Nga Boldnews.al
Pasi kërcënoi dhe aplikoi gjatë shtatë vitesh në qeveri “burg-burg” dhe pasi e “blindoi” Kodin Penal me sanksione të rrepta, kryeministri Edi Rama tashmë po tenton të minimizojë efektet e dëmshme tek personat në burgje, të cilët, edhe pa praninë e korona-virusit, ishin në situata të rrezikut potencial për përhapjen e sëmundjeve infektive, si pasojë e mbipopullimit.
Në një lëvizje të dëshpëruar, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka kërkuar nga Prokurori i Përgjithshëm, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë që t’u sugjerojnë gjyqtarëve e prokurorëve që të jenë më të kufizuar në kërkesat për caktimin e masave të sigurimit me burg, si edhe të aplikojnë dënimet alternative.
Kërkesa “e dëshpëruar” e Gjonajt
Kërkesa e Gjonajt, e nxitur nga kryeministri Rama, duke e vështirë për t’u përmbushur. Dhe kjo u pa qartë në përgjigjen e dhënë nga Kryeprokurori, Olsian Çela.
Në vijim të kërkesës së ministres së Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm lëshoi një Udhëzim të Përgjithshëm për prokurorët e juridiksionit të përgjithshëm.
Në thelb të Udhëzimit ishte sugjerimi që u bëhej prokurorëve të aplikonin masa më të buta sigurimi apo kërkesë për dënime alternative, në atë raste që lejon Kodi i Procedurës Penale.
Praktikisht, përtej vullnetit të Çelës për t’iu përgjigjur shqetësimit momental të Qeverisë, zgjidhja e tij nuk mund të ketë efikasitet. Natyrisht, jo për faj të tij.
Prokurorët, së bashku me gjyqtarët, janë njohësit dhe zbatuesit më të mirë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Ata e kanë të qartë që, përtej ngutjes aktuale të qeverisë për të ulur numrin e personave në burgje dhe paraburgim, ashpërsimi i politikës penale që ka aplikuar legjislativi gjatë viteve të fundit, i pengon ata të jenë “tolerantë”
Në rast se “toleranca” e tyre do të dëshmohet në këto kohë, prokurorët e gjyqtarët mund të shndërrohen lehtësisht në subjekte procedimesh penale për “mos-zbatim të kërkesave proceduriale”, pasi situata me korona-virusin të qetësohet.
Pra, gjyqtarët e prokurorët, mes dilemës së zbatimit të një “sugjerimi të përkohshëm” për politikë penale të zbutur por në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe zbatimit rigoroz të tij siç e ka vendosur pikërisht kjo maxhorancë, do të zgjidhnin këtë të fundit, pavarësisht mbipopullimit të burgjeve.
Ata duhet të mendojnë për karrierë e tyre edhe pasi të përfundojë periudha e karantinës.
Mbipopullimi
“Boldnews.al” ka evidentuar të paktën 3 shkaqe madhore të mbipopullimit të burgjeve shqiptare, situatë e cila ndërlikohet ndjeshëm në këtë periudhë të pandemisë Cov-19.
Politika e ashpër penale
Filozofia e qeverisjes së Edi Ramës ishte që në krye të herës “burg, burg, burg”. Ai zgjodhi që të “bëjë shtet” nëpërmjet masave represive, duke anashkaluar platformat ekonomike.
Në momente të caktuara, gjatë viteve të fundit, Partia Socialiste në maxhorancë, e drejtuar nga Edi Rama, forcoi në ekstrem masat dhe dënimet për vepra të buta për vepra të buta penale, si “vjedhja e energjisë”, “ndërtim i paligjshëm”, “drejtimi i mjeteve pa patentë” e të tjera të ngjashme.
U shndërruan në ‘anektoda” rastet kur kryeministri Rama, në vetë të parë, telefononte gjyqtarë, duke i kërcënuar që të mos tregoheshin të butë me ata persona që kryenin këto vepra penale.
