Protesta nga Parisi në Sidnei pas vdekjes së George Floyd

Mijëra protestues në Paris kundërshtuan një urdhër të policisë për ndalimin e tubimeve si rezultat i koronavirusit, ndërsa u mblodhën të martën për të protestuar kundër padrejtësisë racore dhe taktikave të ashpra të policisë, ndërsa në mbarë botën është përhapur zemërimi lidhur me vdekjen e George Floyd në Shtetet e Bashkuara.

Me duartrokitje, brohoritje dhe parulla ku shkruhej “Black Lives Matter”dhe “Policia kudo, Drejtësia Askund”, turma kryesisht e moshave të reja dhe shumë raciale, vërshoi drejt gjykatës kryesore të Parisit. Protesta ishte paqësore ndërsa policia vëzhgonte nga afër.

Me thirrjet “Nuk mund të marr frymë”, mijëra njerëz marshuan paqësisht në qytetin më të madh të Australisë. Tubime me mijëra njerëz u zhvilluan edhe në kryeqytetin holandez Hagë, ndërsa qindra izraelitë protesuan në Tel Aviv.

Zemërimi u shpreh në shumë gjuhë në median sociale ndërsa mijëra suedezë u bashkuan përmes një proteste në internet dhe të tjerëve që flisnin nën banderolën#BlackOutTuesday.

Edhe diplomacia mori pjesë në zemërim, ndërsa shefi i politikës së jashtëme të Bashkimit Evropiantha se blloku ishte “tronditur dhe tmerruar” nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd.

Ndërsa protestat u përshkallëzuan në mbarë botën, solidarideti me demostruesit amerikanë u përzje edhe me shqetësimin në rritje mes komuniteteve lokale.

“Kjo ndodhi në Shtetet e Bashkuara, por gjithashtu ndodh në Francë dhe gjetkë”, tha protestuesi parisian Xavier Dintimille. Ndërsa u shpreh se dhuna e policisë duket më e ashpër në Shtetet e Bashkuara ai shtoi se, “të gjithë njerëzit me ngjyrë e përjetojnë këtë në një farë mase.”

George Floyd vdiq një javë më parë pasi një polic vuri gjyrin mbi grykën e tij për disa minuta, madje edhe pasi ndaloi së lëvizuri duke kërkuar që merrte frymë. Vdekja e tij nxiti protesta që u përhapën në të gjithë Amerikën dhe tani në mbarë botën.

Frika e koronavirusit mbetet e lartë ndërsa policia citoi këtë arsye për të ndaluar protestën të martën pranë gjykatës në Paris. Grumbullimi i më shumë se dhjetë individëve vazhdon të jetë i ndaluar në Francë si pjesë e masave për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Megjithatë, protestuesit dolën në rrugë. Disa thanë se dhuna policore u përkeqësua gjatë izolimit nga koronavirusi, kryesisht për shtresat që jetojnë në lagjet periferike dhe u përkasin popullatave pakicë, duke thelluar një ndjenjë të padrejtësisë.

Demostrata të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Francës në nderim të Adama Traore, i cili vdiq pak pas arrestimit në vitin 2016, dhe në solidaritet me amerikanët që demostruan kundër vdekjes së George Floyd.

Rasti Traore është bërë emblemë e luftës kundër brutalitetit të policisë në Francë. Rrethanat e vdekjes së 24 vjeçarit francez me origjinë nga Mali janë ende nën hetime kur kanë kaluar katër vite nga raportet konfliktuale rreth asaj që ndodhi.

Avokati për dy nga tre policët e përfshirë në arrest, Rodolphe Bosselut, tha se çështjet Floyd dhe Traores “nuk kanë asnjë lidhje të ngushtë me njëri-tjetrin”. Avokati tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se vdekja e 24 vjeçarit Traore nuk ishte e lidhur me kushtet e arrestimit të tij por faktorë të tjerë, përfshi probleme mjekësore të mëparshme.

Familja e zotit Traore thotë se ai vdiq nga asfiksimi si rezultat i taktikave policore dhe fjalët e tij të fundit ishin, “Nuk mund të marr frymë”.

“Nuk mund të marr frymë” ishin po ashtu edhe fjalët e fundit të 26 vjeçarit indigjen David Dungay i cili vdiq në një burg të Sidneit në vitin 2015 ndërsa po vihej në kontroll nga pesë roje.

