorëve, të cilët bënin kujdes të mos shkelnin vijat ideologjike dhe krijonin një distancë formale me studentët. Ishin mendjehapur, ishin të këndshëm në shpjegime dhe në marrëdhëniet pas mësimit eliminonin distancat formale dhe krijonin afrimitet. E kisha takuar Nanon vetëm një herë në burg. Ishte takimi i parë, ku diskutuam edhe për ekonominë. Ndonjë perceptim pozitiv te Nano mund të ketë krijuar një artikull që unë shkrova te gazeta “Zëri i Popullit”, kur Nano u arrestua, duke bërë një oponencë profesionale pse ishte i pafajshëm dhe ku ofroja gatishmërinë për ta mbrojtur me ekspertizë profesionale deri edhe në gjyq. Ndoshta Nano kishte dëgjuar për studentët më të mirë të atij viti, ku përfshiheshim disa kolegë si: Kristaq Luniku, Mimi Vata, Drini Salko, Niko Lera, Marjan Gjermeni, Bashkim Fino, Fiqiri Baholli etj.
Takimi juaj i parë me Fatos Nanon në burg duket se ka qenë një ogur i mirë… Ndoshta. Por më tepër se këtë takim, unë do të vlerësoja përpjekjen, pse jo, edhe largpamësinë e Nanos, i cili, për të përgatitur ardhjen e PS-së në pushtet, inicioi edhe aplikimin e modelit të laburistëve anglezë, duke propozuar ndërtimin e qeverisë hije. Në Britaninë e Madhe, qysh ditën e parë të humbjes së zgjedhjeve, opozita krijon qeverinë hije.
Ky model bën të mundur të caktohen ministrat hije përballë ministrave të maxhorancës. Kjo e bën opozitën më të përgjegjshme, krijon profilet publike, vlerësimin dhe kredibilitetin publik të ministrave të ardhshëm, të cilët nuk janë një zgjedhje e minutave të fundit dhe aq më pak një përzgjedhje spontane apo thjesht mbi bazën e preferencës individuale të Kryeministrit.
Bazuar në këtë model, Nano propozoi kryetarët e komisioneve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, një strukturë e qeverisë, të cilët, nënkuptohej, se do të ishin ministrat në hije të qeverisë së ardhshme socialiste. Propozimi i Nanos që unë të isha ministri hije i Financave ishte i papritur edhe për mua.
Edhe pse kisha njëmbëdhjetë vite eksperience profesionale, 6 vite në bankë, 4 vite me projekte të BE-së, disa vite mësimdhënie, përsëri vlerësoja se profili im publik nuk ishte në formatin e statusit të një ministri. Unë vazhdoja ëndrrën për t’u bërë profesor. Këtu gjej rastin të falënderoj nga zemra dhe t’i rishpreh mirënjohjen ish-profesorit tim, Kadri Zhulali, i cili në janar të vitit 1993, ishte dekan i Fakultetit të Ekonomisë. Ai ishte vëllai i ish-ministrit të Mbrojtjes së PD-së, Satet Zhulali, ndërsa unë një përfaqësues i PS-së, që pak muaj më parë konkurrova për kryetar të Bashkisë së Vlorës.
Nga ai takim ndjeva se sa fisnike janë marrëdhëniet mësues dhe profesorë me nxënësit apo studentët e tyre. Profesor Kadriu më kishte dhënë leksionet e statistikës. Më priti ngrohtë dhe më aprovoi menjëherë mundësinë për të dhënë mësim në Departamentin e Kontabilitetit. Për të qenë korrekt, me frikën se mos i bëhej ndonjë sulm me letra anonime apo në ndonjë gazetë, për të mos vënë në vështirësi profesorin tim të nderuar, duke dalë nga zyra, buzëqeshur, i thashë:
“Profesor, unë jam me biografi të keqe dhe nuk dua t’ju vë në vështirësi”.
Ai vuri buzën në gaz dhe më tha: “Arben, të njoh personalisht, fillo mësimdhënien dhe mos u shqetëso për të tjerat”. Jam takuar edhe më vonë me profesor Kadriun. Mirënjohja ime është bërë më e thellë për inspirimin dhe shpresën në atë periudhë të vështirë. Lidhur me propozimin e Nanos, vlerësoja gjithashtu se kishte kolegë të tjerë, ish-profesorë të mi, që e meritonin përpara meje.
Por, kurrë nuk mund ta besoja atë që ndodhi atë ditë në Komitetin Drejtues të PS-së, kur u përmend emri im si kryetar i Komisionit të Ekonomisë apo ministri hije i Financave. Fillova të dëgjoja zëra: “Nga doli ky?!”.
