Nga Janna Brancolini
Milano, 24 tetor 1942. Atë ditë me kohë të mirë fëmijët që sapo kishin ardhur nga shkolla po luanin jashtë. Elisa Andreoni, atëherë 6 vjeç, po luante para pallatit të saj pesëkatësh në lagjen elegante Corso Buenos Aires. Sapo dëgjoi sirenat vrapoi.
Në pak çaste nëna e rrëmbeu atë dhe vëllain e saj 3-vjeçar dhe i futi në strehën kundër bombave në bodrum. Babai i saj mbylli dyqanin dhe vrapoi duke thirrur fqinjët përtej rrugës, që shisnin bukë.
“Shpejt se erdhën” thirri ai, ndërsa aeroplanët aleatë u afruan. Kur babai i Elisës, Antonio mbërriti në bodrum, një zhurmë shurdhuese kërciti sipër; ai u fut në strehim pak sekonda para se të shpërthente bomba e parë aty afër.
Në bodrum, Elisa shtrëngonte dorën e nënës së saj. Kur gjithçka kaloi ata dolën dhe panë që tymi mbushte ajrin dhe çatitë po digjeshin. Ndërtesa përtej rrugës u shkatërrua. Shumica e njerëzve brenda kishin vdekur, përfshirë burrin që shiste bukë, gruan e tij shtatzënë dhe një fëmijë në moshën e Elisës. Ashtu si gjithë të tjetrët nga gjenerata e saj që i mbijetuan Luftës së Dytë Botërore, Elisa Andreoni tani po jeton e mbyllur nga koronavirusi, gjë që kurrë nuk e kishte imagjinuar – për vendin e saj që po goditet aq fort.
Italia është ndër vendet më të prekura nga pandemia botërore, me më shumë se njëqind mijë të infektuar dhe me mbi 10 mijë viktima. Qindra të vdekur çdo ditë. Më shumë se 6.800 vdekje janë raportuar vetëm nga rajoni verior i Lombardisë. Një raport i 20 Marsit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Italiane zbuloi se mosha mesatare e viktimave ishte 78.5, dhe se 70 për qind e tyre ishin burra. “Ne i mbijetuam luftës,” thotë Andreoni, tani 84 vjeç, me telefon nga shtëpia e saj në Milano. “Ne u mbijetuam tragjedive të vërteta. I kemi parë nga afër. Por një gjë të tillë nuk e kam parë kurrë.”
Lufta ishte shumë më vdekjeprurëse dhe, në shumë raste, më traumatike për italianët, thonë disa të mbijetuar të Luftës së Dytë Botërore në intervista. Fillimisht Italia ishte në krahë të Gjermanisë naziste, derisa Benito Musolini u rrëzua në 1943. Gjermania pushtoi shpejt vendin dhe filloi një luftë civile midis fashistëve ende besnikë të Musolini dhe anëtarëve të Rezistencës Italiane që mbështetën Aleatët. Rreth 150,000 civilë italianë vdiqën gjatë luftës, qytete të tëra u shkatërruan.
Rreth 4.3 milion njerëz të lindur para ose gjatë luftës janë akoma të gjallë në Itali sot, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave Italiane. Shumë të mbijetuar nga lufta e përshkruajnë veten po aq të shqetësuar nga imazhet e urgjencës shëndetësore që dalin nga vendi e sidomos nga Lombardia: spitale të tejmbushur me pacientët në respiratorë, kamionë të transportit ushtarak që transportojnë arkivole për në krematorium, foto të mjekëve dhe infermierëve të cilët janë infektuar dhe disa kanë vdekur.
“Kjo është tmerrësisht shqetësuese,” thotë Teresa, 97 vjeçe, e cila jeton në një qytet të vogël afër Liqenit Iseo, në rrëzë të Alpeve Italiane. “Kuk kam shqetësim për vete, sepse e kam jetuar jetën time, por për familjen time.” Tereza ka katër fëmijë, tetë nipër e mbesa. Ajo ka qenë 18 vjeçe kur nisi Lufta e Dytë Botërore, një vit më vonë u fejua e pas një viti jur ishte 20 ata u martuan. Një vit më vonë, lindi fëmija. “Ne jetonim shumë keq sepse ishim në luftë,” thotë ajo.
“Kishim pak për të ngrënë dhe frikë të vazhdueshme.” Edhe pse jetonte në qytezë të vogël, forcat aleate dhe ata gjermane bombardonin vazhdimisht sepse pranë ishte një fabrikë armësh, thotë ajo.
“Kam shpëtuar shumë herë prej bombave me fëmijën tim,” thotë ajo. Por edhe pse kishte bombardime, njerëzit dilnin në punë. Tereza si rrobaqepëse, shkonte gati përditë në Breshia, ku edhe fëmijët e qytetit vijonin shkollën. Tani, për shkak të koronavirusit, shkollat janë mbyllur, bizneset “jo-thelbësore” po ashtu, të paktën deri në prill, dhe askush nuk lëviz në rrugë.
Policia po zbaton urdhrat për bllokim në shtëpi me gjobë deri në 3,000 euro. “Njerëzit më telefonojnë vazhdimisht, por unë jam në shtëpi vetëm,” thotë Teresa. “Më parë shumë njerëz vinin e më shikonin, por tani ata nuk mund të vijnë.”
I vetmi person që mund ta vizitojë është i biri 52 vjeç, i cili jeton në të njëjtin pallat me të, me gruan dhe fëmijët. Ajo thotë se e kalon kohën duke parë lajme dhe duke qepur maska leckash që fëmijët ti veshin kur dalin në oborr.
“Prej më shumë se një muaji, lajmet nuk japin gjë tjetër përveç njerëzve në maska dhe ambulancave”, thotë ajo. Kur dikush në qytet sëmuret ose vdes, të gjithë e marrin vesh menjëherë. Situata është surrealiste, por masat e bllokimit janë të domosdoshme për të parandaluar këtë krizë, thotë Paolo Martelli, 90 vjeç, një ekonomist në pension nga Milanoja, i cili është prej dy javësh në karantinë të plotë bashkë me gruan e tij, sepse kishin udhëtuar në Spanjë para shpërthimit të koronavirusit. Një vajzë u sjell atyre sende ushqimore. Gjatë luftës, familja e Martellit u zhvendos përkohësisht nga Milanoja në Liqenin Magiore, rreth 50 milje në veri për tu shpëtuar bombave.
Atje ai shkonte me biçikletë në shkollë dhe në dimër në çantën e tij mbante një çarçaf të bardhë, në mënyrë që të mund të mbulohej me të në dëborë nëse ndonjë aeroplan bombardues kalonte sipër.
“Pandemia e koronavirusit është ndryshe”, thotë ai, “sepse problemet ekonomike do të zgjasin më shumë sesa vetë kriza shëndetësore. Është e qartë se do të ketë pasoja. Me mbylljen e fabrikave, humbjen e vendeve të punës, etj., Me siguri do të duhet kohë për t’u rikthyer në të njëjtat nivele prodhimi si më pare,” thotë ai. Por ndryshe nga Lufta e Dytë Botërore, kjo luftë ka të bëjë me shëndetin publik. “Në luftë ishim të gjithë kundër të gjithëve. Tani është e gjithë bota është bashkë kundër koronavirusit,” thotë ai. /Los Angeles Times