Nga Eugen Kuçi
Rrëzimi i qeverisë së Albin Kurtit në Kosovë ndodhi në periudhën më të papërshtatshme, në një kohë që e tërë bota po përballet me virusin tejet të rrezikshëm COVID-19. Por arsyeja e këtij aksioni politik është shumë herë më e dëmshme, jo vetëm për Kosovën, por për tërë faktorin shqiptar në rajon. Albin Kurti, të paktën deri tani, nuk pranon të bëhet palë në procesin e ndryshimit të kufijve, në kuadër të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Që prej vitit 2011, kur kanë filluar bisedimet Kosovë-Serbi të lehtësuara nga Bashkimi Europian, Kosova ka paguar një çmim të lartë, krahasuar me përfitimet minimale. Nga të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, asnjëra prej tyre nuk përmban qoftë edhe një element të shtetësisë së Kosovës. Tekstet e marrëveshjeve karakterizohen nga një gjuhë ambigue, që çdo palë mund ta interpretojë sipas interesit të vet. Një gjuhe e tillë e zhvesh Serbinë nga çdo detyrim për ta njohur Kosovën.
Kjo situatë e paqartë dhe kaotike ka frenuar numrin e njohjeve të Kosovës, si dhe procesin e anëtarësimit në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare. Pozitat e Kosovës janë dobësuar dukshëm në arenën ndërkombëtare, sepse shumë shtete po presin fillimisht rezultatin përfundimtar të dialogut mes dy vendeve. Ndërkohë Serbia ka forcuar dukshëm pozitat e saj. Ka arritur ta bllokojë Kosovën në integrimin e strukturave ndërkombëtare, si dhe ka avancuar me procesin e ashtuquajtur të çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht paqartësisë nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, procesi i çnjohjeve është dëshmi e një fushate të egër të Serbisë ndaj Kosovës.
Dështimi i bisedimeve të deritanishme faktoi pafuqinë e BE-së, dobësinë e politikës së Kosovës, si dhe insistimin e politikës së Serbisë për të marrë maksimumin në kurriz të Kosovës. Paralelisht me bisedimet, diku në sfond po vazhdon punën Gjykata Speciale në Hagë, e ngritur për të hetuar krimet e mundshme të ish- krerëve të UÇK-së.
Nga pikëpamja politike deri tani më i fituari është Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Ka arritur një pushtet absolut në Serbi, përmes Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë ndikon esencialisht ne politikën boshnjake, përmes Listës Serbe në Kosovë ndikon zhvillimet në Prishtinë, si dhe ka shtrire tentakulat në Podgoricë përmes partive etnike serbe dhe Kishës Serbe në Malin e Zi. Rrjedhimisht, Vuçiç është shndërruar në aktorin kryesor politik në rajon. Zhvillimet morën një kthesë esenciale gjatë Forumit të Alpbachut në Austri në v.2018, ku për herë të parë në mënyrë publike u lancua nga Vuçiç dhe Thaçi idea e ndryshimit të kufijve si zgjidhja më reale. Kanë qarkulluar disa harta dhe skica, që idenë e bëjnë konkrete dhe të besueshme. Janë llogaritur edhe shkëmbimet e mundshme të popullsisë, si dhe janë hedhur ide mbi menaxhimin e pasurive natyrore të veriut të Kosovës, Ujmani i Gazivodës dhe Kombinati i Trepçës.
Faktori ndërkombëtar
Ideja e shkëmbimit të territoreve ka krijuar disa të çara brenda faktorit ndërkombëtar, madje edhe brenda atij perëndimor. Gjermania dhe Britania e Madhe janë pozicionuar krejt qartë kundër kësaj ideje. Ndërsa shtetet e tjera të BE-së mbajtën një qëndrim më të rezervuar. Nga Shtëpia e Bardhë në SHBA është regjistruar fraza jo shumë e qartë, se “do të pranohet një zgjidhje për të cilën dakordësohen Serbia dhe Kosova, por duke iu përmbajtur disa linjave”. Mocioni i mosbesimit kundër Albin Kurtit nxori edhe më në pah këtë çarje mes shteteve të perëndimit. Gjermania dhe Franca ndërmorën demarshe kundër mocionit. Parlamenti i Zvicrës inicioi madje një rezolutë parlamentare për mosmiratimin e mocionit. Nga ana tjetër, Grenell dhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë e mbështetën atë.
