Nga Boldnews.al
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po zhvillon një tender, me vlerë mbi 7 milionë euro, për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore, nën dyshime për fitues të paracaktuar, por mbi të gjitha, me disa specifikime, që rrezikojnë dëme të pariparueshme në të gjithë aparaturat që funksionojnë në spitalin më të madh në vend
Në Shkurt 2020, QSUT, me firmën e drejtorit të Përgjithshëm, Enkelejd Joti, shpalli tenderin “Mirëmbajtje e Aparaturave Mjekësore në QSUT, për një periudhë 4-vjeçare.
Sipas dokumentave zyrtarë, tenderi ka fond limit 811.5 milionë lekë të reja dhe lloji i procedurës është Marrëveshje Kuadër, që do të thotë se fituesi i merr të gjitha.
Në pamje të parë, tenderi duket një procedurë normale rutinore e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Por, si përherë, “djalli fshihet në detaje”.
Në praktikën e deritanishme, QSUT ka zhvilluar tenderat periodikë për mirëmbajtjen e aparaturave, duke shpallur fitues kompani të ndryshme, të cilat janë distributorë zyrtarë të prodhimeve nga kompani prestigjioze ndërkombëtare për pjesë këmbimi të aparateve, që janë aktualisht në funksion, në pavionet spitalore.
Gjithashtu, tenderat kanë qenë me afat të limituar, kryesisht një-vjeçar, duke u krijuar mundësinë kompanive fituese të tenderave që të sigurojnë pjesë këmbimi të reja dhe funksionale.
Por, në tenderin e shpallur në Shkurt 2020, QSUT ka ndryshuar “rregullat e lojës”, duke krijuar situatë të rrezikshme për kolapsin e të gjithë aparaturave jetike për shërbimin shëndetësor që ofrohet pranë saj.
Rreziqet
Dy janë elementët kryesorë që rrezikojnë funksionimin e aparaturave, në rast finalizimi të këtij tenderi; mungesa e ekspertizës për të gjitha aparatet nga një kompani e vetme dhe periudha e gjatë 4-vjeçare.
Një fitues i vetëm rrezikon aparaturat
Autoriteti Kontraktor, QSUT, ka parashikuar që tenderi të jetë Marrëveshje Kuadër. Pra në fund të shpallet fitues një operator i vetëm ekonomik, që do të sigurojë mirëmbajtjen e të gjitha aparaturave të qendrës spitalore.
Këtu qëndron rreziku i parë. Në spitalet, pjesë përbërëse të QSUT, aktualisht janë në funksion pajisje të markave të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë edhe të kompanive prestigjioze ndërkombëtare.
Por, nga të dhënat e siguruara nga “Boldnews.al”, rezulton se asnjë kompani shqiptare nuk është distributor zyrtar i të gjitha kompanive ndërkombëtare të pajisjeve mjekësore dhe të pjesëve të këmbimit të tyre.
Pra, fituesi i vetëm, sipas procedurës së shpallur, nuk do të jetë në gjendje që të sigurojë pjesë këmbimi origjinale për aparaturat mjekësore.
Zgjidhja që do të mbetet për “fituesin e vetëm” mund të jetë sigurimi i aparaturave apo pjesëve të këmbimit jo-origjinale, ose pjesë origjinale që gjenden në “varreza teknike”, pra pa asnjë lloj garancie për funksionimin e tyre.
Kjo situatë mund të sjellë një kolaps në pjesën më të madhe të aparaturave, të cilat edhe aktualisht janë në përfundim të ciklit jetësor të tyre. Dhe, rrjedhimisht, kolapsi do të zgjerohet në shërbimin spitalor, i cili nuk do të jetë në gjendje që të ketë në funksion aparaturat.
Afati “i tejzgjatur” 4-vjeçar
“Fituesi i vetëm” i tenderit për mirëmbajtjen e aparaturave të QSUT-së duhet të jetë në gjendje që të sigurojë pjesë këmbimi për një periudhë 4-vjeçare.
