Dëmi që pritet të shkaktohet nga shkëputja e zinxhirit ekonomik dhe frenimi i konsumit. Sektorët më të prekur dhe ata që përfitojnë, bazuar në peshën e tyre në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Sa mund të rezistojnë bizneset në këtë mbyllje totale dhe si mund të kthehet kriza në mundësi
Nga Ornela Liperi
Gjithçka ndali përnjëherësh. Lëvizja u kufizua, pjesa më e madhe e dyqaneve u mbyllën, një pjesë e madhe e punonjësve u detyruan të punonin nga shtëpia. Në një skenar që mund ta kishim parë vetëm në filma, aktiviteti pothuajse është bllokuar në vend, duke sjellë shkëputje të zinxhirit ekonomik, mosqarkullim të likuiditetit, që nëse zgjat, mund të rrezikojë pagat e punonjësve, mospagimin e taksave e më pas, efekt zinxhir në gjithë ekonominë.
“Monitor” ka intervistuar aktorët më të mëdhenj të tregut dhe ka përpunuar të dhënat e sektorëve sipas peshës që ata zënë në Prodhimin e Brendshëm Bruto, për të dhënë një ide të dëmit që pritet të shkaktohet nga shkëputja e zinxhirit ekonomik dhe frenimi i konsumit (shih grafikun në fund).
Tregtia (përveç produkteve të domosdoshme), shërbimet, akomodimi, bar-restorante e turizmi janë më të goditurat e momentit, së bashku me transportin, që pothuajse është paralizuar. Industria përpunuese dhe ndërtimi po arrijnë të punojnë, ndonëse me kapacitete të kufizuara. Bankat presin të kenë humbje, por që mund të menaxhohen. Më e fituara në këtë situatë mund të dalë bujqësia dhe industria përpunuese, që mund të shërbejnë si zëvendësuese për importet. Tregtia online, që për vite nuk arriti të gjente terren vitet e fundit, tashmë po merr zhvillim të shpejtë.
Se sa do të jenë pasojat në ekonomi, askush nuk arrin ta parashikojë për momentin. Por, gjithçka do të varet nga kohëzgjatja e situatës. Sa më shpejt të mbarojë ajo, aq më i fortë do të jetë rikuperimi dhe aq më pak do ta dëmtojë ekonominë. Bizneset e mëdha pohojnë se mund të rezistojnë deri në 3 muaj, por nëse bllokimi vazhdon, pasojat do të jenë të paparashikueshme. Sa më shumë të zgjasë bllokimi, aq më i lartë do të jetë dhe efekti psikologjik te konsumatorët, që do të tentojnë të kursejnë dhe të shtynë vendimet për blerjet e mëdha. Për subjektet e mesme e të vogla, mbijetesa është shumë më e shkurtër se tre muaj.
Sektorët më të prekur si transporti tregtia, shërbimet, baret e restorantet, akomodimi, turizmi, real- estate, një pjesë e industrisë përpunuese, kontributojnë në rreth 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), sipas strukturës së publikuar nga INSTAT (shih grafikun në fund). Por dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm si shërbimet financiare, ndërtimi etj po punojnë me kapacitete të reduktuara. Më i paprekur për momentin duket bujqësia, që jep rreth 20% të ekonomisë, por dhe ai mund të filluajë të vuajë nga problemet e likuiditetit.
Në këto kushte, ndërhyrja e qeverisë apo Bankës së Shqipërisë, përmes masave të jashtëzakonshme, që do të furnizonin tregun me likuiditet dhe do të nxisnin konsumin, do të mund të kompensonte disi rënien e sektorëve me peshë të konsiderueshme në PBB.
TREGTIA DHE SHËRBIMET NGECIN
Ekonomia shqiptare është e orientuar nga tregtia dhe shërbimet. Tregtia me shumicë dhe pakicë është kontributori i dytë më i madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, pas bujqësisë, me gati 11% të totalit. Shërbimet zënë 9% të PBB-së.