Dritëhijet e angazhimit amerikan për Dialogun Kosovë-Serbi
Serbia ka punuar në shumë rrafshe dhe drejtime për izolimin e Kosovës. Ka mbajtur lidhjet tradicionale me Rusinë dhe Kinën, jep sinjale bashkëpunimi me Tiranën, ushtron presion ndaj vendeve të rajonit, si dhe është munduar të përçajë vendet e BE-së. Në fokus të veçantë ka qenë arritja e aksesit në sferat më të larta në Washington. Ish-Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Drashkovic e ka shprehur qartë në vitin 2005 se “ne do ta fitojmë Kosovën, kur të bëjmë miq ata që ia dhanë pavarësinë”. Serbia nuk e fshehu gëzimin pas ardhjes së Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Qeveria e Serbisë ka kontaktuar vitet e fundit lobistë të fuqishëm, që bëjnë pjesë në rrethin e afërt të Trump. Janë tre persona që spikasin: Core Lewandowski, Mike Rubino dhe Jason Osborne. Referuar edhe deklarimeve të tyre pranë Departamentit të Thesarit rezulton se ata janë kontaktuar dhe kontraktuar prej zyrtarëve nga Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnje- Hercegovina.
Core Lewandowski ka shërbyer si menaxher kryesor i fushatave preliminare dhe presidenciale të Trumpit. Më pas është tërhequr nga politika aktive dhe ka krijuar disa kompani lobimi. Lewandowski, se bashku me Rubino dhe Osborne, krijuan fillimisht kompaninë Avenue Strategies. Në një intervistë me revistën e njohur amerikane “Politico” të datës 4 mars 2017, Osborne bëri të ditur se “kompania ka pasur takime me zyrtarë nga Shqipëria dhe Kosova”. Një vit më vonë, ish-ministri i jashtëm i Serbisë Vuk Jeremic ka deklaruar publikisht se Lewandowski po lobon për realizimin e planit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë një aktiviteti në Beograd në prill 2018, Lewandowski u tha disa zyrtarëve të lartë serbë se “duhet t’ua bëni të qartë zyrtarëve amerikanë se çfarë po ndodh këtu”. Shtypi amerikan i kohës raporton për një kontrate të majme, që Vucicit ti mundësohej një telefonate me presidentin amerikan Trump.
Sipas shtypit amerikan, Lewandowski mban lidhje të ngushta me kompanitë lobuese Twin Rocks Global dhe Turnberry Solutions. Këto dy kompani drejtohen zyrtarisht nga Mike Rubino dhe Jason Osborne. Së bashku me ish-këshilltarin e Trump Steve Bannon, këta kanë spikatur si lobistë të paguar nga Partia e Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur në Republikën Serbe të Bosnje-Hercegovinës, drejtuar nga Milorad Dodik. Në shtator të 2019 Rubino u emërua këshilltar i Presidentit Trump në Shtepinë e Bardhë. Ndër të tjera, këta kanë mundësuar një takim të Kryeministrit të Republikës Serbe të B-H Zeljka Cvijanovic me Kryetarin e Nënkomisionit për Europën dhe Euroazinë në Senatin Amerikan, Senatorin Dana Rohrabacher. Ndoshta lidhjet me këto kompani lobuese janë edhe zanafilla e qëndrimeve të këtij senatori pro shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.
Pra kemi të bëjmë me disa kompani lobuese që menaxhohen nga një grup i vogël personash me lidhje të ngushta me administratën e Trumpit, të kontraktuar nga vendet e rajonit sikurse janë Serbia, Kosova, Shqipëria dhe B-H. Vende kryesisht me nivel të brishtë demokratik dhe me tendenca autoritare. Gjithashtu, duhet shënuar se këto kompani janë ndër më të fortat në mbledhjen e fondeve për Partinë Republikane. Gjatë vitit 2019, kompania Turnberry Solutions ishte në listën e 10 donatorëve më të mëdhenj të Këshillit Kombëtar Republikan.
Zhvillimet e fundit në Kosovë tregojnë qartë mënyrën e operimit të kompanive lobuese lidhur me zgjidhjen e bisedimeve Kosovë-Serbi. Përmes tyre Serbia ka arritur të sigurojë një akses të fortë në rrethin më të besueshëm të presidentit Trump. Përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës Serbia shantazhon Presidentin e Kosovës Thaçi, duke e detyruar jo vetëm ta pranojë, por edhe ta “shesë” këtë si ide të tijën. Në këtë lojë është përfshirë edhe Kryeministri Rama, duke e parë si rast të volitshëm për t’u faktorizuar në rajon, si dhe për të pastruar biografinë e tij me njerëzit e Trump. Bisedimet po zhvillohen me dyer të mbyllura dhe askush nuk di me saktësi se çfarë flitet. Çdokush që bën opononencë largohet me forma nga më të ndryshmet. Deri tani ky proces i ka “ngrënë kokën” politikisht dy kryeministrave të Kosovës, Haradinajt dhe Kurtit, si dhe një Ministri të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushatit.
