Nga Boldnews.al
Vilma Nushi, një ish-ortake e mistrit të qeverisë Rama, Arben Ahmetajt, fitoi, në vitin 2014, kontratën kontraverse koncensionare për kontrollin e shëndetit bazë, i njohur si “Check-Up”, në bazë të të cilit do të përfitojë mbi 120 milionë euro për 10 vjet.
Ky koncension, ndër më të shtrenjtët e realizuar në Shqipëri, është shoqëruar me dyshime të forta për raporte klienteliste mes qeverisë dhe biznesmenes Vilma, Nushi, për fatura të mbifryra financiare, si edhe një ndër “gropa thithëse të buxhetit të shtetit, në një kohë kur vendi po përballet me epideminë e rrezikshme të korona-virusit.
Ortakëria me Arben Ahmetaj
Vilma Nushi ka nisur aktivitetin privat në vitin 1997, kur krijoi kompaninë “Marketing & Distribution”.
Ndërkohë, Arben Ahmetaj, i cili më vonë u shndërrua në një prej ministrave më të fuqishëm të qeverisë “Rama”, krijoi kompaninë “Hermes” në vitin 2000, në të cilën zotëronte 75% të saj.
Pas disa veprimeve financiare, kuotat e Ahmetaj zbresin në 63% dhe ato ia kalon Albina Mançkas, bashkëshortes së tij.
Në vitin 2006, në kompaninë “Hermes” bashkohet edhe Vilma Nushi, e cila blen 12.5% të aksioneve nga ortakët e tjerë. Mançka dhe Nushi zotëronin pjesën më të madhe të kapitalit të “Hermes”, kur kjo e fundit u përthith nga “H-Communication”.
Në kompaninë e re, Mançka dhe motra e Vilma Nushit, Majlinda Hido, mbajnë pozicionet si anëtare të Bordit Drejtues.
Bashkëpunimi i dukshëm mes Nushit dhe bashkëshortes së Arben Ahmetajt ndërpritet në vitin 2011, kur “H-Communication” përthithet nga “Albania Online”.
Tenderi i Check -Up
Vilma Nushi nuk ishte aspak e panjohur për Edi Ramën, kur qeveria e tij, në prill 2014, miratoi vendimin për dhënien me koncension të shërbimit të kontrollit bazë të shëndetit.
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 185, dt. 2 Prill 2014, kategoria e qytetarëve në moshën 40-65 vjeç do të kryente kontrollet shëndetësore pa pagesë.
VKM-ja parashikonte që kompania koncensionare do të kryente kontrollin me mjetet dhe shpenzimet e saj dhe do të paguhej në mënyrë periodike nga shteti shqiptar për 10 vjet.
Në Nëntor 2014, Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar në atë kohë nga Ilir Beqaj, shpall tenderin për dhënien me koncension të shërbimit për kontrollin bazë të shëndetit.
Vlera e tenderit ishte 138 miliardë lekë (të vjetra), rreth 120 milionë euro. Në tender morën pjesë 5 kompani. Në përfundim, në Janar 2015, Ministria e Shëndetësisë shpalli fitues kompaninë “3P Life Logistic”, e përbërë nga bashkimi i operatorëve ‘Marketing & Distribution” e Vilma Nushit me 80% dhe “Trimed” me 20%.
Gara krijoi dyshime për veprime fiktive. Tre prej kompanive, e konkretisht “Genius”; “Natural Pharma Europe” dhe “Pegasus” u paraqitën në tender, pa dhënë asnjë ofertë ekonomike.
Ato u skualifikuan dhe në garë mbetën “3P Life Logistic” dhe “Proton”.
Në bazë të të dhënave zyrtare, kompania “Proton” ofroi vlerën më të ulët për të kryer shërbimin për llogari të shtetit shqiptar, rreth 6.1 miliarë lekë (të vjetra).
Por, Ministria e Shëndetësisë vendosi që kontratën koncensionare ta lidhte me bashkimin e operatorëve “Marketing & Distribution” dhe “Trimed”, të dyja të kontrolluara në shumicë absolute nga Vilma Nushi dhe familjarë të saj.
Në vitin 2016, Këshilli i Ministrave vendosi të zgjeronte fashën e moshës që do t’i nënshtrohej “Check-Up, duke e çuar në 35-70 vjeç, një mënyrë kjo për të shtuar “klientët” e kontrollit bazë shëndetësor.
Vilma Nushi= “Check Up”
Biznesmenia Vilma Nushi kontrollon thuajse të gjithë paketën e kompania koncensionare e shërbimit Check Up, “3P Life Logistic”.
