Për një shtet normal

Nga Ilir Kalemaj

Kur sheh sesi pozicionimi i çartur, i papërgjegjshëm dhe meskin i klasës politike në përgjithësi ka çuar në një bllokim ad infinitum të institucioneve dhe po mban peng mbi të gjitha demokratizimin dhe zhvillimin e vendit, nuk mund të hutohesh, trishtohesh apo ligështohesh. Përtej antagonizmit formal të palëve të cilët janë përplasur herë për procedurë (ku përfshihet garantimi i rregullave të lojës) dhe herë për çështje më substanciale, ajo që ngelet për t`u analizuar nga ana përmbajtësore është vetë sistemi.

Njerëzit pyesin shpesh: Pse kemi një klasë politike drejtuese me liderë që tashmë kanë dy dekada në krye të partive që iu ngjajnë atyre matroshkave ruse? Jo vetëm liderët por edhe ata poshtë tyre, shpesh janë pa identitet të mëvetësuar, fotokopje të kryetarit dhe e bazojnë arrivizmin politik kryesisht në bazë të shkallës së besnikërisë ndaj liderit dhe gjuhës, gjestikulacionit, sjelljeve të tij.

Historia një shekullore e shtetit shqiptar ka njohur luhatje jo të pakta, por që përgjithësisht janë karakterizuar nga periudha me paqëndrueshmëri ekstreme që kanë variuar nga periudha hegjemonie si për shembull ‘diktatura e ndriçuar’ mbretërore e Zogut dhe diktatura totalitare e Hoxhës te rregjimi hibrid e një pjese të mirë të kohës në këto vite nominalisht pluraliste. Nga të dyja të këqijat, duket se punët kanë vajtur keq në të dy rastet, ndonëse në njërin rast kanë vuajtur më shumë liritë dhe të drejtat e njeriut (e drejta e jetës, fjalës, pronës dhe liria për të ndjekur të qetë lumturinë vetjake pa ndërhyrje arbitrare nga pushteti), ose ka shkuar keq ekonomia vetjake pasi kohëra krizash gjithnjë kanë qenë të shoqëruara me krizë ekonomike, papunësi, varfëri, stanjacion e me rradhë.

Për shembull, si rast ilustrues i kësaj të fundit ishin mungesa e stabilitetit politik në vitet 1921-1924, ku të paktën nja katër a pesë qeveri, të cilat zgjasnin ose me ditë, ose me muaj, zunë vendin e njëra tjetrës, ndërkohë që partitë politike me emra ndjellës si ‘partia progresive’, ‘partia popullore’ apo ‘partia konservatore’ e me rradhë haheshin kokë më kokë për të siguruar kolltukun në një vend që kishte shumë më tepër nëpunës se punë reale për t`u zgjidhur.

Pasojat qenë falimentimi i bizneseve të vogla që sapo kishin filluar të çelnin, papunësi në masë, ku në mungesë të tokës bujqësore të punueshme apo punëve në industri (që thuajse nuk ekzistonin), ngelej si alternativë vetëm ushtria apo kurbeti dhe një varfëri gjithnjë e më tepër e dhimbshme në një shoqëri bi-polare ku dhjetë përqind ishin pronarë dhe pjesa tjetër fukarenj që nuk mbushnin dot barkun me bukë. U desh ‘dora e hekurt’ e Zogut për nja një dekadë e gjysëm që duke marrë në qafë disa prej lirive themelore, të paktëm të garantonte një farë mirëqënie materiale, e ndihmuar kryesisht edhe nga donacionet strategjike të Italisë që me kohë kërkoi edhe haraçin politik. Duket se qenkërka e thënë që demokracia dhe mirëqënia e njerëzve mos të shkojnë dorë më dorë këtej nga ne, të paktën siç na dëften historia.

Sot disa pyetje qendrore që vlejnë të shtrohen mund të jenë: pse cikle të ndryshme antagonizmi të skajshëm që na kanë frenuar në momente kur duhet të ecnim së paku me dyfishin e vrapit të vendeve të zhvilluara, shpesh kanë përfunduar me detanta ku palët me mirëkuptim kanë rënë dakord për ndarje respektive pushteti? Pse vazhdojmë të jemi dhe pas 20 vjetësh të fundit në Evropë për të ardhura për frymë, ndërkohë që na ka parakaluar dhe Bosnja? Pse kemi nevojën e kërbaçit të ndërkombëtarëve edhe për punë në dukje si sjellje grindavecësh adoleshentë? Pse flasim ende për demokraci hibride dhe liderë të përjetshëm politikë, pikërisht ne shqiptarët që kemi vuajtur nga diktatura ndoshta më unikale në Evropë për shkak të ashpërsisë së saj? Pse nuk kemi një shoqëri civile të mirëfilltë apo media përgjithësisht të pavarur me sens të fortë kritik dhe tendencë investigative? A mos vallë populli e ka fajin që meritojmë qeveritë që prodhojmë? Çfarë nuk shkon me ne shqiptarët që sot pas dy dekadash nga rënia e Murit të Berlinit, kemi një sistem shëndetësor të shkatërruar, sistem drejtësie të kolapsuar, sistem arsimor të falimentuar, sistem adresash të hallakatur, sistem politik të degjeneruar?

