Yuri Kim takon anëtarët e Këshillit Politik/ Çfarë pritet për Reformën Zgjedhore

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim është takuar mëngjesin e sotëm me 3 anëtarët e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, ndërsa është njoftuar se mbledhja e rradhës do të zhvillohet pasditen e sotme, ora 17:00.

Takimi i diplomates amerikane me Damian Gjiknurin, Oerd Bylykbashin dhe Rudina Hajdarin, është zhvilluar gjatë mëngjesit të sotëm, ndërsa në orët e drekës do të takohet edhe me Petrit Vasilin.

Burime bëjnë me dije se takimi është kërkuar nga Ambasadorja Kim, ndërsa në të pritet është diskutohet mbi çështjet e mbetura ende pezull, por edhe mundësia për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Por mbi të gjitha, ambasadorja Kim, ka kërkuar nga anëtarët e Këshillit Politik që të përmbyllin draftin brenda 31 majit, datë e vendosur si afat për përmbylljen e Reformës Zgjedhore dhe kalimin e propozimeve për miratim në Kuvend.

Më parë është raportuar se diplomatja amerikane i ka propozuar politikës shqiptare, modelin danez të sistemit zgjedhor, por ka pasur kontestime, jo vetëm për formulën që aplikohet në Danimarkë, por edhe përsa i takon mungesës së kohës.

LEXO EDHE  Njihuni me surprizat e motit për nesër

Ata që njihen si “opozita e re” dhe që përfaqësohen në tryezë me Rudina Hajdarin, kanë kërkuar ndryshimin e sistemit, duke vënë theksin te listat e hapura dhe proporcionaliteti.

Opozita e bashkuar ka lënë të hapur mundësinë e diskutimit të sistemit zgjedhor, ndërsa Damian Gjiknuri, përfaqësues i PS-së, ka theksuar se nuk ka kohë të mjaftueshme, për të diskutuar këtë çështje tani.

Gjithsesi takimi i sotëm me ambasadoren Yuri Kim, mund të ndryshojë qëndrimet e palëve. Ndërhyrja e diplomates amerikane në ditët e fundit nisi me shqetësimet lidhur me reformën në drejtësi dhe më pas kaluan te reforma zgjedhore, duke i kërkuar liderëve politikë, që të përmbushin premtimet e tyre përballë shqiptarëve.

Kim tha se afati për miratimin e reformës zgjedhore brenda 31 majit është një premtim që liderët politikë i kanë bërë popullit shqiptar dhe nuk është një afat i vendosur nga ambasada e SHBA apo ndërkkombëtarët.