Ktheva kokën. Shikoja ndonjë personalitet të PS-së, deri edhe ndonjë prej ish-profesorëve të mi, që nxisnin socialistë të thjeshtë të kundërshtonin. Fatmirësisht, mbledhjen e drejtonte profesor Servet Pëllumbi, një nga personalitet e spikatura të PS-së, ish-profesori im në universitet, me të cilin kisha dhënë dy provime në fakultet dhe një provim pasuniversitar, menjëherë sapo mbarova fakultetin, në plotësim të procedurave për doktoratë. Në të tri provimet isha vlerësuar me notën 10. Profesor Pëllumbi më respektonte në çdo rast që takoheshim.
Unë i jam mirënjohës për dashamirësinë, me të cilën më inspironte dhe mbështeste në çdo hap të karrierës sime profesionale dhe politike. Në atë sallë ishte edhe Ermelinda Meksi, e cila qysh në vitin 1982 më kishte dhënë statistikë dhe kisha marrë dy herë notën 10. Ishte Anastas Angjeli, me të cilin kisha dhënë disa provime dhe isha vlerësuar me dhjetë.
Prita që të paktën ndonjë prej tyre të thoshte ndonjë fjalë pozitive, që ndonjëri prej dy profesorëve të ndalte dhe jo të nxiste reagim kundër meje. Në kohën që gumëzhima e pëshpëritjeve po bëhej gjithnjë e më e bezdisshme, kërkova fjalën dhe qartësova që nuk e dija arsyen pse Nano më kishte zgjedhur mua.
U kujtova se në vitin ’92, edhe pse drejtor banke, konkurrova për PS-në e Vlorës. Mbi të gjitha, përmenda: “Të tre profesorët e mi që janë në këtë sallë, më kanë vlerësuar përherë me notën 10, edhe pse asnjëri prej tyre dhe as unë nuk e dinim në vitin 1982 se një ditë do të ishim bashkë si socialistë”.
Në fund deklarova se tërhiqesha nga ai mandat dhe propozova një koleg tjetër. Pas asaj ndërhyrjeje ra heshtja e u ndalën pëshpërimat. Salla e priti pozitivisht reagimin tim dhe mbështetja e tyre mbeti e përhershme edhe në vitet në vazhdim. E vërteta është se në vitin 1997, u mandatova ministri i parë i Financave i qeverisë së socialistëve pas rënies së komunizmit, mandat i cili më lejoi t’i shërbeja me profesionalizëm të thellë, përkushtim të veçantë dhe mirënjohje të përhershme e të pakushtëzuar njerëzve të mrekullueshëm të vendit tim. Situata sociale dhe politike po rëndohej përditë e më shumë. Në Tiranë u krijua forumi për demokracinë, që bashkoi personalitete publike dhe të përkushtuara kundër maxhorancës, e cila po bëhej përditë më radikale e brutale me popullin e saj. Pak ditë më vonë, ndodhi vrasja e protestuesit Artur Rustemi në Vlorë.
Së bashku me prof. Sabit Brokajn, Arta Daden dhe Namik Doklen u nisëm nga Tirana. Policia dhe shërbimet sekrete na ndiqnin nga pas. Në hyrje, tek Ura e Mbrostarit, ishte ngritur një postbllok Policie, i cili na ndali dhe ndaloi udhëtimin për në Vlorë të prof. Sabitit. Na zbritën edhe ne të tjerëve, por nuk na kthyen pas. E kuptuam se nuk do të na lejonin të mbërrinim në Vlorë. Ikëm në këmbë dhe dolëm në anë të rrugës për të ndjekur drejtimin Fier-Tepelenë. Solidariteti, dashuria dhe kujdesi i njerëzve të thjeshtë ishte maksimal. Hipëm në autobusë të rastësishëm deri në Poçem.
Ishte rrugë e vështirë dhe me shumë kontrolle. Protestat në Vlorë ishin bërë kërcënuese për PD – në dhe qeverinë e saj. Në Poçem, në anë të rrugës Fier-Tepelenë, kishin dalë makinat e PS-së. Me to shkuam deri tek Ura e Poçemit. Aty na bllokuan, na zbritën nga makinat dhe nuk na lejonin të shkonim më tutje. Më vonë kalimi në Lumin e Vlorës u bë me makinat e PS-së.
Ishin disa xhipa “Land Rover” të rinj dhe për terren malor, makina që PS-ja i kishte marrë dhuratë nga Bettino Craxi, ish–Kryeministri italian i atyre viteve, të cilit PS-ja i dha teserën me numër tre. Karriera e tij e suksesshme dështoi për shkak të akuzave për korrupsion. Craxi u arratis nga Italia për të mos u arrestuar dhe u vendos në Tunizi. derisa vdiq. Në shenjë proteste për sulmet politike dhe mosmirënjohjen, la amanet të mos e kthenin në Itali as të vdekur, nëse Parlamenti italian nuk do t’i jepte pafajësinë.
