KPA riçel hetim për Alma Kolgjokën, kërkon fatura uji dhe dritash për apartamentin e prindërve

Anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në seancën e parë të procesit për gjyqtaren Alma Kolgjoka

Pas kërkesës së ndrojtur të komisionerit për rihetim të kryetares së Gjykatës së Krujës dhe parashtrimeve të subjektit se ankimi nuk duhej pranuar, Kolegji vendosi të kërkojë dokumente shtesë për apartamentin e prindërve, pa vendosur nëse ata do të konsideroheshin apo jo persona të lidhur.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të mërkurën të kërkojë dokumente shtesë nga disa institucione dhe kompani private, për të provuar nëse kishte apo jo lidhje mes kryetares së Gjykatës së Krujës, Alma Kolgjoka dhe një apartamenti të blerë prej prindërve të saj.

Vendimi i Kolegjit për të kërkuar fatura të ujit, energjisë dhe kontrata noteriale mbi pasurinë u mor pas një seance ku nuk u bë e qartë nëse prindërit e Kolgjokës do të hetoheshin apo jo si persona të tjerë të lidhur.

Trupa gjykuese që po shqyrton çështjen përbëhej nga Luan Daci kryesues, Albana Shtylla relatore dhe Ina Rama, Sokol Çomo dhe Natasha Mulaj anëtarë.

Komisioneri Publik, Darjel Sina pretendon në ankim se hetimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e konfirmoi Kolgjokën në të tre kriteret, nuk ishin të plota. Por Sina nuk u tregua po kaq i bindur në seancën e parë.

Pasi prezantoi ankimin, Sina u pyet nga kryetari i trupës se çfarë kërkonte. Komisioneri u përgjigj se donte që Kolegji të shprehej nëse prindërit e Kolgjokës do të merreshin si persona të lidhur në këtë proces. Ai vetë nuk u shpreh nëse ata duhej apo jo të konsideroheshin të tillë.

Komisioneri nuk vuri në dukje ndonjë element që e shtynte drejt kësaj kërkese, ndërsa tha se ata “mund të ishin persona të lidhur” dhe se “nëse konsideroheshin të tillë” mund të kërkoheshin hetime. Sina, i cili përdori shpesh fjalët “mund” dhe “ndoshta” gjatë fjalës së tij nuk qe i qartë as nëse kishte bindje apo jo nëse burimet financiare të prindërve ishin të mjaftueshme. Ai tha se kjo nuk ishte hetuar në shkallën e parë të vetingut.

LEXO EDHE  Covid 19, 5 pacientë të shëruar lënë spitalin/ Në total 52 qytetarë fitojnë luftën

Kolgjoka nga ana e saj kërkoi që ankimi të mos pranohej. Ajo tha se nuk kishte asnjë marrëdhënie interesi, siç parashikohet në ligj me prindërit. Ajo citoi dy vendime të Kolegjit dhe një mendim pakice në të cilat specifikohej se çfarë duhej konsideruar si marrëdhënie interesi. Kolgjoka tha se nuk kishte kontribuuar në shtëpinë e prindërve dhe se kjo dëshmohej nga deklarimet e saj vjetore, përfshi edhe faktin që ajo nuk kishte deklaruar kursime në atë periudhë.

“Rrogën time e kam harxhuar vetë, pasi më duhej të mbuloja edhe shpenzimet e rrugës pasi kam punuar larg vendit të banimit,” tha ajo.

Megjithë pyetjet e njëpasnjëshme drejtuar komisionerit nëse kishte kërkesa specifike, KPA nuk arriti të sqaronte me tej situatën. Kolegji fillimisht vendosi në një vendim të ndërmjetëm se nuk mund të shprehej në këtë fazë nëse prindërit ishin persona të lidhur. Pas këtij vendimi, iu kërkua sërish komisionerit të bentë një qartësim të kërkesës së tij.

Komisioneri u shpreh sërish i dyzuar, duke thënë se kërkonte hetim, por se kjo ishte e varur nga vendimi i KPA-së nëse prindërit e subjektit do të konsideroheshin persona të lidhur.

Dy denoncime për Kolgjokën u cilësuan nga Komisioneri Publik si jo të rëndësishme. Ai tha se nuk kërkonte që ato të hetoheshin.

Në një vendim të dytë të ndërmjetëm, KPA vendosi të kërkonte informacion shtesë mbi apartamentin e prindërve të subjektit, përfshi kontrata dhe fatura të ujësjellësit para majit 2011, kontrata me OSHEE për të njëjtën periudhë dhe pagesat e energjisë elektrike në këtë kohë. Po ashtu u vendos t’i kërkohej informacion kompanisë së ndërtimit dhe dhomës së notereve mbi këtë objekt. Seanca e radhës u vendos më 25 mars, ditën e mërkurë.

/Reporter.al/