Nëse i shtojmë dhe akomodimin dhe shërbimin ushqimor, me rreth 2.2% të PBB-së, këta sektorë që përbëjnë rreth 22% të PBB-së janë pothuajse tërësisht të paralizuar. Tregtia po mbijeton kryesisht përmes shitjeve online, por ato mbeten të kufizuara për shkak të kulturës së ulët të pagesave online dhe pamundësisë për të shërbyer në pjesën më të madhe të vendit, përveç zonave qendrore.
Karburantet, konsumi bie me 90%, nëse vazhdon do të ketë vështirësi në pagesat e kredive
Tregtia e karburanteve ka një peshë të konsiderueshme në ekonomi sa i përket qarkullimit të parasë. Në renditjen e 200 kompanive më të mëdha që “Monitor” publikon çdo vit, të gjithë operatorët e tregtimit të karburanteve, qarkulluan 187 miliardë lekë, rreth 1.5 miliardë euro (rritje 18% me bazë vjetore), ose gati 17% të xhiros së 200 VIP-ave (në një pjesë të madhe, xhiro e kompanive rritet fiktivisht, duke kaluar nga një subjekt në tjetrin, për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregu në Shqipëri sot). 3 kompani janë ndër 10 më të mëdhenjtë (Kastrati sh.a.; Genklaudis; Europetrol Durrës, Albania).
Karburantet janë dhe një ndër kontributorët kryesorë në pagesën e TVSH-së në buxhet, sidomos për mbledhjen e këtij zëri në dogana. Burime nga kompania Kastrati, më e madhja në vend, thanë se që prej fillimit të kufizimit të qarkullimit, konsumi i karburantit ka rënë me 90%, teksa shumë automjete tashmë nuk lëvizin fare.
Konsumi total i naftës dhe benzinës në vend vlerësohet sipas operatorëve në rreth 1.1 milionë tonë, ose rreth 1.5 miliardë euro, duke përbërë rreth 15% të tregtisë me shumicë e pakicë gjithsej, sipas të dhënave të tjera të INSTAT.
Operatorët pohojnë se ata mund të vazhdojnë në këtë situatë dhe për pak kohë, duke përdorur likuiditetet rezervë, por ata po rezultojnë më të prekurit nga koronavirusi në fazën e parë. Humbjet e tyre kanë ardhur dhe si rrjedhojë e zhvlerësimit të rezervave të sigurisë, të cilat janë blerë me një çmim prej 600 euro/ton dhe sot vlejnë rreth 300 euro.
Nëse situata vijon e tillë, kompanitë pohojnë se do të kenë likuiditete sa për të paguar pagat dhe shpenzimet korente. Por, në rast se nuk do të arrihet së paku 70% e xhiros që kishin përpara krizës, ata paralajmërojnë se do ta kenë të pamundur që të paguajnë këstet e kredisë.
NDËRTIMI MË POZITIV, PRET EDHE RINDËRTIMIN
Ndërtimi është sektori i tretë me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, me rreth 9.3% të totalit dhe që ishte në një rritje të ndjeshme së fundmi. Ndërtimet e hoteleve në zonën e Golemit, më e frekuentuara nga turistët e huaj, po vijojnë normalisht edhe në këto ditë karantine. Hajredin Fratari, ndërtues, thotë se edhe pse në situatë kaotike, shumë sektorë mund të punojnë normalisht, si p.sh., ndërtimi ku kontaktet janë të pakta me njëri-tjetrin.
“Unë e shikoj situatën jashtëzakonisht të keqe, pasi në një muaj dhe dy do të shikohen edhe efektet. Këta janë disa sektorë ku punëtorët mezi presin rrogën në fund të muajit, siç është edhe ndërtimi, apo call center dhe fasonët”- tha ai. Sipas tij, qeveria duhet të mbështesë pezullimin e aktiviteteve financiarisht. Tani që mbaron paga që kanë marrë, duhet menduar ku do hanë gjithë këta njerëz.
