Ka shumë të ngjarë që t’a marrësh koronavirusin

Nga James Hamblin, The Atlantic

Në maj të vitit 1997, një djalë 3-vjeçar nisi të shfaqte simptomat e një ftohje të zakonshme. Kur simptomat- dhimbje fyti, ethe dhe kollë- vazhduan për gjashtë ditë, ai u dërgua në spitalin ‘Mbretëresha Elizabetë’ në Hong Kong. Aty kolla u përkeqësua dhe ai nisi të mos mbushej me ajër. Me gjithë kujdesin intensiv, djali vdiq.

Të hutuar nga përkeqësimi i shpejtë i tij, mjekët dërguan një mostër të pështymës së djalit në Departamentin e Shëndetit në Kinë. Por protokolli standard i testimit nuk mund të identifikonte plotësisht virusin që kishte shkaktuar sëmundjen. Shefi i virologjisë vendosi që të dërgonte disa mostra te kolegët në vendet e tjera.

Në Qendrën Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Atlanta, pështyma e djalit priti një muaj për analizën e plotë të antitrupave. Rezultatet përfundimisht konfirmuan se ky ishte një variant i gripit, virusi që ka vrarë më shumë njerëz se çdo gjë tjetër në histori. Por ky lloj gripi nuk ishte parë kurrë më parë te njerëzit. Ishte H5N1, ose ‘gripi i shpendëve’, i zbuluar dy dekada më parë, por që njihej se infektonte vetëm zogjtë.

Deri atëherë kishte ardhur gushti. Shkencëtarët përhapën sinjalin e alarmit në mbarë botën. Qeveria kineze vrau me shpejtësi 1.5 milionë pula, pavarësisht protestave të fermerëve. Rastet e mëtejshme u monitoruan nga afër dhe u izoluan. Deri në fund të vitit u shënuan 18 raste të tjera te njerëzit. Gjashtë persona vdiqën.

Ky u pa si një reagim i suksesshëm global pasi virusi nuk u pa më përsëri për vite me radhë. Pjesërisht, kontrolli mbi sëmundjen ishte i mundur për shkak se ajo ishte e rëndë: ata që u prekën, e shfaqnin hapur sepse ishin shumë të sëmurë. H5N1 ka një shkallë vdekshmërie prej 60 përqind- nëse e merrni virusin, ka të ngjarë të vdisni. Megjithatë, që nga viti 2003, virusi ka vrarë vetëm 455 njerëz. Në të kundërt, viruset shumë më të butë të gripit vrasin më pak se 0.1 përqind të njerëzve që infektojnë, por janë përgjegjës për mijëra vdekje çdo vit.

Sëmundjet e rënda të shkaktuara nga viruse të tilla si H5N1 nënkuptojnë se personat e prekur mund të identifikohen dhe izolohen, ose që vdesin shpejt. Ata nuk ecin vërdallë duke e mbjellë virusin kudo. Koronavirusi i ri, i njohur teknikisht si SARS-CoV-2, që është përhapur në të gjithë botën, mund të shkaktojë sëmundje të frymëmarrjes, që mund të jenë të rënda. Sëmundja, e njohur si COVID-19, duket se ka një shkallë vdekshmërie më të vogël se 2 përqind- shumë më e ulët se shumica e shpërthimeve që përbëjnë lajm global. Virusi ka ngritur alarmin jo përkundër nivelit të ulët të vdekshmërisë, por për këtë shkak.

Koronaviruset janë të ngjashëm me viruset e gripit. Katër koronaviruse zakonisht infektojnë njerëzit, duke shkaktuar ftohje. Ato mendohet se kanë evoluar te njerëzit për të maksimizuar përhapjen e tyre- që do të thotë duke i sëmurur të tjerët, jo duke i vrarë. Në kontrast, dy shpërthimet e para të koronavirusit, SARS dhe MERS, u morën nga kafshët si në rastin e H5N1. Këto sëmundje ishin shumë fatale për njerëzit. Nëse do të kishte raste të buta ose asimptomatike, ato ishin jashtëzakonisht të pakta. Sikur të kishte më shumë prej tyre, sëmundja do të ishte përhapur gjerësisht. Në fund të fundit, SARS dhe MERS vrau secili më pak se 1 mijë njerëz.

COVID-19 ka vrarë që tani mbi dy herë këtë numër. Karakteristikat e fuqishme të këtij virusi janë të ndryshme nga ato që tërheqin vëmendjen popullore: ai është vdekjeprurës, por jo edhe shumë vdekjeprurës. Ai i sëmur njerëzit, por jo në mënyrë të parashikueshme. Javën e kaluar, 14 amerikanë u testuan pozitivë në një anije në Japoni, pavarësisht se ndjeheshin mirë. Virusi i ri mund të jetë më i rrezikshme për shkak se ndonjëherë nuk shkakton fare simptoma.

Bota i është përgjigjur me një shpejtësi të paparë dhe me një mobilizim të burimeve. Virusi i ri u identifikua jashtëzakonisht shpejt. Gjenoma e tij u hartua dhe u shpërnda në gjithë botën brenda pak javësh nga shkencëtarët kinezë. Komuniteti shkencor global ka ndarë të dhëna me ritme të papara. Puna për një vaksinë është në zhvillim e sipër. Qeveria kineze ka miratuar masa dramatike për kufizimin e sëmundjes dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencën botërore. E gjitha kjo ndodhi në një fraksion të kohës që u desh për të identifikuar H5N1 në vitin 1997. E megjithatë, shpërthimi vazhdon të përhapet akoma.