Ndërsa 3 mijë njerëz marshuan paqësisht në Sidnei, shumë thanë se ishin frymëzuar nga një përzjerje e simpatisë për afrikano-amerikanët mes protestave të dhunshme në Shtetet e Bashkuara, dhe për t’i bërë thirrje Australisë për të ndryshuar trajtimin e popullatës indigjene, kryesisht kur flitet për policinë.

LEXO EDHE  Trupi i biznesmenit 33-vjeçar gjendet pa kokë në apartamentin luksoz, pranë tij ishte një sharrë elektrike

Turma kryesisht australiane në demostratën e autorizuar po ashtu përfshinte protestues nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

“Jam këtu për njerëzit e mi, dhe për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona të rëna në mbarë botën”,tha 46 vjeçarja indigjene Amanda Hill e cila mori pjesë në protestë me vajzën dhe dy mbesat e saj. “Ajo që po ndodh në Amerikë hedh dritë mbi situatën këtu.”

432 australianë indigjenë kanë vdekur në paraburgimet e policisë që nga viti 1991, thuhet në një shkrim të gazetës The Guardian e cila citon një hetim nga Komisioni Mbretëror mbi vdekjet e popullsisë indigjene në burgje. Australia gjithatu asnjëherë nuk ka nënshkruar një traktat me popullsinë idigjene të vendit, e cila vuan nivele më të larta se mesatarja të vdekshmërisë foshnjore, jetëgjatësi më të shkurtër dhe nivele më të ulta arsimimi dhe punësimi sesa popullsia e bardhë australiane.

Edhe pse Presidenti Donald Trump shprehu zemërim duke kërcënuar dërgimin e trupave për të shuar protestat e dhunshme, Kryeministri Justin Trudeau i Kanadasë nuk pranoi të kritikonte atë drejtpërdrejt, ndërsa tha se protestat duhet të detyrojnë vetëdijshmërinë ndaj racizmit kudo.

“Të gjithë po ndjekim të tmerruar atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara. Por është koha që ne kanadezët të pranojmë sfidat tona, që kanadezët me ngjyrë përballen me diskriminim çdo ditë. Kanadaja ka racizëm në sistem.”

Më shumë protesta në vende të ndryshme të botës janë planifikuar më vonë gjatë kësaj jave, përfshi një sërë demostratash para ambasadave amerikane të shtunën.

Gjendja në Shtetet e Bashkuara shtoi shqetësimet e diplomatëve. Vërejtjet e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell në Bruksel ishtin më të fuqishmet nga blloku prej 27 vendesh, ndërsa tha se vdekja e Floyd ishte rezultat i abuzimit të pushtetit.

Borrel u tha gazetarëve se “sikurse populli në Shtetet e Bashkuara, ne jemi të tronditur dhe të tmerruar nga vdekja e George Floyd”. Ai theksoi se evropianët “mbështesin të drejtën për protesta paqësore dhe po ashtu ne dënojmë dhunën dhe racizmin e çdo lloji, dhe bëjmë thirrje për uljen e tensioneve.”

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas tha se protestat paqësore në Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së George Floyd janë “të kuptueshme dhe më shumë se legjitime”. “Shpresoj që protestat paqësore të mos çojnë në dhunë, por më së shumti shpreh shpresën se këto protesta kanë një ndikim në Shtetet e Bashkuara.”

Më shumë udhëheqës afrikanë po ngrenë zërin mbi vdekjen e George Floyd.

“Nuk mund të jetë e drejtë që në shekullin 21 në Shtetet e Bashkuara, ky bastion i madh i demokracisë, vazhdon të përballet me problemet e racizmit në sistem”,tha Presidenti Nana Akufo-Addo i Ganës përmes një deklerate, duke shtuar se popullsia me ngjyrë e botës është tronditur dhe shokuar.

Udhëheqësi i opozitës në Kenia dhe ish kryeministër, Raila Odinga ofroi një lutje për Shtetet e Bashkuara, “që të ketë drejtësi dhe liri për të gjitha qeniet njerëzore që e quajnë Amerikën vendin e tyre.”

Ashtu si disa në Afrikë që kanë ngritur zërin, Odinga po ashtu theksoi problemet në vendin e tij, duke thënë se gjykimi i njerëzve në bazë të karakterit në vend të ngjyrës së lëkurës “është një ëndërr që ne në Afrikë i kemi borxh qytetarëve tanë.”

/Voa/