Roli i ambasadorit Richard Grenell
Qëndrimi amerikan ndaj dialogut në tërësi, dhe idesë së shkëmbimit të territoreve në veçanti, po merr dalngadalë trajtën e një gjëagjëze. Fillimisht SHBA-të emëruan Zv.Asistentin e Sekretarit të Shtetit Mathew Palmer si Të Ngarkuarin e Posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor. Pak kohë më pas Presidenti Trump emëroi Ambasadorin amerikan në Berlin Richard Grenell, si Të Ngarkuarin e Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi. Nga ky moment procesi u zhvendos nga Departamenti i Shtetit në Shtëpinë e Bardhë dhe Grenell po luan një rol kryesor.
Fërkimet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Ekzekutivit, përfshirë Departamentin e Shtetit, kanë krijuar një klimë mosbesimi, përqëndrim të punës në Shtëpinë e Bardhë, duke e larguar ekspertizën e Departamentit të Shtetit nga procesi i vendimmarrjes. Kjo ka impakt edhe në procesin e Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Takimet kryesore të Vuçiçit dhe Thaçit po zhvillohen me rrethin e ngushtë të këshilltarëve të Trumpit dhe përherë e më pak po shohim në skenë diplomacinë klasike të Departamentit të Shtetit. Një gjë të tillë e ilustroi së fundmi ecuria e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti. Sipas një deklarate të Reporteres për Kosovën të Të Gjelbërve në Parlamentin Europian Viola von Cramon, botuar në gazetën zvicerane Die Wochenzeitung të dt.9 prill 2020: “Në fillim SHBA-të, sikurse Gjermania dhe Franca, e refuzuan mocionin kundër Kurtit. Por pastaj ndërhyri Grenell. Mori në telefon ambasadorin amerikan në Prishtinë, i cili ndryshoi qëndrim në momentet e fundit”. Jo më kot disa ish-diplomatë amerikanë, të afërt me zhvillimet në Ballkan, po kritikojnë qasjen e SHBA-ve ndaj këtij procesi, si Daniel Server, James Pardew, Shaun Bayrn, etj.
Kjo është një risi në politikën e jashtme amerikane. Konfliktet në Ballkan kërkojnë qasje delikate të gjithanshme, për vetë sensitivitetin shumëdimensional, historik, kulturor, etnik, gjuhësor, fetar, etj. Historikisht në proceset negociuese në rajon SHBA-të kanë caktuar si të Ngarkuar të Posaçëm diplomatë të sprovuar dhe me përvojë të gjatë, p.sh. Richard Holbrook për B-H dhe Matthew Nimetz në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ndërsa në rastin e Grenell kemi të bëjmë me një person pa ndonjë karrierë të veçantë në fushën e diplomacisë dhe për më tepër pa ndonjë njohuri të thelluar në çështjet e rajonit të Ballkanit.
Nga një shfletim i shtypit amerikan rezulton se Ambasadori Grenell përflitet më tepër për afera nga fusha e lobizmit, sesa në atë të diplomacisë. Përpara angazhimit në politikë, Grenell ka drejtuar një kompani për konsulence mediatike, Capitol Media Partners. Gjatë këtij aktiviteti bie në sy angazhimi i tij për oligarkun dhe politikanin moldav Vladimir Plahotniuc. Grenell ka mbrojtur Plahotniuc për shumë kohë në shtypin amerikan ndaj akuzave për korrupsion dhe pastrim parash. Para një viti Departamenti i Shtetit i ka ndaluar Plahotniuc dhe familjarëve të tij hyrjen në territorin amerikan. Gjithashtu, emri i Grenell përflitet edhe në rastin e ekstradimit të oligarkut ukrainas Dmitry Firtash nga Austria në SHBA para disa vitesh. Pa dashur të hyjmë në vërtetësinë dhe bazën ligjore të këtyre pretendimeve, ky background lë hapësirë për të menduar se tek Ambasadori Grenell instinkti i lobistit prevalon ndaj vlerësimit analitik dhe të matur të një diplomati.