LEXO EDHE  Shqiptarët të fiksuar pas shtëpisë, zbuloni qytetin ku shpenzohet më shumë për mobilie dhe pajisje

Profesori i epidemiologjisë në Harvard, Marc Lipstich kërkon të jetë i saktë në diksionin e tij, edhe pse është epidemiolog. Dy herë në bisedën tonë e nis diçka, pastaj ndalet dhe thotë: ‘Më lër ta filloj përsëri’. Prandaj është befasuese kur një nga pikat që kërkon të merret me saktësi është kjo: “Unë mendoj se rezultati i mundshëm është që ky virus nuk do të kontrollohet”.

Kufizimi ose kontrolli është hapi i parë për t’iu përgjigjur çdo shpërthimi. Në rastin e COVID-19, mundësia (sado e padiskutueshme) e parandalimit të një epidemie duket se do luhet brenda disa ditëve. Duke nisur që nga janari Kina nisi të izolonte zona të tëra të mëdha dhe mbylli përfundimisht 100 milionë njerëz. Ata nuk mund të largoheshin nga shtëpia, dhe nëse kapeshin jashtë, pikaseshin nga dronët. Megjithatë, virusi tani është përhapur në dhjetëra shtete të tjera.

Përkundër joefektshmërisë së dukshme të këtyre masave- në lidhje me koston ekonomike dhe sociale- goditja vazhdon. Nën presionin politik për të ndaluar virusin, të enjten qeveria kineze lajmëroi se zyrtarët do të shkojnë derë më derë për të testuar njerëzit, duke i dërguar të gjitha rastet e mundshme në karantinë. Por edhe me kufizimin më ideal, përhapja e virusit ka qenë e pashmangshme. Testimi i njerëzve që janë jashtëzakonisht të sëmurë është një strategji e dobët pasi njerëzit mund ta përhapin sëmundjen edhe pa u ndjerë mjaftueshëm keq sa të qëndrojnë në shtëpi.

Lipstich parashikon që brenda vitit të ardhshëm, nga 40 deri në 70 përqind e njerëzve në mbarë botën do të infektohen me virusin që shkakton COVID-19. Por ai sqaron në mënyrë të theksuar se kjo nuk do të thotë se të gjithë do të kenë sëmundje të rëndë. “Ka të ngjarë që shumë do të kenë sëmundje të butë, ose mund të jenë asimptomatikë,” tha ai. Ashtu si me gripin, i cili është shpesh kërcënues për jetën te njerëzit me probleme kronike shëndetësore dhe në moshë të vjetër, shumica e rasteve do të kalojnë pa kujdes mjekësor.

Lipstich nuk është i vetmi që beson se virusi do të përhapet gjerësisht. Konsensusi i shfaqur në mes të epidemiologëve është se rezultati i mundshëm i këtij shpërthimi është një tjetër sëmundje e re sezonale- një koronavirus i pestë ‘endemik’. Me katër të tjerët, njerëzit nuk dihet nëse zhvillojnë imunitet afatgjatë. Nëse vazhdon kështu, dhe nëse sëmundja vijon të jetë kaq e rëndë sa tani, ‘sezoni i gripit dhe i ftohjes’ mund të bëhet ‘sezoni i gripit, i ftohjes dhe i koronavirusit’.

Në këtë pikë, as nuk dihet sa njerëz janë infektuar. Që nga e diela ka pasur 35 raste të konfirmuara në SHBA, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Por vlerësimi shumë, shumë i rreptë i Lipstich është se në SHBA janë nga 100 deri në 200 të infektuar. Kjo është shifra që duhet për ta mbjellë sëmundjen në shkallë të gjerë. Shpejtësia e përhapjes do të varet nga sa ngjitëse janë rastet e buta. Të premten, shkencëtarët kinezë raportuan në revistën mjekësore JAMA për rastet asimptomatike të përhapjes së virusit. Studiuesit përfunduan se kjo anomali e çuditshme e bën parandalimin e COVID-19 një sfidë të vërtetë.

Edhe me përllogaritjet e forta të Lipstich, prognoza e përgjithshme nuk ndryshon. “Dyqind raste, në mesin e një sezoni gripi, e bëjnë të vështirë ta zbulosh. Por do ishte mirë ta dimë më mirë herët se vonë nëse kemi llogaritur diçka gabim. E vetmja mënyrë është duke testuar”.

Fillimisht mjekët në SHBA u këshilluan që të mos testojnë njerëzit që nuk kanë qenë në Kinë. Pastaj u tha se do kontrollohen rastet e dyshimta në pesë qytete të SHBA. Testet nuk janë akoma të disponueshme. Nga e premtja, Shoqata e Laboratorëve të Shëndetit Publik tha se vetëm në tre shtete mund të testohen njerëzit për virusin.

Me kaq pak të dhëna, prognoza duket e vështirë. Por shqetësimi se ky virus është përtej kontrollit- nuk është askund më i dukshëm sesa në garën globale për të gjetur një vaksinë, që duket strategjia më e qartë për të shpëtuar jetët në vitet në vazhdim.