“SHBA do ndryshojë marrëveshjen PD-PS të 2008″/ Analisti: Nuk është reformë, por përmbysje

I ftuar në hapësirën e intervistës në RTV Ora me gazetaren Beti Njuma, analisti dhe drejtuesi i emisionit 360 gradë Artur Zheji, tha se SHBA do të ndryshojë marrëveshjen PD-PS të vitit 2008.

“Unë mendoj që duhet të kthehemi mbrapa në vitin 2008, ku ligji aktual zgjedhor u miratua nga dyshja PD-PS. Ka qenë një marrëveshje Berisha-Rama e cila farkëtoi këtë kod zgjedhor që kemi sot.

Nëse lexojmë atë çka është mbrapa paraqitjes, fakti që ambasadorja amerikane është detyruar dhe i ka ulur në kuadratin e SHBA, do të thotë se Shtetet e Bashkuara përmes Yuri Kim, duan të ndryshojnë jo kodin zgjedhor por marrëveshjen e vitit 2008 midis PD dhe PS.

Pra, çformëzimin e dyshes PD-PS, që është ngurtësuar që në vitin 1991. Nuk bëhet fjalë për një reformë zgjedhore. Bëhet fjalë për përmbysjen e një partitokracie e cila ka qeverisur me shumë probleme në Shqipëri që nga viti 1991 deri më sot”, u shpreh Zheji.

LEXO EDHE  15 viktima dhe 223 raste të reja nga koronavirusi në Itali

Ai u shpreh se SHBA po vendos një diktat të paparë në lidhje me negociatat e këshillit politik.

Ai shtoi se këshilli politik po negocion te rezidenca e ambasadës së SHBA-ve, pasi është një metaforë për të thënë se reforma zgjedhore do të bëhet sikurse do Amerika.

“Mendoj se SHBA po vendos një diktat të paparë ndonjëherë duke e zhvendosur sallën e bisedime në rezidencën e ambasadës, në kohën e ndonjë çaji apo aperitivi të zonjës Kim. Nuk ka kuptim që të jetë aty.

Unë mendoj se kjo është një metaforë e Yuri Kim për tu thënë se reforma do të bëhet ashtu sikurse do SHBA, pra nuk dalin dot nga korsia. Kim po kupton çdo ditë e më shumë realitetin bizantin shqiptar”, tha Artur Zheji.