Argumentet përfundimtare në KPA, Besnik Cani rrezikon shkarkimin

Komisioneri Publik dhe mbrojtja e anëtarit të KLP, Besnik Cani ngritën pretendime të ndryshme mbi të drejtën e palëve për të ankimuar një pjesë të vendimit të KPK-së mbi profesionalizmin. Komisioneri këmbënguli në shkarkimin e Canit, ndërsa mbrojtja në konfirmimin e tij në detyrë.

Nga Vladimir Karaj | BIRN | Tiranë

Në një debat gjyqësor me ngjyra, kërkesa ndjese dhe ironi mbi leximin e ligjit, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit që të shkarkonte prokurorin dhe anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, ndërsa mbrojtja e këtij të fundit pretendoi se ankimi ishte në shkelje të ligjit dhe se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duhej të mbetej i pandryshuar.

Debati të martën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u fokusua kryesisht mbi të drejtën për të ankimuar një pjesë të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili dërgonte disa prej gjetjeve në kriterin e profesionalizmit për vlerësim disiplinor pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.

Në ligj thuhet se dërgimi i çështjeve për procedim disiplinor nuk mund të ankohet. Por palët në Kolegj mbajtën qëndrime të ndryshme mbi këtë pikë, ndërsa Komisioneri kërkoi që Kolegji të dilte me një vendim që të aplikohej edhe mbi vendime të tjera të ngjashme të Komisionit dhe t’i kufizonte këtij mundësinë për referime disiplinore.

Përtej kësaj pike, palët mbajtën qëndrimet fillestare në çështje.

Komisioneri Florjan Ballhysa tha se Cani duhej të shkarkohej, për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, cënim të besimit të publikut te drejtësia dhe probleme të profesionalizmit. Ballhysa këmbënguli se Cani nuk kishte provuar të kundërtën e barrës së provës për pasurinë, ndërsa nuk kishte dhënë asnjë shpjegim të ndryshëm sa i përket 4 çështjeve në kriterin e profesionalizmit.

Nga ana e vet, Cani u mbrojt duke bërë një përshkrim të punës për disa vite, ndërsa këmbënguli se kishte punuar me “dinjitet dhe ndershmëri” dhe kërkoi të vijonte në detyrë. Ai po ashtu kërkoi ndjesë nëse “kishte fyer dikënd me këto kërkesa (nga anëtarë të trupit gjykues)”, duke iu referuar kërkesave për përjashtim, kallëzimit penal dhe ankimit për vlefshmërinë e mandatit të dy anëtarëve të KPA. Cani tha se këto kërkesa ishin bërë se ai besonte te zbatimi i ligjit.

Avokati i tij, ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ishte ironik, si ndaj trupës pas një vendimi të ndërmjetëm, ashtu edhe ndaj komisionerit, kryesisht mbi përllogaritjen e bilancit negativ dhe argumenteve mbi të drejtën e ankimit për 4 çështje të përfshira në kriterin e profesionalizmit.

Debati mbi procedurën

Besnik Cani e kaloi fazën e parë të vetingut më 27 nëntor 2018, ndonëse 4 çështje që lidheshin me etikën dhe profesionalizmin u dërguan për inspektim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi ankimin e vendimit përmes një rekomandimi, ndërsa Komisioneri Publik kërkon në Kolegj shkarkimin e tij. Në Kolegj, Cani po gjykohet nga trupa e drejtuar nga Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo.

Cani pati pretenduar që në fillim të procesit se katër çështjet që KPK i kishte adresuar për procedim disiplinor nuk duhej të pranoheshin në ankim, për shkak se kjo ndalohej nga ligji.

