Zgjedhorja, Komisioneri për Zgjerimin: Mos humbni shansin për konsensus. Basha: Jemi të angazhuar

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, deklaroi sot se partitë politike brenda dhe jashtë Kuvendit nuk duhet të humbasin momentin për një marrëveshje lidhur me reformën zgjedhore.

“Unë i inkurajoj të gjitha palët, brenda dhe jashtë parlamentit, që përsëri të provojnë dhe të arrijnë një marrëveshje. Kjo është një reformë e rëndësishme që duhet të ofrohet do të ishte për të ardhur keq nëse humbej ky moment. Shpresoj për një marrëveshje: kjo është thelbësore”, shprehet ai përmes një postimi në rrjetet sociale.

Pas qëndrimit të zyrtarit të lartë të BE ka ardhur reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në një postim, teksa shpërndan deklaratën e Oliver Varhelyi, Basha shprehet se opozita është e angazhuar plotësisht për konsensus.

LEXO EDHE  FOTO/ Vasili-Ramës: Uzurpues, karagjoz politik

“Faleminderit Oliver Varhelyi për angazhimin tuaj për një konsensus të të gjitha palëve për reformën zgjedhore në Shqipëri. Opozita është plotësisht e angazhuar dhe kontribuon në përfundimin e reformës me garanci të mjaftueshme për një proces zgjedhor të drejtë”, shprehet Basha.

Kreu demokrat shprehet se kjo reformë është e rëndësishme jo vetëm për të standardet zgjedhore, por edhe plotësimin e 1 nga 15 kushteve të Bashkimit Europian.

“Kjo (reformë) është e rëndësishme për shqiptarët që të rivendosin besimin në procesin demokratik pas zgjedhjeve të kaluara me skandale, dhe është po aq e rëndësishme për sa i përket plotësimit të një kriteri të rëndësishëm nga 15 kushtet për integrimin në BE të Shqipërisë”, shprehet Basha.