KED, kronologjia e institucionit që nxiti kolapsin kushtetues

Nga BoldNews.al

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), struktura e përgjegjëse për zgjedhjen e organeve më të larta të sistemit të drejtësisë, është në qendër të krizës së thellë kushtetuese dhe institucionale të Shqipërisë në 3 vitet e fundit.

Komisioni i Venecias, i investuar së fundmi nga Parlamenti dhe Presidenti, për të luajtur rolin e arbitrit në përplasjen institucionale mbi mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka marrë në analizë historikun e shkurtër, por problematik të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në konkluzionin paraprak, i cili pritet të formalizohet pas 20 Marsit 2020, Komisioni i Venecias shkruan se “Dy vitet e para 2017/2018 KED humbi kohë tepër të vlefshme për të shmangur krizën e tanishme kushtetuese..”.
 
Komisioni i Venecias, në një mënyrë diplomatike, në fakt ka vendosur pikat mbi “i” përsa i përket përgjegjësive të krizës aktuale kushtetuese. Në një kronologji zhvillimesh, duket qartë se ndërhyrja e eksponentëve të maxhorancës, përfshirë edhe ambasadorë të rëndësishëm në Shqipëri, kanë nxitur krizën kushtetuese aktuale.

Përplasjet në gjenezë
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që në gjenezë të saj, filloi punën me këmbën e gabuar. Ndryshimet Kushtetuese të vitit 2016 parashikonin të drejtën e Presidentit për të hedhur shortin për të zgjedhur 9 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilët do të përzgjidheshin sipas formulës; 2 anëtarë nga Gjykata Kushtetuese, një nga Gjykata e Larta, një nga Prokuroria e Përgjithshme, dy nga Gjykata e Apelit, dy nga Prokuroritë e Apelit dhe një nga gjyqtarët administrativë.

KED do të ishte një strukturë me mandat një-vjeçar, që do të rinovohej çdo vit dhe që do të drejtohej nga anëtari që vinte nga radhët e Gjykatës së Lartë.

Kushtetuta kishte parashikuar edhe një mekanizëm zhbllokues, në rast se Presidenti refuzonte të zhvillonte shortin. Kjo e drejtë i kalonte Kryetarit të Kuvendit.

Por, përtej mënyrës së detajuar, kushtet-bërësi kishte parashikuar një element, jo shumë normal. Kushtetuta parashikonte që Presidenti të zhvillonte shortin për anëtarët e KED-së vetëm 5 ditë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, pra diku rreth fillimit të Shtatorit 2016.

Presidenti i asaj kohe, Bujar Nishani, nuk e zhvilloi shortin brenda 5 ditëve, pasi Parlamenti nuk kishte miratuar një ligj të posaçëm për kriteret që duhet të përmbushnin kandidatët që do të përfshiheshin në short.

Maxhoranca socialiste nxitoi të akuzonte Presidentin Nishani, të zgjedhur nga shumica e djathtë në vitin 2012, si “bllokues i Reformës në Drejtësi”. Por, përtej leksikut të rëndë politik, maxhoranca e kishte të qartë se një ligj për kriteret e anëtarëve të KED-së ishte i domosdoshëm.

Në Nëntor 2016, Parlamenti miratoi ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Në të parashikoheshin kriteret për kandidatët që do të përfshiheshin në shortin për t’u zgjedhur anëtar të KED-së, si edhe që listat e kandidatëve gjyqtarëve dhe prokurorëve do të hartoheshin përkatësisht nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Meqenëse në atë kohë, këto dy struktura nuk ishin krijuar ende, ligjvënësi parashikoi që, vetëm për KED-në e parë, listat do të hartoheshin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pararendës i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe nga Prokurori i Përgjithshëm.

Në Dhjetor 2016, Kryetari i Kuvendit i asaj kohe, Ilir Meta, zhvillon shortin. Përzgjidhen 9 anëtarët dhe drejtimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e merr anëtarja nga Gjykata e Lartë, Mirela Fana.

Në janar 2017, gjyqtarja Fana jep dorëheqjen nga posti i anëtares së Gjykatës së Lartë dhe, rrjedhimisht, edhe nga drejtimi i KED-së. Posti i saj në drejtimin e KED-së i kalon anëtarit të shortuar si zëvendësues, Artan Zeneli.
 
Ndërhyrja e Donald Lu
Ndërkohë që KED nuk kishte nisur ende funksionimin, ambasadori amerikan i asaj kohe, Donald Lu, lëshon një seri akuzash ndaj Prokurorit të Përgjithshëm të kohës, Adriatik Llalla, për emrat që Prokuroria kishte përcjellë si kandidatura për në KED.

Kushtetuta parashikonte se KED do të kishte në total 3 prokurorë. Ligji përkatës kishte parashikuar kriteret. Nga lista e prokurorëve, vetëm 3 prej tyre, një në Prokurorinë e Përgjithshme dhe dy në prokuroritë e Apelit, plotësonin kriteret. Pra, Prokuroria kishte 3 emra për 3 postë, gjë e cila e bënte të pakuptimtë shortin.

Këtë situatë shfrytëzoi ambasadori Lu, i cili akuzoi Llallën se kishte shmangur shortin në caktimin e prokurorëve për në KED. Siç rezultoi më pas, e sqaruar në mënyrë publike nga organizatori i shortit, kreu i Kuvendit të asaj kohe, Ilir Meta, ambasadori Lu e kishte gabim.

Gjithësesi, kjo përplasje e fortë Llalla-Lu e paralizoi vijimin e funksionimit normal të KED-së. Kreu i saj, Artan Zeneli, nën justifikimin se duhet të miratoheshin rregulloret që do të normonin punën e strukturës, nuk zhvilloi asnjë mbledhje përgjatë vitit 2017, deri në përfundim të mandatit 1-vjeçar.
 