Kërkoi të varrosej në Tunizi, në një varr që të shikonte nga Italia. Këmbëngulja ime për të kaluar në këmbë urën, kërcënimi i policit që mburrej se ishte ballist dhe do të qëllonte në qoftë se nuk ndaloja, nuk më ndali. Duke ecur pa e kthyer kokën pas, dëgjoja Artën që, me zë imponues, i kërkonte të mos e pengonte për t’u bashkuar me mua, duke deklaruar: “Ai është bashkëshorti im”.
Do doja të ndaleshim pak më tepër te vizita që i bëtë Fatos Nanos në burg. Duket që kjo vizitë ka qenë përcaktuese për raportin e ngushtë që ju do të kishit më pas në qeverinë Nano..?
Vizita te Nano në burg nuk ishte asnjëherë e lehtë. E para, çdo mundësi ligjore ishte vetëm për familjen e tij dhe nuk mund të përdorej për asnjë prej kolegëve të PS-së, drejtuesve të lartë të PS-së, miqve apo dashamirësve të Nanos, të cilët ishin të shumtë, duke përfshirë këtu edhe shumë drejtues dhe simpatizantë nga rrethet.
Në këtë situatë, e vetmja mundësi ishte gjetja e ndonjë rruge miqësore, joligjore, e cila kushtëzohej shumë nga njohjet personale me administratorët e burgut. Mundësi që për disa mbetën deri pamundësi për takim me Nanon. Askush nuk ta garantonte takimin edhe kur e kishte premtuar. Ata brenda kishin shumë frikë mos zbuloheshin, pasi pasojat ishin të rënda. Ndërsa ata jashtë qëndronin në pritje edhe kur pritja zgjatej dhe në jo pak raste takimi i premtuar anulohej.
Në kushtet e pamundësive apo të mundësive të vështira dhe të rralla, kishte një radhë të gjatë kolegësh, të cilët meritonin ta takonin Nanon përpara meje edhe “fshehurazi”. Në radhë të parë, ishin drejtuesit e lartë të PS-së, të cilët nuk mund të komunikonin vetëm me letra, të cilat, Xhina, ish bashkëshortja e Nanos, i sillte në Tiranë dhe me vështirësi ua dorëzonte drejtuesve të PS-së. Fakti që Nano u burgos në Tepelenë, krijonte mundësi për takime të shkurtra, spontane dhe jo të lehta, pasi Bashkia e Tepelenës, spitali i Tepelenës dhe institucione të ndryshme, ku, për një arsye apo tjetrën, Nano mund të kishte nevojë, ishin të populluara nga socialistët. Mbi të gjitha, tepelenasit fisnikë kishin një respekt të veçantë për sakrificat e Nanos.
Ata e ndjenin si përgjegjësinë e tyre ruajtjen e Nanos nga çdo situatë e papritur në Burgun e Tepelenës. Duke përfituar nga disa njohje personale me pjesëtarë të administratës së Burgut të Bënçës, arrita të kisha një takim me Nanon. Dhoma e burgut ishte e vogël, me një kënd për gatime të çastit, me mundësi për disa libra, një radio dhe pajisje të thjeshta personale. Dhoma të krijonte idenë e një ambienti, ku mund të gjendeshe vetëm për të vuajtur.
Natyrisht, Nano nuk kishte si të ndryshonte nga natyra e tij dhe e theu shpejt akullin, duke e bërë tërheqës bashkëbisedimin edhe në kushtet ku ndodhej. Bisedat e tij kishin gjithnjë doza humori dhe në momente të ndryshme, nota cinizmi. Takimi ishte relativisht i shkurtër. Nuk kishte ardhur akoma momenti i kulmit të krizës së skemave piramidale. Biseda jonë u përqendrua më shumë në sfidat që do të kishte qeverisja e ardhshme e socialistëve.
Nano ishte i vetëdijshëm se do të duhej shumë përkushtim për ta ndryshuar ambientin politik, që ishte bërë shumë represiv. Socialistët, për reciprocitet, të mos ushtronin presion, duke menduar “siç na e bënë, do t’ua bëjmë”, sidomos me largimet nga puna me të famshmin ‘neni 24/1’, ku u pushuan nga puna mijëra punonjës të thjeshtë dhe të përkushtuar në administratën publike në çdo njësi të saj dhe kudo në Shqipëri.
