Nga Andi Bushati
Që kur ankthi i ftohjes së Kosovës me Amerikën po përhapet me një shpejtësi më të madhe sesa frika nga koronavirusi, në establishmentin mediatiko- politik të Prishtinës po gjallojnë dy rrëfime të kundërta.
I pari po artikulohet kryesisht nga kundërshtarët e Albin Kurtit, por dhe nga një pjesë e atyre që janë bërë, krejt pa zemër, pjesë e koalicionit me të. Sipas këtij grupimi, përplasjet e kryeministrit të ri me një diplomat kaubojs të tipit Grenell, janë parathënie e katastrofës së ardhshme për Kosovën.
Ata përcjellin me shqetësim çdo Twitter të të dërguarit të Trump për dialogun, ata vënë alarmin pas çdo telefonate të munguar me shefat e lartë të administratës amerikane, ata parathonë skenarët më katastrofikë, duke predikuar se, nëse Kurti nuk gjunjëzohet shpejt dhe pa kundërshtime për heqjen e taksës, Shba do të largojë ushtrinë nga baza e Bondstillit dhe do të ndërpresë ndihmën ekonomike.
Nisur nga ky skenar apokaliptik, edhe anëtarë të qeverisë Kurti nga LDK-ja, që kanë veshur kostumin e kafazit të selisë diplomatike në Dragodan, po kërcënojnë me prishjen e koalicionit dhe rrëzimin e qeverisë, nëse deviza e Grenellit: ‘Tani, shpejt, pa kushte dhe pa kompromis”, nuk zbatohet pikë për pikë.
Ndaj kësaj qasjeje alarmiste, ku përplasja është e fryrë, ku rreziku është i ekzagjeruar dhe skenarët apokaliptikë të shumfishuar, grupimi i dytë, ai i mbështetësve të Albinit, po përgjigjet në mënyrë hipokrite, të kompleksuar dhe me një qetësi të shtirur.
Nëse të parët predikojnë prishjen përfundimtare të Albinit me të dërguarin e Trump-it, të dytët mohojnë gati çdo fërkim mes tyre; nëse alarmistët paralajmërojnë rrufetë që do godasin përmes cicërimave të Grenellit, të tjerët sillen sikur gjithçka është nën kontroll; nëse “pro –amerikanët” profetizojnë apokalipsin, idhtarët e Vetvendosjes mohojnë deri edhe ekzistencën e problemit.
Në fakt, kjo qasje e pushtetit të ri, të pamësuar gjatë kohës së opozitës me gjuhën e dyfishtë dhe qëndrimet e drunjta, nuk është më e mira e mundshme. Në vend që të fshihen pas gishtit, ata duhet t’u thonë njerëzve të vërtetën. Dhe ajo është se “PO”, ka një problem real dhe serioz mes Rik Grenellit, njeri shumë pranë presidentit Trump, i veshur pothuajse me gjithpushtetshmëri për dialogun shqiptaro- serb, dhe Albin Kurtit. Ata duhet të pranojnë gjithashtu se ky hendek, përbën një vështirësi si për Kosovën, që qoftë përkohësisht nuk e ka luksin e ftohjes me një aleat të madh, po ashtu edhe për koalicionin qeveritar, çka mund të shpjerë në një krisje të parikuperueshme e deri dhe rrëzim të qeverisë.
Por, duke pranuar këtë të vërtetë jo fort të këndshme, ata duhet të shpjegojnë pastaj edhe se përse është mbërritur deri këtu. Çfarë i kërkohet konkretisht Albin Kurtit dhe se sa absurd është presioni para të cilit është vënë ai nga Grenell dhe sidomos nga servilët e këtij të fundit në Prishtinë.
Sepse këtu qëndron realisht thelbi i problemit.
Së pari, kryeministrit të ri të Kosovës po i kërkohet që të gënjejë ata të cilëve u ka marrë votat me parimin do të heqim taksën 100% duke e zëvendësuar gradualisht me parimin e reciprocitetit. Ai po vendoset me shpatulla për muri për të mos zbatuar programin e qeverisë që drejton. Pra, në thelb, ai po ftohet të jetë i ngjashëm me të gjithë politikanët e tjerë të 20 viteve të fundit, të cilët grabisin, abuzojnë, keqqeverisin dhe e garantojnë karriken e tyre të pushtetit përmes servilizmit ndaj ndërkombëtarëve.