Për rastet kur gjyqtarët e prokurorët i trajtonin më butë personat e akuzuar për këto lloj veprash penale, kryeministri, qeveria dhe mediat pranë tyre, ndërmerrnin një fushatë linçimi ndaj tyre, duke i akuzuar për të korruptuar, si edhe duke i kërcënuar me Vetingun.
Kjo sjellje agresive e qeverisë dha efektet në sistemin e drejtësisë. Për të shmangur anatemimin nga kryeministri apo vartësit e tij, prokurorët e gjyqtarët mbushën paraburgimin dhe burgjet me shtetas që vidhnin energjinë elektrike apo që ndërtonin në mënyrë të paligjshme.
Ambjentet e paraburgimit dhe burgjet u mbushën në mënyrë eksponencinale, duke sjellë situatën e mbipopullimit të tyre.
Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të personave në burg për numër popullsie në Europë.
Këto statistika nuk e stepën aspak Edi Ramën, i cili shtoi së fundmi edhe dënime të rënda për ata që rrahin kafshët apo ata që, nën emocionet e ndeshjeve, thyejnë karriget e stadiumeve.
Qeveria e Edi Ramës nuk u ka vënë veshin aspak edhe partnerëve ndërkombëtarë të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian (OSBE).
Ky organizëm, së bashku me Ambasadën e Britanisë në Tiranë, që në vitin 2015, lëshuan alarmin e mbipopullimit të Burgjeve dhe nevojën për aplikimin e dënimeve alternative.
Kjo kërkesë u mbështet nga Ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Ylli Manjani, i cili vinte nga radhët e aleatit të vogël qeverisës, Lëvizja Socialiste për Integrim.
Por, kërkesat e shtuara të Manjanit për të ndryshuar qasjen dhe zbutjen e politikës penale, u kundërshtuan hapur dhe me veprime konkrete nga Edi Rama, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri dhe deputetët e Partisë Socialiste.
Të ngurtë me aminstinë
Qeveria shqiptare e ka aplikuar me “pikatore” mekanizmin e Amnistisë, duke ndikuar në këtë mënyrë në mbipopullimin e Burgjeve.
Gjatë tre viteve në detyrë të Etilda Gjonajt, vetëm në Janar 2020 u miratua një amnisti, e cila gjithësesi ishte shumë minimaliste. Amnistia e fundit ishte bërë në fillim të vitit 2017.
Ministra Gjonaj pranoi në Komisionin e Ligjeve, kur po shqyrtohej amnistia e vitit 2020 se, prej saj, përfitonin në total 165 persona, një shifër në fakt shumë e ulët krahasuar me nevojën e burgjeve për t’u “shfryrë”.
Për më tepër, në amnistinë 2020 u përjashtuan nga përfitimi personat e dënuar për veprat e lehta penale, si “vjedhje energjie” apo “ndërtim i paligjshëm”.
Sulm lirimeve me kusht
Qeveria shqiptare është treguar maksimalisht e ashpër, të paktën publikisht, me rastet e lirimeve me kusht të personave të dënuar. Megjithëse një ndër format e parashikuara nga legjislacioni penal, lirimi me kusht është propaganduar gjithnjë si një formë sjellje korruptive e gjyqtarëve.
Në disa prej këtyre rasteve, mund të kenë pasur doza korrupsioni, siç mund të ketë pasur edhe “nxitje politike” për lirimin e personave të caktuar, megjithëse të gjitha kanë mbetur në fazën e dyshimeve.
Por, ndërkohë që autoritetet nuk kanë arritur të sigurojnë prova korrupsioni të gjyqtarëve, nga ana tjetër agresiviteti qeveritar i ka dekurajuar pjesën më të madhe të tyre për të aplikuar lirimet e parakohshme dhe vendime për rehabilitimin e të burgosurve.
Madje, aq e ashpër është sjellja qeveritare ndaj lirimeve me kusht (lirime të parakohshme) sa që edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, një institucion i krijuar së fundmi si pjesë e Reformës në Drejtësi, deklaroi se do të niste inspektimin, pikërisht nga kontrolli tematik i këtyre rasteve.