“Pisllëk në Spitalin Infektiv”, QSUT dhe kompania “AGS” kalojnë përgjegjësinë te mjekët

Nga Boldnews.al

Drejtuesit e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe kompania “AGS”, e kontraktuar për shërbimin e lavanderisë mbajtën qëndrime evazive ndaj deklaratave të Florian Rizës, i cili akuzoi publikisht cilësinë e dobët të pastërtisë dhe ushqimit në Spitalin Infektiv në Tiranë.

Administrata e QSUT-së e orienton përgjegjësinë e lavanderisë, por edhe të ushqimit, tek masat që marrin mjekët e Spitalit Infektiv, i shndërruar në COVID-1.

Ndërsa, për kompaninë “AGS”, duke qenë se spitali Covid-1 është vendosur nën masa të rrepta sigurie, ajo ofron shërbimi vetëm mbi bazën e protokolleve dhe kërkesave që mbërrijnë nga Spitali Infektiv.

Dy aktorët e përfshirë në këtë situatë, QSUT dhe “AGS” shpk, nuk e përmendin drejtëpërdrejtë. Por duket se përgjegjësia sipas tyre, nëse ka vend për të tillë, mbetet tek mjekët e Spitalit Infektiv, të cilët janë angazhuar në kurimin e pacientëve të prekur nga COVID-19.

Denoncimi i Rizës

Shqipëria u prek zyrtarisht nga epidemia e korona-virusit në fillim të muajit Mars. Prej datës 9 Mars, kur u regjistrua “pacienti zero” e deri në 18 Prill, Shqipëria numëron 548 persona të prekur nga virusi, ndërkohë që 26 prej tyre e kanë humbur betejën dhe kanë ndërruar jetë.

Pjesa më e madhe e pacientëve janë trajtuar në Spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë (QSUT), i cili quhet edhe ‘Covid-1”. Ndërsa një pjesë më e vogël e pacientëve trajtohen në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme-Senatorium.

Florian Riza, një ish-futbollist i Kombëtares së Shqipërisë dhe figurë e pëlqyer nga sportdashësit, u kurua për një javë në Spitalin Infektiv, pasi rezultoi i prekur nga COVID-19. Ai qëndroi në pavion rreth datave 5-11 Prill

Pasi doli nga pavioni në përfundim të kurimit të suksesshëm, Riza deklaroi në media se në Spitalin Infektiv, i shndërruar në COVID-1, “të mbyste pisllëku, çarçafët nuk u ndërruan për një javë, ndërkohë që mungonte ushqimi”.

Prononcimi i tij i revoltuar nuk mori përgjigje publike, as nga administrata e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe as nga kompania “AGS” shpk, e cila mban kontratën për shërbimin e lavanderisë në qendrën më të madhe spitalore në vend.

Argumentat e kompanisë “AGS”

Kompania “AGS”, është krijuar në vitin 2005, nga kryetari aktual i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka dhe tashmë është në pronësi të bashkëshortes së tij, Alma Tafani.

Në përgjigje të interesimit të “Boldnews.al”, kompania “AGS”, megjithëse nuk i pohoi, por as i mohoi deklarimet e Rizës, u shpreh se ata e ofrojnë shërbimin në bazë të kërkesave të Spitalit.

Alma Tafani, administratore e kompanisë “AGS” shpk, shpjegon mënyrën se si funksionon normalisht shërbimi i lavanderisë në QSUT: “Ky shërbim (lavanderia) ofrohet gjithmonë në bazë të kërkesë-pororisë paraprake (të një dite më parë) që vetë institucioni, nëpërmjet personit të autorizuar, i dërgon sektorit të hotelerisë të shoqërisë tonë”.

Por ky rregull duket se është modifikuar disi, për shkak të masave që ka marrë Spitali Infektiv, në vijim të situatës anormale me pandeminë COVID-19.

Spitali Infektiv është vendosur nën masa të rrepta sigurie, përmes të cilave ndalohet rreptësisht hyrja e personave të paautorizuar. Mundësimi i shërbimeve të ndryshme për pacientët e këtij spitali bëhet sipas një protokolli të paracaktuar nga vetë institucioni, me qëllim mbrojtjen e pacientëve, si edhe ruajtjen e konfidencialitetit dhe mbrojtjen e të dhënave personale të tyre”, deklaron Alma Tafani, administratore e kompanisë “AGS” shpk.

Sipas saj, “të gjithë kontraktorët janë të detyruar të zbatojnë këtë protokoll, duke bërë dorëzimet sipas porosisë së vetë institucionit dhe vetëm tek personat e specializuar dhe të autorizuar për të hyrë në ambjentet e Spitalit Infektiv”.

QSUT: Çarçafët ndryshohen çdo ditë

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, e drejtuar nga Enkelejd Joti, është kundër kritikave për shërbimin jo-cilësor të lavanderisë.

Në një përgjigje zyrtare për “Boldnews.al”, QSUT deklaron se ndërrimi i çarçafëve është një proces që bëhet shumë shpesh.

Sipas standarteve dhe protokollove mjekësore të paracaktuara për pacientët e hospitalizuar në shërbimin infektiv, si dhe pacientëve me covid 19, çarçafët ndërrohen minimumi çdo ditë, por ka raste edhe disa herë në ditë, në varësi të gjendjes klinike që paraqet pacienti”, i përgjigjet QSUT interesimit të redaksisë lidhur me akuzat e Florian Rizës.

Për titullarët e QSUT-së, shërbimi i lavanderisë funksionon më së miri.

