Rregullorja e re/ Hiqen tarifat për transferta deri në 20 mijë lekë, s´ka më komisione bankare

Për transferta deri në 20 mijë lekë nuk do të aplikohen tarifa. Banka e Shqipërisë ka marrë dje rregulloren e re për heqjen e komisioneve bankare për këto urdhërpagesash të iniciuara në rrugë elektronike.banka-Shqiperise

“Rregulloret miratojnë dhe heqjen e tarifave për bankat për urdhër transfertat e klientëve në lekë, të iniciuara në rrugë elektronike e që transmetohen në sistemet e pagesave AIPS dhe AECH me vlerë deri në 20.000 lekë.

Për këto lloj urdhërpagesash nuk duhet të aplikohen komisione bankare dhe për vlera mbi 20.000 lekë, komisionet bankare nuk duhet të jenë më të mëdha se 50% e komisioneve të aplikuara për pagesat e iniciuara në formë jo elektronike”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë, ku vihet në dukje po ashtu se nëpërmjet kësaj nisme synohet mbështetja e klientëve. Nga ana tjetër, ky vendim është edhe në kuadër të politikave të ndjekura nga BSH për reduktimin e parasë fizike në ekonomi.

“Ky ndryshim vjen si rezultat i një sërë analizash dhe studimesh, aktesh ligjore e strategjisë së hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe të diskutuara e miratuara së bashku me sistemin bankar nëpërmjet Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Ai synon mbështetjen e klientëve të bankave dhe minimizimin e kostove për ta, në linjë me objektivat e Bankës së Shqipërisë për reduktimin e parasë fizike në ekonomi”.

LEXO EDHE  12 rastet me COVID në Berat, infektohet punonjësja e qendrës së fëmijëve me aftësi ndryshe

Rregullorja e re “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH” dhe “Për funksionimin e sistemit të pagesave ndërbankare me vlerë të madhe – AIPS” u miratuan dje në mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës. Këto rregullore, sipas Bankës së Shqipërisë, janë një version i përmirësuar i rregulloreve ekzistuese për funksionimin e sistemit të shlyerjes së pagesave ndërbankare me vlerë të madhe dhe sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël, si rezultat i çështjeve të hasura në eksperiencën e Bankës së Shqipërisë gjatë operimit të këtyre sistemeve, plotësimeve më të fundit në kuadrin ligjor dhe rregullator të lidhur me aktivitete në fushën e pagesave, përputhshmërisë me parimet mbikëqyrëse, strategjisë kombëtare për pagesat me vlerë të vogël, si dhe nevojave për përshtatje e zhvillime të reja të pritura në tregun e pagesave.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi edhe Raportin e Mbikëqyrjes 2019, i cili trajton funksionet e mbikëqyrjes bankare, aktivitetet dhe veprimtaritë kryesore të Bankës së Shqipërisë në këtë fushë, si dhe detajon zhvillimet në kuadrin ligjor dhe rregullativ gjatë vitit 2019. Raporti analizon ecurinë e sistemit bankar dhe të treguesve të veçantë të tij, zhvillimet sasiore e cilësore të këtij sistemi në vend. /Panorama/