Së dyti, Albin Kurtit po i kërkohet të shkelë mbi dinjitetin zyrtar të përfaqësuesist të një shteti. Nëse ai bëri një propozim gradual për heqjen e taksës, nëse ai e lidhi këtë sinjal të vullnetit të mirë edhe me adaptimin e së njëjtës sjellje nga Beogradi, atij po i thuhet: Jo ti lësho gjithçka edhe pse serbët nuk lëshojnë asgjë. Dhe askush nuk ka pyetur nëse shqiptarët e Kosovës janë dakord me një përdhosje të tillë?
Së treti, Albin Kurtit, po i kërkohet që të shndërrojë votën transformuese të 6 tetorit, në një fasadë të rreme për të përmbyllur planet që Hashim Thaçi dhe Vuçiçi po thurin prej më shumë se dy vjetësh. Sinjalet që ka dhënë Grenell janë të qarta. Ai e firmosi marrëveshjen për transportet në Mynih, në prani të dy presidentëve, duke rekrutuar si mercenarë dy nënpunës të qeverisë tashmë të rrëzuar dhe duke nëpërkëmbur brutalisht kabinetin e porsangritur. Edhe së fundi, Thaçi dhe Vuçiç u ftuan së bashku në Shtëpine e Bardhë për të folur për marrëveshjen e ardhshme.
Pra, vetëm ai që nuk ka sy në ballë, nuk e kupton se ai do që të mbylli një “deal” të shpejtë, për t’ia dhuruar Trumpit si trofe para zgjedhjeve, dëshiron si përfaqësues të Kosovës në dialog, Hashim Thaçin.
Ku ka më mirë sesa një njeri që ka gjetur edhe më parë gjuhën me presidentin serb, që ka dëshmuar në të shkuarën se mund të bëjë koncesione të mëdha për të zgjatur karrierrën e tij politike, të cilit i qëndron mbi krye si shpata e Damokleut thirrja e Gjykatës speciale, për të firmosur një “pakt blitz”, qoftë edhe në dëm të Kosovës. Askush nuk ka dyshime se, për hallet e tij, ndryshe nga Albini, Hashim Thaçi, ashtu sikurse e ka treguar me fakte, do të pranonte një copëtim të Kosovës apo krijimin e një enklave autonome serbe brenda trupit të saj.
Ky pra është thelbi i problemit, kryeministri aktual që sot po pikturohet me ngjyrat apokaliptike të anti- amerikanit, që po vë në rrezik prishjen me SHBA dhe të ardhmen e Kosovës, është në fakt garancia e saj.
Historiku i betejave të tij në favor të temave të mundshme që do të diskutohen, si dhe fakti i të qenit i pashantazhueshëm nga drejtësia ndërkombëtare, e bëjnë atë më të sigurtë në mbrojte të interesit kombëtar, si përballë Beogradit, ashtu dhe përballë arbitarve të dialogut.
Pra, Albin Kurti nuk është ai që po vë në lojë të ardhmen, por garancia që pas negociatave ajo të jetë më e mira e mundshme.
Pikërisht kjo është qasja që duhet të mbajnë njerëzit e Vetvendosjes dhe mbrojtësit e tij publikë. Ata nuk mund të fshihen pas faktit se nuk ekziston një problem me Grenellin, ata duhet të shpjegojnë se cila është rruga më e mirë për t’u përballur me të.
Natyrisht edhe duke e bërë këtë, ata nuk do ta ndalin dot, as alarmizmin e kundërshtarëve të tyre politikë, as kurrizthyerit nga servilizmi, që janë të gatshëm të lëpihen para çdo ndërkombëtari që u del përpara.
Ata nuk do të mund ta ndalin dot histerinë e etiketimit si “anti- amerikan”.
Por ama, në rastin më të mirë, do të arrijnë të dëshmojnë se për një grup sharlatanësh, të qenit “pro- amerikan” barazohet me mashtrimin e votuesve, me mungesën e çdo dinjiteti përballë Beogradit dhe me gatishmërinë për të shitur territore për të vazhduar karrierën politike.
Deri më tani Albin Kurti nuk ka dhënë prova të tilla. /Lapsi/