Në përballjen e fundit gjatë dhënies së konkluzioneve Komisioneri Publik mbrojti idenë se të gjitha çështjet ndaj prokurorit ishin të apelueshme dhe se ky pretendim i tij nuk duhej të merrej parasysh. Sipas Komisionerit, e drejta e tij për të ankuar nuk cënohej nga kjo vendimmarrje e KPK dhe si një prej institucioneve në procesin e rivlerësimit dhe në mbrojtje të interesit publik ai kishte të drejtë të ankimonte çështjet e dërguara për procedim disiplinor, kur besonte se vendimi i KPK nuk ishte marrë në përputhje me ligjin.

Sipas Ballhysës, kur Komisioneri Publik “konstaton se vendimmarrja e Komisionit nuk është marrë në përputhje me ligjin dhe nuk mbështet në prova apo subjekti nuk plotëson kushtet që të përligjë konfirmimin të tij në detyrë”, ajo vendimmarrje duhej të apelohej. Komisioneri kërkon që KPA t’i shqyrtojë këto çështje brenda “juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit”.

Komisioneri tha se katër çështjet; marrëdhënia kontraktuale me kompaninë Kastrati për një karburant, marrja e statusit si i pastrehë në Fier në kohën kur kishte një hetim për abuzimet me këtë status nga prokuroria që drejtonte dhe dy çështje penale në prokuroritë e Elbasanit dhe Tiranës, duhej të shqyrtoheshin në KPA si pjesë e rivlerësimit të Canit. Komisioneri tha se në këtë rast Cani nuk kalonte kriterin e aftësive profesionale dhe se kishte cënuar besimin te drejtësia.

Avokati i Canit kundërshtoi pretendimin e Komisionerit, ndërsa pretendoi se ligji në këtë pikë ishte i qartë. Ai tha se vendimi i KPK për të kaluar një çështje për procedim disiplinorë ishte i pa apelueshëm. Duke iu referuar nenit 59 të ligjit për rivlerësimin Halimi lexoi disa herë pjesën: “Ndaj këtij vendimi nuk mund të bëhet ankim” dhe ironizoi duke thënë se një lexim ndryshe i kësaj fjalie nuk mund ta bënte asnjë 10 vjeçarë.

LEXO EDHE  Rikthimi i shqiptarëve në atdhe, Meta: Ka pengesa burokratike nga disa vende

Halimi kundërshtoi pretendimin e Komisionerit se ky kufizim ishte vetëm për subjektin. Ai tha se kjo do të cënonte barazinë e armëve në proces, ndërsa tha se i referohej katër vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, të cilën e quajti “Supergjykata” mbi të drejtat e palëve. Halimi po ashtu kundërshtoi pretendimet e komisionerit se katër çështjet çonin në shkarkimin e Canit. Ai tha se kontrata e karburantit ishte ajo që aplikohej në të gjithë ballkanin, këmbënguli se vlerësimi profesional nuk mund të bëhej vetëm mbi dy çështje dhe tha se këto veprime të Canit nuk kishin sjellë pasoja.

Halimi ripërsëriti qëndrimin e Canit se nëse kontrata me Kastratin gjendej në konflikt interesi ai ishte gati të hiqte dorë nga ajo, ndërsa theksoi se ILDKPKI i kishte thënë prokurorit se kontrata nuk kishte probleme.

Palët iur referuan në këtë pikë edhe qëndrimeve dhe rolit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Komisioneri iu referuar rekormandimit të ONM për rastin e drejtueses së prokurorisë së Durrësit, në të cilin ONM arsyeton se kur vendimi i KPK konsiderohej i gabuar dhe Komisioneri arsyetonte se shkeljet ishin shkarkuese nuk mund të aplikohej ndalimi i parashikuar për ankim në nenin 59.

ONM në rekomandim specifikisht shprehet se ankimi në këtë pikë i ndalohej vetëm subjektit. Ndërsa thekson se mosmarrja parasysh e ankimit në pikat e trasferuara për procedim disiplinorë kur Komisioneri kishte bindjen se shkeljet ishin shkarkuese dhe nuk duhej të kishin shkuar për procedim disiplinorë vendoste në rrezik rolin kushtetues të Kolegjit të Apelimit.