Përplasja e dytë
Në fund të vitit 2017, kur kishte ardhur koha për përzgjedhjen e anëtarëve të KED-së për vitin 2018, Ilir Meta, i zgjedhur President në atë kohë, refuzoi të zhvillonte shortin. Ai argumentoi se nuk kishte bazë ligjore, pasi kandidaturat duhet të vinin nga dy struktura, KLGJ e KLP, të cilat nuk ekzistonin ende.

LEXO EDHE  Komunovirusi

Pas refuzimit të Metës, stafetën e merr kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili zhvillon shortin për përzgjedhjen e 9 anëtarëve të rinj. Kryetar i KED-së zgjidhet gjyqtari i lartë, Artan Broci.

Njëlloj si një vit më parë, nga Prokuroria ishin sërish vetëm 3 emra. Por, kësaj radhe, askush nuk bëri zhurmë, pasi listat ishin përcjellë nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, e emëruar në detyrë  në mënyrë anti-kushtetuese, vetëm me 69 votat e maxhorancës socialiste.

“Ngatërresa” e Ulsi Manjës
Në Mars 2018, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi zhvillon mbledhjen e parë konstituuese. Në atë mbledhje, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, kërkon me forcë që KED të nisë punën vetëm pasi anëtarët e saj të kenë kaluar Vetingun.

Kjo kërkesë, megjithëse e pakuptimtë, pranohet nga kryetari i KED-së, Artan Broci. Për këtë situatë, Komisioni i Venecias, në draft-opinionin e tij të publikuar këto ditë, shprehet: “Kërkesat e vitit 2017 dhe 2018, që KED të mos bënte renditjen e kandidatëve, nuk janë të bazuara në ligj. Nuk ishte e parashikuar as në Kushtetutë dhe as në ligj, që anëtarët e KED të kishin kaluar procesin e vetingut”.

Por ky Opinion i përket një kohe shumë më të vonë. Kërkesa e Ulsi Manjës në Mars 2018, për arsye të pakuptimtë, u konsiderua e drejtë nga kreu i KED-së. Në vijim, KED-2018 u shpërbë pa kryer asnjë punë, pasi procesi i Vetingut shkarkoi nga detyra pjesën më të madhe të anëtarëve të saj, të përfshirë në procesin e rivlerësimit me përparësi.

Përplasja “Dvorani”
Në Dhjetor 2018, Presidenti Ilir Meta zhvilloi shortin e KED-2019. Shorti zgjodhi si kryetar Ardian Dvoranin dhe pjesë e saj ishte edhe ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, dy emra të lidhur ngushtë me interesat e maxhorancës socialiste në pushtet.

Kësaj radhe, megjithëse pjesa më e madhe e anëtarëve të shortuar nuk kishin kaluar Vetingun, as Ulsi Manja dhe asnjë eksponent tjetër, nuk parashtroi pretendimin për rivlerësimin kalimtar të tyre.

Nën drejtimin e Dvoranit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u përfshi në një kurs përplasjesh të ashpra me Presidentin Ilir Meta, për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Me një lëvizje aspak dinjitoze, të konstatuar së fundmi edhe nga Komisioni i Venecias, Ardian Dvorani u angazhua në një veprimtari, të cilën kreu i Shtetit e konsideron si “skenar të maxhorancës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese” dhe “puç shteti”.
 
Kushtetuta parashikon se vakancat në Gjykatën Kushtetuese plotësohen sipas rendit; anëtarin e parë Presidenti, anëtarin e dytë, Kuvendi dhe anëtarin e tretë Gjykata e Lartë, në bazë të një liste emërore kandidatësh të përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Legjislacioni parashikon gjithashtu një mekanizëm zhbllokues që, kur një prej institucioneve, nuk kryen emërimin brenda 30 ditëve, atëherë gjyqtar Kushtetues zgjidhet kandidati i renditur i pari në listën e KED-së.

Në Shtator 2019, kreu i KED-së, Ardian Dvorani, i përcjell Presidentit listën e kandidatëve për 3 vende vakante.

Një javë më pas dhe vetëm pas insistimit të Presidentit Meta, Dvorani i përcjell listën emërore edhe Kuvendit, për vakancat e shpallura nga ky institucion.

Dërgimi i listave “on-block” dhe diferenca kohore nga përcjella e listës tek Presidenti me atë të përcjellë tek Kuvendi, u shoqërua me një konfuzion dhe intepretim të ndryshëm ligjor.

Për Presidentin, i cili emëroi i pari kandidatin Besnik Muçi, radha për përzgjedhjen e emrit të dytë i vinte pasi Kuvendi të kishte kryer emërimin e parë të tij. Kuvendi vonoi procedurat e tij, duke nxitur tejkalimin e afatit 30-ditor të Presidentit për të zgjedhur emrin e radhës.

Kjo kakofoni krijoi një përplasje të fortë institucionale, ku Presidenti emëroi Marsida Xhaferllarin, ndërsa Kuvendi njihte “të parën në listë”, Arta Vorpsin.

Kjo situatë nxiti palët t’i drejtoheshin Komisionit të Venecias, në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale prej më shumë se dy vitesh.

Komisioni i Venecias, në fillim të Marsit 2020, u ka përcjellë autoriteteve shqiptare konkluzionin paraprak. Sipas Komisionit të Venecias, dërgimi nga ana e KED-së te Presidenti i dy listave njëkohësisht, dërgimi i listave në Parlament, 6 ditë më vonë, dhe numri I kufizuar i kandidatëve, vetëm 6 për katër vende vakante “krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese”.