Përqëndrimi i shumë çështjeve në Shtëpinë e Bardhë e zbeh filtrimin e ekspertizës së Departamentit të Shtetit dhe krijon hapësira më të mëdha për kompanitë e lobimit. Linja që ndjekin lobistët jo përherë përkon me interesat kombëtare amerikane ose të shteteve të tjera. P.sh. një nga donatorët më të afërt të Trump, Mike Rubino, ka lobuar prej vitesh për partinë e Dodik në Republikën Serbe të B-H.
Në të njëjtën kohë, Ambasadori amerikan në Sarajevë nuk e takonte zyrtarisht Dodikun dhe në vitin 2017 autoritetet amerikane e kishin përfshirë në listën e sanksioneve për shkak “të veprimeve të tij me rrezik esencial për të shkatërruar Marrëveshjen e Dejtonit”. Pak a shumë e njëjta gjë ndodhi së fundmi edhe gjatë zhvillimeve në Kosovë. Pas insistimit të Albin Kurtit për të mos hequr tarifat ndaj produkteve serbe pa marrë garanci për reciprocitetin, u aktivizuan disa segmente përreth Shtëpisë së Bardhë, duke e akuzuar Kurtin për antiamerikanizëm. Çuditërisht u përfshi edhe djali i Presidentit Trump, Donald Trump Jr., që mbështeti idenë e një senatori për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Kjo shënoi herën e parë që djali i presidentit prononcohet publikisht për një çështje politike. Ish- Komandanti i Forcave ushtarake amerikane në Europë Ben Hodges reagoi menjëherë duke deklaruar se KFOR-i është e vetmja spirance stabiliteti në rajon dhe tërheqja e trupave amerikane tani do të ishte një gabim i madh.
Ka një tendencë në retorikën politike të Kosovës, mbështetur edhe nga disa segmente në Shtëpinë e Bardhë, që çdo kundërshtim ndaj procesit të bisedimeve Serbi-Kosovë të etiketohet si antiamerikanizëm. Kjo gjë nuk qëndron, për sa kohë vetë linja amerikane nuk duket e farkëtuar në të gjitha hallkat e administratës amerikane, si dhe nuk është bashkërenduar me vendet e Kuintit. Aq më tepër kur bisedimet po zhvillohen të mbyllura dhe ndërkohë që flitet për një marrëveshje të madhe, vetëm një grusht njerëzish është në dijeni se cfarë bisedohet konkretisht aty.
Çfarë mund të bëhet më tej?
Plani për shkëmbimin e territoreve është një humbje për Kosovën, pasi zhbën të gjitha arritjet e deritanishme, vë në pikëpyetje integritetin në skenën ndërkombëtare, rrit skepticizmin ndaj aleatëve, forcon kundërshtimet nga vendet që nuk e kanë njohur, si dhe hap konflikte të reja brenda vendit dhe në rajon të pallogaritshme dhe ndoshta të papërballueshme. Ndarja është një projekt serb, i hedhur në qarkullim nga disa kompani lobistësh amerikanë përmes gojës së Hashim Thaçit. Plani i ndarjes nuk është projekt amerikan, sepse nuk e ka origjinën as nga Departamenti i Shtetit dhe as nga ndonjë institucion tjetër zyrtar. Kjo ide po i ofrohet Presidentit Trump si një mënyrë për të arritur një sukses të shpejtë në politikën e jashtme në prag të zgjedhjeve presidenciale në nëntor të këtij viti.
Trysnia mund të shtohet, duke pasur parasysh emërimin e Grenellit si Drejtor i përkohshëm i Agjencive Kombëtare të Inteligjencës. Nuk përjashtohet mundësia, që linjës së ndryshimit të kufijve ti bashkohen edhe qarqe të ndryshme të inteligjencës amerikane, në varësi të direktivave që mund të vijnë nga kreu i sapoemëruar i tyre. Përpjekjet për një zgjidhje të tillë të bisedimeve Kosovë-Serbi duhen analizuar edhe në kontekstin e zhvillimeve politike ndërkombëtare. Nuk duket çudi që kjo të jetë një zgjidhje në kuadrin e një paketë më të gjerë çështjesh. Së fundmi pati disa zhvillime edhe në Ukrainë. Më 11 mars 2020 në Minsk, zyrtarët ukrainas nënshkruan një protokoll që lehtëson bisedimet direkte mes qeverisë ukrainase dhe forcave separatiste pro ruse të krahinës Donbas. Protokolli u nënshkrua në kuadrin e Grupit Trilateral të Kontaktit, që përbëhet nga OSBE, Rusia dhe Ukraina. Nëse ky protokoll hyn në fuqi, do të ishte një fitore për Kremlinin, në funksion të legjitimitetit të kërkesave të forcave pro ruse në këtë krahinë. Prej kohësh po flitet për një lodhje të perëndimit karshi Rusisë lidhur me “konfliktet e ngrira”. Në mënyrë konsekuente Putini ka hequr paralele mes Krimesë dhe Kosovës. Duhet shpresuar që kjo lodhje e perëndimit të mos shtrihet edhe në Ballkan.