Fituesi, referuar dokumentave të tenderit, duhet të dëshmojë se ka kontrata me kompanitë prodhuese ndërkombëtare. Pra, fituesi duhet të ketë porositur që në vitin 2020 pajisje që mund t’i duhen në vitin 2024.
Kjo situatë do të sjellë rrezikun e dytë; zhvillimet teknologjike janë aq të shpejta, sa, pajisjet që konsiderohen “të reja” sot, mund të dalin jashtë funksionimit brenda pak muaj, jo më pas 4 viteve.
Duket qartë që zgjedhja e drejtuesit të QSUT, Enkelejd Joti, për të operuar me këtë tender, rrezikon kolapsimin e të gjithë strukturës shëndetësore.
Pikëpyetjet mbeten në faktin që, kur ky tender mund të sjellë pasoja të rënda e të pariparueshme, përse vijon të jetë ende në fuqi? Dyshimet fillestare janë që tenderi gati 7 milionë euro të ketë një fitues “të paracaktuar”.
“Skema” për anulimin e tenderit
Përtej problematikave të mësipërme, tenderi 7 milionë euro po “zvarritet” në mënyrë të dyshimtë.
Procedura, e hapur në Shkurt 2020, duhet të përfundonte maksimumi në Prill. Por, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, QSUT nuk ka vendosur për mbylljen e procedurës.
Madje, me qëllim “zvarritjen” e tenderit, autoriteti kontraktor ka ndryshuar dy herë specifikimet teknike.
Në bazë të këtyre “ndryshimeve”, autoriteti kontraktor i ka krijuar mundësinë për t’u përfshirë në garë edhe kompani, të cilat nuk kanë pasur instaluar asnjë aparaturë në QSUT apo që kanë një numër të kufizuar stafi të specializuar, me më pak se gjysmën e inxhinerëve që janë të punësuar në kompanitë tashmë të konsoliduar në tregun shqiptar të pajisjeve mjekësore.
“Boldnews.al” ka mësuar se pjesë e tenderit janë kompani “të reja”, pa eksperiencën e kërkuar, por që janë përfshirë në procedura si “Joint Venture” me shoqëri të huaja, pa asnjë lidhje me Shqipërinë, me shumë mundësi për të krijuar idenë jo-reale të “përfshirjes në garë të kompanive ndërkombëtare”.
Por, zvarritja e procedurave duket se fsheh edhe një “skemë” për orientimin e tenderit drejt “fituesit të paracaktuar”.
Aktualisht, një pjesë e aparaturave mjekësore në QSUT janë të prishura. Çdo vonesë në riparimin apo zëvendësimin e tyre, do të “nxisë” QSUT-në për të anuluar procedurën e nisur e për të ndërmarrë një proces “urgjent”, me argumentin e nevojës ekstreme.
Dhe, në tendera “urgjente”, autoritetet kontraktore janë të prirura të cedojnë në cilësi, për të siguruar produktin.
Pikërisht, këtu duket se qëndron “skema” e këtij tenderi-anulimi i procedurës së nisur, ri-shpallja e tij me procedurë “urgjente” dhe për të përfshirë kompani që nuk plotësojnë kriteret e tenderit kryesor.
Në funksion të asaj që mund të quhet “skemë” për anulimin e tenderit, duket se shërbejnë edhe disa prej kritereve të vendosura në procedurë.
QSUT e Enkelejd Jotit ka përfshirë në listën e aparaturave që duhet të riparohet nga fituesi i tenderit edhe disa pajisje, të cilat janë në fund të ciklit të tyre.
Për këto aparatura, me shumë mundësi, asnjë kompani prodhuese ndërkombëtare nuk mund të sigurojë pjesë këmbimi. Pra, asnjë kompani ofertuese nuk do të mund të plotësojë kriteret dhe e gjithë kjo situatë mund të “nxisë” QSUT për anulimin e tenderit.
Pas anulimit të mundshëm të tenderit dhe, “nën presionin e urgjencës”, QSUT mund ta kalojë në finalizimin e skemës-rishpalljen e tenderit në kushtet e emergjencës dhe “orientimin” e tij drejt kompanive që dyshohet se janë “të paracaktuara” për fitimin e procedurës në vlerë rreth 7 milionë euro.