Zgjedhorja, 3 çështjet që sollën angazhimin e ambasadorëve/ Prapaskenat dhe shansi i fundit për kompromis

Opozita e bashkuar kërkoi një ditë më parë mbledhjen e Këshillit Politik për reformën zgjedhore, mbledhje e cila pritej të niste në orën 17:00.

Por duket se Këshilli Politik do të mblidhet vetëm nëse palët politike do të arrijnë në një kompromis për çështjet e mbetura pezull dhe gjithçka duket se është marrë në dorë nga ambasadorët.

Larg vëmendjes së mediave, diplomatët Yuri Kim, Duncan Norman, Luigi Soreca dhe një përfaqësues i OSBE, janë angazhuar me anëtarët e Këshillit Politik në takime që po zgjasin disa orë, që mesa duket është mundësia e fundit për arritjen e kompromisit.

Takimet po zhvillohen në rezidencën amerikane në Tiranë dhe çdo diskutim duket se po ruhet hermetikisht, derisa palët të dakordësohen, ose diplomatët të pranojnë dështimin mbi këto negociata.

Tre janë çështjet për të cilat palët kanë qëndrime të ndryshme: Identifikimi biometrik i zgjedhësve, një kusht i vendosur nga opozita e bashkuar, depolitizimi i komisioneve zgjedhore, një kusht i vendosur nga PS, dhe apelimet lidhur me trajtimin e ankesave, apo sikundër quhen Kolegjet Zgjedhore.

Opozita e Bashkuar shprehet se identifikimi biometrik i zgjedhësve i jep fund manipulimit të listave zgjedhore, lejimit të votimit të një zgjedhësi më shumë se 1 herë, apo votimi fiktiv i emigrantëve. Për këtë demokratët japin si shembuj manipulimet me listat e zgjedhësve në 2017 dhe 2019, veçanërisht me kodet 888 dhe 999, që identifikohen votuesit pa një adresë të saktë, ose ndryshe emigrantët. Në këtë kuadër, PD dhe aleatët e saj kërkojnë që identifikimi biometrik të shtrihet në çdo qendër votimi, por sipas përfaqësuesve të PS-së në Këshillin Politik, kjo është e pamundur, duke përdorur si argument problemet teknike.

Gjithsesi burime shprehen se kjo është një çështje për të cilën palët mund të arrijnë marrëveshjen, pasi aparatet teknologjike mundësojnë edhe funksionimin përmes baterive, duke shmangur në këtë mënyrë problemet që mund të krijohen për shkak të mungesës apo ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Pika e dytë që ndan palët janë Komisionet Zgjedhore. Sipas socialistëve ato duhet të përbëhen nga pjesëtarë të administratës publike, ose qytetarë që plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e administratës publike, që zgjidhen përmes shortit. PS e bazon propozimin te rekomandimet e OSBE-ODIHR për depolitizimin e komisioneve. Ndërkohë për opozitën ky kusht duket i papranueshëm përsa kohë kemi një administratë të politizuar, referuar edhe raporteve ndërkombëtare.

LEXO EDHE  Përhapja e Covid-19 edhe në Libohovë, dyshime për një vatër familjare

PD ka sjellë në tryezë një propozim, për një komisioner të depolitizuar në çdo qendër zgjedhore. Sipas propozimit nga PD, nga 7 persona politikë me një balancë mes maxhorancës dhe opozitës, futet një komisionet i depolitizuar.

Pika e tretë ka të bëjë me Kolegjet Zgjedhore. PS kërkon që anëtarët e Kolegjit të jenë gjyqtarë që kanë kaluar Vetting, ndërsa PD ka propozuar që çështjet zgjedhore të ankimohen në Kushtetuese. Kjo është formula që është ngjekur në vitin 2001 kur ankesat zgjedhore, rast pas rasti trajtoheshin nga Kushtetuesja, ndërsa Kolegji Zgjedhor nuk ekzistonte. Gjithsesi, PD ka hedhur si propozim edhe që Kolegjet të përbëhen nga gjyqtarë me 7 vjet vjetërsi në detyrë dhe pa masa disiplinore në fuqi. Ata zgjidhen me short dhe ata që nuk e kanë nisur vettingun t’i pezullohet procesi dhe të rifillojë në katër-vjeçarin tjetër.

Ndërkohë Rudina Hajdari, si përfaqësuese e asaj që konsiderohet “opozita parlamentare” vijon të kërkojë ndryshimin e sistemit zgjedhor, edhe pse duket se qëndrimet e saj nuk janë mbështetur të paktën në Këshillin Politik nga përfaqësues të opozitës së bashkuar dhe PS.

Nuk dihet nëse diplomatët me angazhimin e tyre do të mund të bindin palët për lëshime, gjetjen e kompromisi për 3 çështjet.

Ajo që dihet deri më tani është se konsensusi brenda 31 majit nuk u arrit, edhe pse ishte një angazhim politik shqiptar. Tashmë duket se “topi” po luhet nga diplomatët, që sikundër raportohet kanë hedhur në tryezën e politikës edhe opsionin e një procesi të parakohshëm elektoral për Bashkitë, apo zgjedhjet vendore, me qëllim testimin edhe të teknologjisë në zgjedhje, por edhe funksionimin e Komisioneve pa komisionerë të propozuar nga partitë, të cilët do të kenë vetëm vëzhgues, por edhe për trajtimin e kontestimeve zgjedhore.