Nga pronarët e mediave te kompanitë off shore/ Emrat e përfshirë në skemën e koncesionit të inceneratorëve

Koncesione, Partneritete Publik-Privat, tendera, korrupsion, skandale, akuza të pafundme janë hedhur në lidhje me një grup biznesmenësh dhe qeverinë shqiptare për përpunimin e mbetjeve, e cila fillon në Elbasan, shkon në Fier dhe përfundon në Tiranë.

Disa qindra milion euro, ku ndërlidhen të njëjtët emra, të njëjtët personazhe, por me emra kompanish të ndryshme, të cilat fillojnë në Tiranë, përfundojnë në Maltë dhe në Hollandë. Personazhe me emra të ndryshuar, dhe me të kaluar të dyshimtë. Të akuzuar si pjesë e grupeve kriminale, por në kompanitë e lidhura me njëra-tjetrën, nuk mungojnë edhe ish-menaxher lokalesh, juristë, persona pa asnjë aktivitet biznesi që në një moment të caktuar shpërthejnë dhe marrin koncesione qindra million euro, përfshirë televizione, politikanë, biznesmenë.

Akuza të cilat janë skandal pas skandali dhe gjithçka përfundon me heshtje. Sepse opozita denoncon bosh dhe asgjë nuk shkon në hetim. Por edhe organet e drejtësisë, të cilat janë aty për të hetuar dhe për të zbardhur korrupsionin e një rrjeti zinxhir kompanish të përfshirë bashkë me qeverinë shqiptare, nuk e bëjnë. Nuk e zbardhin as SPAK, as drejtësia e re, askush. Pa folur për mediat e blera, të cilat pa asnjë çudi tashmë, ekskluzivisht dhe jo vetëm Top Channel, për shembull, aksionerët e të cilit kanë një kompani të përbashkët me aksionerët e inceneratorëve.

Por, si lidhen këto skema? Si lidhen këta emra? Kush janë kompanitë?

Përtej akuzave politike, përtej akuzave të hedhura ndaj qeverisë, të qëndrojmë tek subjektet, lidhjet e tyre dhe si përfundojnë këto në media.

Emri më i përfolur dhe më i akuzuar është Klodian Zoto, pronari me 100% të aksioneve të kompanisë Integrated Technology Services. Një kompani e cila është kryesorja në skemën e koncesioneve të mbetjeve dhe inceneratorëve. Sipas të dhënave zyrtare, nxjerrë nga QKB-ja, Klodian Zoto e ka filluar këtë kompani në vitin 2010 dhe çuditërisht zhvillimin më të madh e ka marrë me ardhjen e Rilindjes në pushtet, ku ka filluar të krijojë punë për veten dhe të ardhura më të mëdha.

Personi i cili e përfaqëson, sipas dokumentave të QKB-së, është Denisa Tollkuçi, megjtihëse ai është administrator i përgjithshëm, ai ka lëshuar një prokurë të posaçme dhe i ka dhënë një përfaqësim zonjës Tollkuçi.

Sipas të dhënave zyrtare, kjo kompani ka zyrat e saj në Fier dhe në Elbasan tek kantieri i përpunimit te impianti i përpunimit të mbetjeve urbane, tek nënstacioni elektrik në Fushë Mbret.

Por, më tej duke kërkuar në dokumenta zbulojmë një tjetër kompani e cila ka pothuajse të njëjtën adresë dhe zhvillon aktivitetin në të njëjtin vend. Kompania quhet Albtek Energy. Kjo është kompania e cila ka marrë me koncesion inceneratorin e Elbasanit. Edhe kjo ka adresën tek Impianti i Përpunimit të Mbetjeve Urbane, Nënstacioni elektrik, Fushë Mbret, pra ka të njëjtën adresë, që ka edhe kompania e Klodian Zotos në Elbasan.

Pra, këtu lidhet Klodian Zoto me inceneratorin e Elbasanit dhe pronaren e këtij inceneratori që është Stela Gugallja, e cila ka hapur këtë kompani në vitin 2014. Në 10 korrik të 2014, dhe më pas çuditërisht edhe pse nuk ka ndonjë aktivitet të madh të mëparshëm biznesi bëhet pronare e inceneratorëve, duke fituar dhjetëra million euro koncesion.

Nga të dhënat që përputhen me adresën, nuk është thjeshtë dhe vetëm kjo e Elbasanit, por duke shkuar më tej zbulohen edhe disa të dhëna të tjera të kompanive të ndryshme të Stelës apo Klodian Zotos, që kanë të njëjtën adresë.