LEXO EDHE  Tifozët deklaratë kundër Superligës, nismës i bashkohen edhe TKZ

Këto pikëpyetje të cilat lindin nga përplasjet e gjithsecilit banor me jetën e përditshme dhe të shqetësuar nga problematika që rrethon res publiken (të mirën e përbashkët), shkojnë përtej ndasive politike, antagonizmave konjukturalë, apo politikës së ditës dhe kërkojnë një analizë sistemike dhe koherente në përfundimet e saj. Diktumi i stërpërdorur deri në keqpërdorim se ‘çdo popull meriton qeverisjen që ka’ nuk shpjegon natyrshëm rastin shqiptar.

As te teoritë esencialiste që rrekin t`i nxjerrin shqiptarët si popull i praptë, me mendje për të shkatërruar dhe ku nuk ngjisin koncepte si demokracia pluraliste etj. Edhe një vështrim tejet i përciptë në histori nxjerr fakte të pakontestueshëm të vlerave që shqiptarët kanë pasur dhe ruajtur me fanatizëm. Sot nuk ka ngelur gjë pa shkatërruar duke filluar nga monumentet e kulturës, mjedisi e me rradhë, por janë po shqiptarët ndër shekuj që i ruajtën të paprekura këto vlera. Sot flitet për ligj xhungle kur pabesia haset rëndom, por janë po shqiptarët të cilët sic i kanë përshkruar studjues të ndryshëm si Hobhouse, Durham etj, kanë qenë jo vetëm mikëpritës por viset shqiptare kanë qenë dhe ndër më të sigurtat për të huajt që kalonin tranzit apo vizitonin vendin. Ndërkohë që edhe vende të tjera i kanë tejkaluar me sukses të njëjtat probleme simptomatike në rrugëtimin shpeshherë jo të lehtë të demokratizimit.

Klasa politike në përgjithësi duhet të tregojë maturinë e nevojshme dhe të kapërcejë xhelozitë e vockla institucionalë dhe personalë, të ndërgjegjësohet dhe të bashkëpunojnë si për thjeshtimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, ashtu dhe për ndjekjen dhe implementimin e procedurave që do ua thjeshtonin në maksimum jetën qytetarëve dhe do e bënin realitet dhe integrimin në të “shumëbekuarin” Bashkim Evropian që është kthyer dhe në kryefjalën retorike të ditës së politikanëve tanë. Shqiptarët janë të lodhur nga burokracitë dhe zvarritjet që iu bëhen zyrave të administratës, janë të lodhur nga pritjet dhe radhët e gjata dhe mashtrimet e pafundme që shumëfishohen në kohë fushate.

Nëse duam të plotësojmë vërtetë kriteret e Kopenhagenit për demokraci dhe shtet funksional dhe të së drejtës, një ekonomi mirëfunksionale, të aftë të përballojë trysninë e tregut liberal, duhet të ndërgjegjësohemi që kjo nuk mund të bëhet thjesht dhe vetëm nëpërmjet retorikës, auto-sugjestionit apo hedhjes hi syve të njëri-tjetrit, por kërkon impenjim serioz dhe real dhe bashkëpunim bi-partizan për të kryer reforma të guximshme dhe funksionale.

Për më tepër, sa më shumë të rrudhet roli i pushteteve qendrore dhe lokale, aq më shumë liri transmetohet në duart e njerëzve të këtij vendi që i kanë të gjitha aftësitë sipërmarrëse për t`i bërë ballë sistemit të ekonomisë së tregut që shkon krah më krah me konceptin e demokracisë liberale. Shteti duhet të garantojë kontratat, të zbatojë ligjet dhe infrastrukturën e përgjithshme, për të tjerat tradicionalisht ky i yni ka treguar se është i paaftë t`i përshtatet rolit menaxherial që normalisht duhet të kishte si axhendë primare qeverisëse në këtë shekull të ri. Të paktën mos të pengojë zhvillimin kur nuk është në gjendje ta garantojë atë.