Por Halimi kundërshtoi referimin te ONM. Ai citoi një opinion të dhënë nga Komisioni Europian për Gjykatën e Strasburgut, në të cilin thuhej se roli i vëzhguesve ndërkombëtar ishte veç garantimit të procesit edhe garantimi që subjekteve do u respektoheshin të drejtat.

Ballhysa në këtë pikë shtroi për Kolegjin edhe disa pyetje, me anë të të cilave kërkon interpretim të vendimeve të KPK për referime disiplinore dhe po ashtu synon të vendosë një kufizim mbi sasinë e çështjeve që mund të referohen nga KPK në organe të tjera.

Ndër të tjera Komisioneri i shtroi Kolegjit si pyetje nëse mundej KPK të hiqte dorë nga juridiksioni rivlerësues, a duhej të kishte një proces vlerësimi paraprak për të identifikuar shkaqet që përbëjnë shkelje disiplinore dhe nëse duhej apo jo të kishte një kufizim mbi numrin e praktoikave që dërkoheshin për procedim disiplinorë.

Ndërkohë Komisioneri Publik tha gjatë leximit të qëndrimit të tij se Cani nuk kishte provuar të kundërtën sa i përket pamjaftueshmërisë së burimeve të ligjshme të pasurisë. Komisioneri tha se Cani kishte mungesë burimesh prej 2 milion lekësh dhe se kishte bërë deklarime të pasakta, sa i përket disa prej pasurive të marra në shqyrtim.

Përkundër këtij qëndrimi vetë Cani dhe më pas Halimi këmbëngulën se pasuria e prokurorit ishte modeste dhe burimet e ligjshme të provuara. Ata kërkuan të mbahej parasysh “parimi i dyfishit të pasurisë” dhe gjithashtu i cilësuan pretendimet e Komisionerit për pamjaftueshmëri si spekulime.

Në këtë moment pati edhe një “përplasje” mes Halimit dhe KPA. Halimi kërkoi që të merrej si provë e re një mandat bankarë që provonte sipas mbrojtjes një shumë prej 6 mijë euro të vënë në diskutim nga Komisioneri. Ky i fundit u shpreh se nuk ishte kundër marrjes së provës, pavarësisht se procesi ishte mbyllur, por shtoi se fatura e pretenduar nuk ishte e njëjtë me 6 mijë eurot që ai pretendonte se nuk justifikoheshin.

KPA në një vendim të ndërmjetëm vendosi të mos e pranonte provën, duke arsyetuar se Cani e kishte pasur në dorë mandatin që në nëntor të vitit që shkoi dhe mund ta kishte depozituar atë në çdo moment. Halimi e ironizoi këtë vendim si të habitshëm, pasi sipas tij për ta pranuar kishin qenë dakord të dyja palët.

Në fjalën e tij Cani i kërkoi KPA që të merrte parasysh karrierën e tij të gjatë dhe punën që ai kishte bërë. Ai tha se kishte një pasuri modeste, për një pjesë të të cilës ende paguante këste kredie dhe këmbënguli se po i nënshtrohej një procesi më të rreptë se kolegët jo magjistratë në KLP të cilët nuk kishin kaluar në dy faza rivlerësimi.

Në fund Komisioneri kërkoi shkarkimin e Canit bazuar në tre pika të nenit 61 të ligjit për rivlerësimin kalimtarë. Ai tha se Cani duhej të shkarkohej për “deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë”, se ishte “i papërshtatshëm në nivelin e aftësive profesionale” dhe se “kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia”.

Nga ana tjetër Halimi dhe vetë Cani kërkuan lënien në fuqi të vendimit të KPK dhe konfirmimin e prokurorit. Kolegji vendosi që të shpallë vendimin më 27 shkurt në orën 10.00./reporter.al/