Duke investiguar me dokumenta, shkojmë tek kompania e tretë. Këtë herë sërisht duke kërkuar emrin e Stela Gugallës, e cila sapo na doli se kishte të njëjtat zyra me Klodian Zoton, me kompaninë Integrated Technology Services. Albtek Energy, kompania e Stelës ishte ajo që mbante koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

Por, çfarë rezulton?

Rezulton se në vitin 2016, janë themeluar në të njëjtën kohë, thuajse për katër apo pesë ditë, dy kompani të reja. Një me shtetas italianë, dhe një kompani tjetër, ku aksionere është Stela Gugallja me 40% të kuotave dhe administrator është Mirel Mërtiri, një nga emrat e shumëpërfolur në lidhje me koncesionin e inceneratorëve.

Ky i fundit më parë nuk dilte në dokumenta, por tashmë është i qartë se kush është lidhja e Mirel Mërtirit me koncesionin e inceneratorëve dhe ky koncesion përfundon deri tek aksionet e përbashkëta në kompaninë e Vjollca Hoxhën e Top Channelit, dhe bashkëshorten e ish-deputetit Ben Blushi.

Në datën 19 prill, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është regjistruar kompania Energy Recuperator. Kjo kompani e huaj, ka përfaqësues ligjor shtetasit Ernesto Graneli si dhe përfaqësues ligjor të zyrës së përfaqësimit Mario Graneli.

Këta janë dy personat përgjegjës dhe zyra e tyre ndodhet tek kompleksi Concord Center, kulla 3, shkalla 2, kati i pestë. Me këtë adresë, fiks apartamenti 29.

Në këtë adresë na rezulton fiks edhe një kompani tjetër, e cila ka emrin ER One Albania, pra Energji Recuperator One Albania. Ndoshta ka një emër që vjen nga kompania e parë e aksionerëve italianë.

Por, çfarë e lidh ER One me Stela Gugallajn apo me Klodian Zoton dhe italianët?

ER One Albania është një kompani e themeluar vetëm pesë ditë pas Energy Recuperator, e cila tashmë pas regjistrimit, vetë një javë më pas bëhet aksionere dhe 60% në një kompani tjetër, e cila quhet ER One Albania shpk, ku 40% të aksioneve i ka Stela Gugallja e inceneratorit të Elbasanit dhe Albtek Energy, dhe administrator i kompanisë është Mirel Mërtiri. Pra, këto janë katër kompanitë e lidhura në rrjet me njëra-tjetrën, me të njëjtat adresa, me pothuajse të njëjtin aktivitet biznesi dhe që ushtrojnë të njëjtat funksione.

LEXO EDHE  OSHEE thirrje debitorëve: Bëhuni pjesë e aktmarrëveshjes për faljen e kamatëvonesës, ja deri kur ka afat

Pra, janë të përfshira në koncesionet e qeverisë, PPP-të, dhe Stala Gugallja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë treshja e famshme e shumëpërfolur, por dhe një emër tjetër që del nga këto është ai që ne përmendem më lart. Emri i Denisa Tollkuçit. Jo pa qëllim e përmendëm këtë emër, i cili del përfaqësuese edhe në një tjetër kompani. Në EM Capital Group, kompania e pestë e cila lidh për herë të parë në Shqipëri aksionerë koncesionesh dhe PPP, aksionerë të inceneratorëve me një media. Për herë të parë në Shqipëri kjo vërtetohet në dokumenta.

Në vitin 2016, lind një tjetër kompani, Integreted Technology Waste Treatment në Fier, e cila ka të njëjtën adresë me një nga kompanitë e Klodian Zotos. Kjo kompani ka ortak Integrated Technology Services. Pra 70% të aksioneve dhe ndërmarrjen Ndërtim Montimi, Patos. Integrated Technology Services, e cila është kompania që mban 70% të aksioneve Integreted Technology Waste Treatment në Fier, është ITS, kompania e parë që ne përmendem, e cila ka pronar me 100% të kuotave Klodian Zoton. Ky i fundit ka hapur një kompani të re për inceneratorin e Fierit ku ka futur brenda saj dhe një tjetër aksioner. Pra, lidhja e tyre bëhet edhe më e madhe. Shtohet edhe një kompani brenda me 30% të aksioneve, e cila është Ndërtim dhe Montim Patos, Fier. Kjo kompani, pra kompania e hapur për Fierin është në të njëjtën adresë me kompaninë e parë të Klodian Zotos në Fier dhe në të njëjtën adresë në Tiranë.

Por, këtu del qartë që Klodian Zoto ka hapur një tjetër kompani dhe e ka çuar këtë vetëm për inceneratorin e Fierit.