Ka rënë në sy jo pak herë fakti i pranisë së djalit të miliarderit George Soros, Alex Soros, në rajon sa herë që ka pasur takime të rëndësishme rajonale. Një nga punimet më të detajuara mbi një ndryshim të mundshëm të kufijve është hartuar nga Zyra e Fondacionit për Shoqëri të Hapur (Soros) në Beograd në prill 2018. Sipas këtij plani, Trepça do të menaxhohet për një afat kohor 100-vjeçar nga disa kompani ndërkombëtare. Menaxhimi i Trepçës ka qenë në fokus të një analize të Grupit Ndërkombëtar të Krizave titulluar “Trepca, Sensi i një Labirinthi”, hartuar me 26 nëntor 1999. Pra vetëm pak muaj pas çlirimit të Kosovës, INK i kushtonte Trepçës një vëmendje të veçantë. Një nga anëtarët e Bordit Drejtues të INK-së, si dhe financuesi kryesorë i saj, është George Soros.
Shpesh herë Presidenti Thaçi ka theksuar se përmes kësaj marrëveshje Kosova do ta heqë qafe Serbinë. Përmes ndryshimit të kufijve, Thaçi po kërkon ta heqë Serbinë nga qafa e tij, duke e hedhur Kosovën në prehrin e Serbisë. Kjo marrëveshje nuk garanton as njohjen nga Serbia dhe as miratimin e Rusisë dhe Kinës për anëtarësim të Kosovës në OKB.
Pra ngado të hedhësh vështrimin lidhur me planin për ndryshimin e kufijve në skenë dalin kompani lobistësh, multimiliarderë dhe politikanë të kapur e të frikësuar nga drejtësia ndërkombëtare.
Kundërshtimi i planit të ndarjes duhet të jetë një nga detyrat kryesore të gjithë faktorit politik shqiptar. Nuk është e lehtë, duke pasur parasysh qëndrimet pro të Kreut të Shtetit të Kosovës dhe Kryeministrit të Shqipërisë.
Faktori shqiptar duhet të organizojë një Tryezë Mbarëkombëtare me të gjitha forcat politike shqiptare që janë kundër planit të ndryshimit të kufijve. Tryeza mund të përpilojë një Platformë Kombëtare që kundërshton me argumentë ndërdisiplinorë idenë e shkëmbimit të territoreve. Platforma duhet të jetë konkrete dhe me impakt në faktorin ndërkombëtar.
Diaspora shqiptare në SHBA duhet angazhuar në të gjitha drejtimet, duke shfrytëzuar aksesin e saj në të gjitha hallkat e administratës amerikane;
Duhet rritur bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar, analistët e huaj, ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, ish-diplomatë, përfaqësues të NGO-ve të njohura dhe përfaqësues të medias prestigjioze, që kanë qenë mjaft të zëshëm kundër këtij projekti;
Duhen sensibilizuar së tepërmi ato vende të Kuintit që kanë kundërshtuar haptazi këtë ide (Gjermania, Britania e Madhe), si vendet pak më të tërhequra (Italia, Franca).
Duhet mbështetur kërkesa e kancelares Merkel që bisedimet të drejtohen nga Qeveria e Kosovës. Presidenti Thaci është me duar të lidhura nga frika e shkuarjes në Gjykatën e Hagës. Tashmë ai është bërë një barrë e rëndë, si për Kosovën, ashtu edhe për hapjen dhe rinovimin e PDK-së.
Në Tiranë, barra kryesore e këtyre përpjekjeve duhet t’i bjerë opozitës aktuale. Ndalimin e planit të ndryshimit të kufijve opozita qiptare duhet ta përfshijë në agjendën e lobimit të saj në Uashington.
*Autori është historian