Fratari është i mendimit se duhet të ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Ndërkohë që edhe rindërtimi është shtyrë pas pranverës, ai tha se duhet menduar edhe për njerëzit që kanë ngelur në çadra prej tërmetit, të cilët kanë nevojë për mbështetje financiare, pasi shumë prej tyre kanë humbur punën apo biznesin. Qeveria ndërkohë ka hapur së fundmi dy tenderë për rindërtimin e banesave dhe të shkollave.
Ndikimi i virusit te pasuritë e paluajtshme
Aktiviteti i pasurive të paluajtshme kontribuon në 5.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas INSTAT. Edhe pse e cilësojnë se është ende shpejt për të nxjerrë përfundime, apo për të bërë një analizë të plotë, agjencitë e pasurive të paluajtshme parashikojnë një të ardhme të afërt të zymtë në sektorin e patundshmërisë. Si të gjitha bizneset e tjera të fushës së shërbimeve, edhe agjencitë e pasurive të paluajtshme janë mbyllur.
Juliana Nela, brokere në “Remax”, thotë se do të këtë rënie të konsiderueshme. Ajo argumenton se për të marrë vendime të tilla, individët duhet të jenë të qetë nga ana psikologjike dhe situata e krijuar do të shoqërohet me ngarkesë psikologjike tek individët. Gjithashtu ajo thotë se padyshim kjo periudhë distancimi social e individëve do të ketë ndikimin e vet tek ecuria ekonomike, e cila do të shoqërohet me reduktim të ardhurash, si dhe falimentimin e bizneseve të vogla.
Klajdi Memajdini, menaxher shitjesh në agjencinë “Devinf”, tregon se edhe pse ka telefonata dhe interesime për prona, është e pamundur për të çuar individët te prona fizikisht, pra për të bërë një ndërmjetësim (takim) midis ofertës dhe kërkesës, pasi për shkak të virusit njerëzit po shmangin kontaktet e afërta. Për këtë, edhe drejtuesit e “Devinf” kanë vendosur të mos operojnë në këtë periudhë. Shpresa e tyre është që kjo situatë të mos zgjasë më shumë se 3 prilli, në të kundërt parashikimet e tyre janë tepër pesimiste për zhvillimin e tregut të patundshmërisë.
Memajdini shpjegon se një pjesë e qiradhënësve kanë si burim të vetëm të të ardhurave qiratë që marrin nga pronat që kanë hedhur në tregun imobiliar. Në rast ngërçi pagesash, shumë familje që mbahen nga ky burim të ardhurash do të jenë në vështirësi, duke sjellë blackout në treg. Edhe sikur pronat e tyre të lirohen nga qiramarrësit, do ta kenë të vështirë që t’i japë sërish me qira.
Ndërsa qiradhënësit që kanë burime të tjera të ardhurash do të jenë më fleksibël. Sipas Memajdinit, nëse kjo situatë zgjat për një kohë të gjatë do të ketë padyshim rishikim të çmimeve, sidomos për njësitë tregtare.
TURIZMI, MË I GODITURI
Së bashku me transportin ajror, turizmi pritet të vuajë pasojat më të mëdha. Operatorët turistikë pohojnë se për periudhën mars-maj prenotimet janë anuluar, ndërsa ato për verën janë vënë në pritje.
Turizmi ishte një sektor që po rritej me shpejtësi si rrjedhojë e futjes së Shqipërisë në listat e agjencive më të mëdha turistike, duke rritur kërkesën për paketa nga nordikët, polakët, çekët, izraelitët etj. Kjo kishte nxitur interesin e biznesit vendas për të investuar në shtimin e kapaciteteve akomoduese përmes hoteleve të reja.
Sipas INSTAT, lejet e dhëna për hotele në 2019-n, i korrespondonin një vlere investimi prej më shumë se 100 milionë eurosh, shumëfishim në raport me vitin e mëparshëm, duke tërhequr dhe financimet e bankave. Të paktën për këtë sezon situata është e vështirë, edhe pas tërmetit të 26 nëntorit, por operatorët shpresojnë që të rikuperohen vitin e ardhshëm.
Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) ka vlerësuar se kontributi i turizmit dhe udhëtimeve në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë ishte rreth 27.3% për vitin 2019. Kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në PBB vlerësohet të arrijë në 9.3% të PBB-së deri në vitin 2028. Në vitin 2018, turizmi mbështeti në mënyrë direkte hapjen e 286 mijë vende pune.
BUJQËSIA PO PUNON NORMALISHT
Segmenti më pak i prekur për momentin është bujqësia, e cila kontribuon në gati 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Tashmë është sezon mbjelljesh dhe prodhimi për tregun vendas. Sektori ka mundësinë të përfitojë nga kjo situatë, së bashku me agroindustrinë, pasi mund të zëvendësojnë importet.
Paradoksalisht, Shqipëria, ndonëse ka peshën më të lartë të bujqësisë në prodhimin e brendshëm bruto në Europë, me 20% (nga 2% mesatarja europiane dhe më pak se 10% te vendet e rajonit) nuk është një vend me prodhimtari të lartë të produkteve ushqimore, dhe shumica e tyre vjen nga importi. Në këtë konstrast, pesha e industrisë përpunuese ushqimore në Shqipëri është vetëm 0.9% e PBB-së. Serbia dhe Maqedonia kanë të zhvilluar industrinë e përpunimit ushqimor, me përkatësisht 3.6% dhe 2.9% të PBB-së, të paktën tre herë më të lartë sesa e Shqipërisë.
Këto dy vende kanë investuar dhe kanë mbështetur në zhvillimin e industrisë ushqimore (në Serbi renditet e para dhe në Maqedoni e dyta për peshën që zënë në totalin e industrisë përpunuese), ndonëse kontributi i bujqësisë në prodhimin e brendshëm bruto është shumë më i ulët në krahasim me Shqipërinë (përkatësisht 6 dhe 8% e PBB-së). Ismail Beka, ekspert i bujqësisë pohon se ky handikap i lartë mes peshës së bujqësisë dhe industrisë ushqimore tregon potencialin e lartë që ka kjo e fundit për tu zhvilluar.
TELEKOMUNIKACIONET, RËNIE E LEHTË
Informacioni dhe komunikacioni sjellin 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas operatorëve të telefonisë, puna vijon, ndonëse është ndier një rënie e lehtë në faturime, që ka ardhur si rrjedhojë e kufizimit të orareve të dyqaneve nga njëra anë. Nga ana tjetër, fakti që shumë njerëz janë të detyruar të rrinë në shtëpi, i bën ata që të përdorin më shumë shërbimin e Wi-Fi dhe të mos rimbushin shpesh celularët e tyre.
BANKAT PRESIN HUMBJE TË LEHTA
Aktivitetet financiare dhe të sigurimit kontribuojnë në 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Operatorët e tregut të sigurimeve pohojnë se tregu pothuajse është ndalur dhe po kryhen kryesisht rinovimet e kontratave të shëndetit.
Operatorët bankarë thonë se gjithçka do të varet nga kohëzgjatja e situatës. Deri në 3-4 muaj mund të menaxhohet situata me humbje të vogla, pasi dhe klientët mund të rezistojnë për një periudhë të tillë. Por nëse kohëzgjatja shkon përtej kësaj, mund të ketë më shumë pasoja në treguesin e kredive me probleme.
Sektori bankar mbetet gjithsesi i prekur, pasi çdo problematikë e falimentimit të mundshëm të kompanive do të transferohet edhe te bankat. Kjo në afat gjatë do të mund të kërkojë kërkesa për rikapitalizim.
Gjithsesi sektori është i mbrojtur, pasi Banka e Shqipërisë (BSH) ka miratuar një legjislacion të plotë për ndërhyrjet e jashtëzakonshme në sistemin bankar. Sipas BSH-së, ndërhyrja e jashtëzakonshme është zbatimi i një ose më shumë instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme për bankat në vështirësi financiare që synon të sigurojë: vijueshmërinë e funksioneve kritike të bankës; ruajtjen e interesit publik dhe stabilitetit financiar; minizimin e kostos së taksapaguesve.
/Marre me shkurtime nga Monitor/