Shumicën e aksioneve në kompaninë koncensionare e ka “Marketing e Distribution”, e krijuar në vitin 1997 dhe në pronësi 100 përqind të Vilma Nushit.
Kompania tjetër, përbërëse e koncensionarit, është “Trimed”, në pronësi të Shani Peposhit (50%) dhe Endrit Hido (50%).
Vilma Nushi ka lidhje të forta me kompaninë “Trimed”. Kjo kompani është krijuar në vitin 2004 nga biznesmeni Shani Peposhi. Rreth 4 vjet pas krijimit, në vitin 2008, Peposhi i dhuron Vilma Nushit 50% të aksioneve të “Trimed”.
Vilma Nushi, në vitin 2017, pra, 3 vjet pasi kishin fituar koncensionin e “Check UP”, vendos të shesë aksionet e saj në “Trimed”, për vlerën 300 mijë euro.
Blerësi është një shtetas britanik, Dominic Noel William Evans, për të cilin, të dhëna publike thonë që është bashkëshorti i mbesës së saj, Ledina Hido (vajza e Majlinda Hido, motra e Vilma Nushit).
Në vitin 2019, britaniku Evans i shet aksionet e tij në ‘Trimed”, po për vlerën 300 mijë euro, shtetasit Endrit Hido, nipi i Vilma Nushit, vëllai i Ledina Hido.
Aktualisht, “Trimed” është në pronësi të Shani Peposhi (50%) dhe Endri Hido, nipi i Vilma Nushit (50%).
Praktikisht, familja e Vilma Nushit kontrollon 90 përqind të koncensionit të “Check UP”, nga të cilat 80% nëpërmjet “Marketing & Distribution” dhe gjysmën e 20% të “Trimed”, në total 10% të koncesionit, të cilat janë në pronësi të nipit të saj, Endrit Hido.
Shkeljet e “Check Up
Kontrata koncensionare për ‘Check Up” është kritikuar ashpër nga Partia Demokratike në opozitës. Sipas saj, tenderi është shoqëruar me abuzime të shumta dhe me marrëveshje klienteliste.
Për këto arsye, në janar 2020, Partia Demokratike dorëzoi edhe një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale-SPAK.
Por, krahas akuzave të opozitës, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit në vitin 2017, zbuloi një seri shkeljesh gjatë zbatimit të koncensionit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë auditimit, ka zbuluar se qeveria shqiptare i ka paguar kompanisë koncesionare, 4.7milionë euro për kontrolle të pakryera deri tani. “Në total koncesionari ka përfituar në mënyrë të padrejtë në 455mijë raste koston fikse të kontrolleve të pakryera për këtë shërbim, si dhe TVSH-në e të gjitha faturave” thuhet në raportin e KLSH-së, në vitin 2017.
Nuk ka asnjë informacion nëse konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë marrë në konsideratë dhe nëse janë identifikuar personat përgjegjës për shkeljet e rënda financiare.
Tenderat me miliarda për “Trimed”
Kompania “Marketing & Distribution” nuk rezulton të jetë e përfshirë në shumë tendera publike. Mesa duket, i ka mjaftuar vetëm koncensioni 120 milionë euro për të plotësuar pritshmëritë e kompanisë.
Sipas të dhënave të ‘Opendata”, kompania “Marketing & Distribution” ka fituar rreth 60 milionë lekë të vjetra në tendera të ndryshëm, gjatë periudhës 2015-2019.
Por, shumë më ndryshe është situata me “Trimed”. Kjo kompani është në top-listën e 5 kompanive që kanë fituar më shumë tendera në Shëndetësi, sipas të dhënave të “openprocurment”.
Për periudhën 2015-2019, “Trimed” ka përfituar në total mbi 8 miliardë lekë të vjetra (rreth 7 milionë euro) në plot 904 kontrata me sektorin e Shëndetësisë.
Në bazë të të dhënave zyrtare, “Trimed” rreth gjysmën e kontratave i ka fituar në procedura ku ka qenë konkuruese e vetme.
Në total, Vilma Nushi dhe familja e saj llogaritet të përfitojnë rreth 130 milionë euro, deri më tani. Nga këto, 120 milionë euro do të arkëtohen periodikisht vit pas viti, nëpërmjet kontratës koncensionare, deri në vitin 2024.
Ndërsa rreth 7 milionë euro të tjera janë përfituar, deri më tani, nga tenderat e kompanisë “Trimed”, e kontrolluar në 50% të saj nga nipi i Vilma Nushit.