Diskutimi u fokusua sidomos në reformat në ekonomi dhe financat publike, ku duhej të krijohej shpresë, punë dhe për mirëqenie. Reformat e nisura nga PD-ja, për shkak të dështimit të saj, ishin vonuar, ishin deformuar dhe disa kishin ngecur në vend. Nano kishte informacion dhe ndiqte nga afër reformat ekonomike në ish-vendet komuniste.
Më kujtohet se në fund të viteve ’80, një grup ekonomistësh, ku përfshiheshin Nano, Pashko, Pepa, Angjeli dhe disa kolegë të tjerë, me mbështetje të Ramiz Alisë, kishin bërë një tur studimor në vendet e Lindjes, për të parë nga afër modelet e tyre, përballë sfidave që ofroi rënia e Murit të Berlinit dhe shpërbërja e KNER-it. Prej KNER-it, Shqipëria kishte dalë në mes të viteve ’60, por vazhdonte të bënte tregti bilaterale me shumë prej këtyre vendeve, kryesisht mall me mall të quajtur barter. Prandaj, takimet me Nanon nuk ishin të lehta edhe kur mund të ishin spontane.
Nano gëzonte avantazhin e asimetrisë së informacionit dhe aftësinë e vet të analizës kritike, ku jo rrallë ua linte fjalinë në mes bashkëbiseduesve dhe u vinte në pah kontradiktat logjike të arsyetimit mbrojtës apo justifikues. Kjo konstatohej në mbledhje të rëndësishme të PS-së apo të qeverisë.
Ajo që mësova nga Nano në drejtimin e PS-së, ishte mënyra e krijimit të avantazhit në mbledhje, ku diskutohej për promovimin e kolegëve të ndryshëm. Që në fillim të mbledhjes, Nano bënte një parashtrim vizionar. Propozonte të vendoseshin parimet, kolonat kryesore të një strategjie të re, propozonte të përcaktoheshin dhe miratoheshin parimet, rregullat dhe kriteret për përzgjedhjen e të mandatuarve në strukturat drejtuese të PS-së, në qendër dhe në nivel vendor, në Parlament, qeveri dhe në institucionet kushtetuese.
Nano nuk vinte asnjëherë në kryesi me optimizmin dhe bindjen se asnjë kandidaturë e tij nuk do të ndryshohej nga kryesia. Pasi i kthente propozimet në parime, rregulla si dhe kritere të miratuara në kryesi apo KPD, hapte diskutimin për emrat konkretë. Ndodhte jo rrallë që persona të ndryshëm rrezikoheshin të përzgjidheshin sepse cenonin parimet, rregullat dhe kriteret e miratuara. Kishte raste kur krijoheshin debate pse të mos propozohej apo të zgjidhej njëri prej kolegëve. Përgjigjja e Nanos, pasi e kishte marrë miratimin e parimeve, rregullave dhe kritereve përzgjedhëse, ishte e thjeshtë dhe e pakundërshtueshme, sepse theksonte: “Ne, sapo i miratuam vetë ato dhe nuk mund t’i shkelim”.
Jo rrallë kolegët shikonin njëritjetrin në sy, për dilemën se mos Nano kur i propozoi ata, kishte parasysh edhe individët konkretë. Çdo dyshim, hezitim dhe pyetje nuk e ndryshonte dot situatën pa fleksibilitetin e Nanos, i cili pranonte të “toleronin” ndonjë koleg të “penalizuar” nga parimet, rregullat dhe kriteret e përzgjedhjeve për mandate të rëndësishme nga PS-ja .
Mësimi i dytë në politikë, që vazhdon kopjohet edhe nga Rama, ishte se sa herë që krijoheshin raporte të vështira në strukturat e vogla të PS-së, sidomos në sekretariat apo kryesi, Nano propozonte rritjen e numrit të anëtarëve të këtyre forumeve, ku zakonisht anëtarët e rinj ishin pro kryetarëve, duke dobësuar kështu influencën, jo vetëm numerike, të të pakënaqurve.
Nga eksperiencat në qeverisje me Nanon, e dobishme ishte taktika e tij që sa herë të ftonte për ndonjë takim jo të lehtë, ku parashikonte edhe debate të vështira, ai nuk të priste vetëm. Si rastësisht mund të gjendej në zyrë shefi i kabinetit, ndonjë këshilltar ose për raste më specifike apo më të vështira, ndonjë prej ministrave që ai e dinte se ti e respektoje.
Pra, krijonte këtë avantazh dhe pastaj e çelte diskutimin apo debatin. Nuk besoj se e bënte për të pasur dëshmitarë, nuk e bënte për të krijuar shumicë numerike, por për t’i detyruar kolegët e thirrur të mos e keqkuptonin thelbin e takimit.
/Panorama/