Sipas ekstrakteve që ne kemi renditur më sipër, pra kompania e parë, e dytë, e tretë dhe e katërt, ne po sjellim dhe ekstraktin e pestë. Ky është i EM Capital Group, kompania e cila ka blerë 51% të aksioneve të Valtelina Kafe, e cila mban emrin tregtar Lori Kafe dhe që ka të njëjtët aksionerë me Top Channel.

Dhe në këtë kompani EM Capital Group, sipas ekstraktit të arrë nga Bullgaria, rezulton se aksionerë janë Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Eva Blushi, kjo e fundit bashkëshortja e drejtorit të Top Channel, Ben Blushi.

Më pas me rreth 2.2 milion dollarë kjo kompani ka zbarkuar në Shqipëri dhe ka blerë Valtelina Kafe. Kjo është një skemë ku del qartë nëpërmjet kompanive të ndryshme, adresave dhe vendodhjeve të tyre, sesi lidhen kompanitë e italianit, Ernesto Graneli me Stela Gugalljan dhe Mirel Mërtirin, por edhe me Albtech Energy, që ka inceneratorin e Elbasanit dhe ku Stela Gugallja është aksionere e vetme apo dhe tek Klodian Zoto, Integrated Technology Services, kompania e cila mban të njëjtën adresë dhe të njëjtat zyra me kompanitë e Stelës, Klodianit, italianit Ernesto Granelit dhe vetë Mirel Mërtirit.

Ky i fundit në një investigim tonin del edhe në off shore, në një organizatë gazetarësh ai del në një kompani të regjistruar në Maltë, e cila quhet sipas të dhënave, KL Group LTD.

Kjo është një parajsë fiskale ku është regjistruar kompania e Mirel Mërtirit, i cili deri më sot është përfolur, por asnjëherë deri ë sot nuk është vërtetuar me dokumenta lidhja e tij me Klodian Zoton, Stela Gugallja të inceneratorit të Elbasanit dhe një shtetasi italian.

Deri këtu ne kemi treguar me dokumenta lidhjen e katër personave dhe bashkëortakërinë me kompaninë bullgare EM Capital Group, e cila ka blerë Valtelina Kafe dhe sipas ekstraktit të QKR-së, mund ta shikoni në faqen e parë, në faqen e dytë aksioneren e Valtelina Kafesë, pra ortakërinë e Vjollca Hoxhës me EM Capital Group.

Më tej nga të dhënat tona rezulton se ka një lidhje të fortë familjare të Mirel Mërtirit me Stela Bugallën. Pra, nuk janë thjeshtë emra të rastësishëm, por janë bashkëjetues në një nga zonat rezidenciale të kryeqytetit dhe kompanitë janë një rrjet i ndërtuar qëllimisht dhe jo vetëm për aktivitetin e inceneratorëve.

Sipas këtyre dokumentave është e vërtetuar katërcipërisht për herë të parë lidhja inceneratorë-media. Por, dhe mënyra sesi kompani, të regjistruar me emra të ndryshme janë thuajse të njëjtat, kanë të njëjtët pronarë, por nëpër letra, lëvizet diku te Klodi, dikur te Stela, te Mërtiri, te një italian, e kështu me radhë.

Këto janë kompanitë dhe këto janë ektraktet që ne sollëm më sipër dhe që tregojnë qartësisht se kush është përfshirë në skemën e inceneratorëve, nga Elbasani në Fier. Sepse investigimi ynë nuk përfundon deri këtu. Do të shkojmë më tej edhe tek inceneratori i Tiranës. Pra, zhvillimi i një kompanie hollandeze me një koncesion 30-vjeçar, për 128 milion euro dhe ky i lidhur me disa skandale, akuza dhe korrupsione, për të cilat është drejtuar gishti nga Bashkia e Tiranës këtë herë tek Erion Veliaj.

Faktet flasin vetë, emrat janë, por CNA.al do të sjellë më tej edhe të dhëna të tjera ekskluzive në lidhje me këto koncesione ku ende askush zyrtarisht nuk po heton. Jo thjeshtë për procedurë, por për lidhjet sesi kompani dhe individë të njëjtë përfitojnë koncesione.

Në një moment të caktuar dalin nga dheu emra personash e një aktivitet të çuditshëm biznesi më parë, pa të ardhura dhe më pas marrin koncesione me qindra million euro, kredira në shumë të mëdha nëpër banka të nivelit të dytë por edhe me skema të ndryshme që nuk ndalen vetëm tek koncesioni, por dhe me tarifat e përpunimit të mbetjeve dhe mënyrën e administrimit të landfilleve, siç është ai i Tiranës, apo rasti i dy inceneratorëve që qeveria ka paguar para pa filluar puna. / CNA.al/