LEXO EDHE  Miza dhe .../ Ja çfarë u gjet në shtratin ku mbahej vajza e vdekur në Tiranë (Video+18)

Për ofrimin e shërbimit të lavanderisë, QSUNT ka një kontratë shërbimi me Operatorin AGS shpk. Shërbimi i ofruar është sipas standarteve të përcaktuara në kontratë dhe për shërbimin Infektiv funksionon sipas protokolleve të përcaktuara”.

QSUT kishte edhe një përgjigje, me nota përgjithësuese, për shërbimin e ushqimit, duke e përcjellë përgjegjësinë tek mjekët e Spitalit Infektiv.

Për ofrimin e shërbimit të ushqimit, QSUNT ka një kontrate shërbimi me Operatorin Ekonomik KPL shpk, e cila ofron shërbimin katering në pavion. Për çdo pacient  përcaktohet dieta nga ana e mjekut ordinator që trajton pacientin (në baze të diagnozës së tijë) dhe më pas Operatori përgatit dietën dhe e dërgon atë tek pacienti”, deklaron QSUT, në përgjigje të interesimit të “Boldnews.al”..

Çdo gjë duket në normalitet, sipas prononcimeve zyrtare të QSUT-së dhe kompanisë ‘AGS” shpk. Ndërkohë, Florian Riza u shfaq personalisht dhe denoncoi ato që, sipas tij, ndodhin në Spitalin Infektiv.

Akuzat e Rizës janë të rënda, sidomos kur lidhen me cilësinë e pastërtisë në Spitalin Infektiv, të cilat rëndojnë imazhin e institucionit më të rëndësishëm shëndetësor, si edhe të një kompanie me përvojë në fushën e lavanderisë.

Megjithatë, as QSUT dhe as ‘AGS”shpk nuk kanë njoftuar për ndonjë padi të mundshme ndaj Rizës, duke forcuar dyshimet se deklarimet e tij mund të jenë afër të vërtetës.

Lavanderia, tenderat e diskutueshëm

Shoqëria “AGS” shkp ofron shërbimin e lavanderisë për QSUT-së në bazë të një kontrate të përkohshme, pasi një marrëveshje 4-vjeçare mes tyre përfundoi në vitin 2019, ndërkohë që institucionet nuk i kanë dhënë udhë kontratës së re.

Të dy tenderat ku përfshihen QSUT dhe “AGS”, në vitin 2015 dhe në vitin 2019, vlera e të cilave arrin në mbi 10 milionë dollarë, janë shoqëruar me debate të shumta dhe akuza publike.

Në vitin 2015, shoqëria “AGS”, pas një beteje të gjatë ligjore, fitoi kontratën 4-vjeçare për ofrimin e shërbimit të lavanderisë në QSUT që në atë kohë drejtohej nga Ministrja aktuale e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Tenderi u shpall në fund të vitit 2014. Ai u konkludua shumë muaj më vonë, në Shtator 2015, pas shqyrtimeve dhe rishqyrtimeve të ankesave nga Komisioni i Prokurimit Publik dhe Gjykata Administrative.

Në përfundim të procedurave, kompania “AGS”shpk u shpall fituese e kontratës 4-vjeçare.

Konkurentët e tjerë, të cituar nga media në atë kohë, akuzuan institucionet publike se kishin favorizuar shoqërinë “AGS” shpk. Kjo e fundit, e cituar po në media, i hodhi poshtë akuzat, duke i konsideruar si të artikuluara për shkak të konkurencës.

Tenderi i vitit 2015 ishte objekt edhe i një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili konstatoi një dëm ekonomik prej 10.8 milionë lekë të reja.

Në përfundim, KLSH depozitoi një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KV) të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë.

4 vjet më pas, në Korrik 2019, Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, në varësinë e Ministrisë së Brendshme, zhvilloi tenderin për “Shërbimin e lavanderisë në QSUT” për 4-vjeçarin e ardhshëm, me fond limit rreth 10 milionë euro.

Në përfundim të procedurave, Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara shpalli fitues kompaninë “AGS”shpk.

Një bashkim operatorësh, të cilët u skualifikuan, megjithëse kishin dhënë ofertën më të ulët, e ankimuan vendimin në Komisionin e Prokurimit Publik.

Ndërkohë, gjatë pritjes për shqyrtimin e ankimit, përfundoi kontrata 4-vjeçare për shërbimin e lavanderisë.

Në këto kushte, Qendra Spitalore Universitare (QSUT) nënshkroi një kontratë të përkohshme me kompaninë “AGS” shpk, e cila e ofronte deri në atë moment shërbimin e lavanderisë. Afati i asaj kontrate ishte fundi i vitit 2019.

Në ditët e para të vitit 2020, meqenëse Komisioni i Prokurimit Publik nuk ishte shprehur ende për ankimin, QSUT nënshkruan një tjetër kontratë të përkohshme me ‘AGS” shpk.

Në 10 Janar 2020, Komisioni i Prokurimit Publik, me vendimin nr.12, vendos të pranojë ankesën e konkurentit të “AGS”, duke vendosur kualifikimin e tij në tender. Rrjedhimisht, ai shpallet fitues, pasi kishte ofruar ofertë më të ulët.

Prej më shumë se dy muajsh, vendimi i KPP-së nuk është zbatuar ende. Aktualisht, “AGS” shpk vijon të jetë nën kontratë me Qendrën Spitalore Universitare për ofrimin e shërbimit të lavanderisë.