Paloka-Xhaçkës: Lere propogandën, jep shpjegime për tenderin 1.5 mln euro të ushqimeve

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila i konsideron akuzat e opozitës për tenderin 1.5 mln euro, si të pabaza dhe i ka bërë thirrje SPAK që t´i hetojë sa më shpejt.

“Propagandë, propagandë, propagandë. Asnjë shpjegim nga Olta Xhaçka për tenderin e paracaktuar të ushqimeve. Asnjë përgjigje për pyetjet më të thjeshta të mundshme: Pse tenderi iu dha një kompanie kompjuterash? Si u informua Olta Xhaçka që kompania e kompjuterave 6 ditë para tenderit ishte regjistruar dhe si kompani ushqimesh? Pse tenderi për rezervat e shtetit u vonua gati një muaj nga shpërthimi i epidemisë?”, shkruan Paloka në një postim në rrjetet sociale.

LEXO EDHE  Aksidentohet duke punuar, humb jetën

Në vijim, nënkryetari i PD-së shprehet se Olta Xhaçka ua ka këtë borxh shqiptarëve.

“Ajo nuk mund të “trimërohet” nga mungesa e veprimeve të deritanishme të SPAK. Hartimet propagandistike janë të pavlera. Në çdo vend të botës, me drejtësi të pavarur dhe në shërbim të qytetarëve, sot Olta Xhacka nuk do të ishte në zyrë duke shkruar hartime apo duke i dhënë tendera shokëve të burrit, por do të ishte shkarkuar dhe nën hetim!”, shprehet Paloka.