Media e lirë si garanci për mos-kapje të pushtetit

Nga Ilir Kalemaj

Sot në botë po bëhet gjithnjë e më tepër objekt debati fakti që në gazetari rëndom po haset modeli i “gazetarisë së verdhë” ku përzierja e sensacionit, kronikës së zezë, karikaturave dhe thashethemeve për vipa apo si në rastin e Shqipërisë për rripa, po i lë vend përherë e më pak gazetarisë investigative, analizave me thelb dhe shtypit të angazhuar.

Natyrisht ky nuk është një trend i viteve të fundit apo edhe dekadave të fundit. Është një proces i ngadaltë që ka nisur mbi një shekull më parë. Për shembull, ja ç’shkruan Horace Ëhite, një nga shtetarët më të vlerësuar të gazetarisë amerikane, në vitin e largët 1904: “Kur hyra në gazetari, shtypi i vendit ishte i pastër, dinjitoz dhe me mendje të kthjelltë. Kishte synime politike, letrare, shkencore, sociale, fetare, reformuese e të tjera si këto. Por të fituarit e parve duke spekulluar me veset dhe marrëzitë e komunitetit, dhe duke shtuar kështu masën e vesit dhe marrëzisë kolektive, ishte përgjithësisht e paimagjinueshme.

Sot shtypi po ndryshon më shpejtësi marramendëse. Për shembull, Jill Abramson në librin e tij të fundit “Tregtarët e së Vërtetës” na tregon se punësimi në redaksitë e gazetave u ul me 45 përqind nga 2008 në 2017 — dhe me 60 përqind nga 1990 në 2016 në SHBA.

Qarkullimi i paguar i gazetave ka rënë nga 62.5 milion në vitin 1968 në 34.7 milion në 2016, ndërsa popullsia e vendit ka ardhur duke u rritur me 50 përqind. Vetëm midis 2007 dhe 2016, të ardhurat nga reklamat e gazetave, burimi i tyre i madh i të ardhurave, ranë nga 45.4 miliardë dollarë në 18.3 miliardë dollarë (deri në vitin 2016 Google ishte duke bërë rreth katër herë të ardhurat nga reklamat e gjithë industrisë amerikane të gazetave). Pothuajse 1,800 gazeta, shumica prej tyre javore lokale, janë mbyllur që nga viti 2004. Kjo kolaps është veçanërisht domethënëse sepse gazetat ishin tradicionalisht atje ku punonin shumica e gazetarëve amerikanë, dhe ku bëhej raportimi më origjinal.

Nga ana tjetër, ngjashëm si në futboll, ku klube të rëndësishëm europianë janë blerë dhe po vijojnë të blihen nga sheikë arabë (si psh Mancester Siti apo Paris Sen Zhermein), edhe në gazetari, manjatë të fuqishëm prej kohësh kanë filluar tëbëjnë investime startegjike në media tradicionale të cilat kanë pasur vështirësi ekonomike apo menaxhimi financiar. Për shembull, kompania Washington Post ia shiti gazetën Jeff Bezos në 2013 për çmimin e volitshëm prej 250 milion dollarë, pas vitesh shkurtimesh që gjithsesi nuk arritën t’i rimërkëmbnin financat e saj dhe pasi i kishte shitur publikimin e simotrës së saj,

Newsweek, Sidney Harman-it në 2010 për vetëm një dollar. Qarkullimi i Neësëeek, dikur më shumë se katër milion, tani është 100,000. Ndërsa e mirënjohura Time Magazine, pas një seri ndryshimesh të pronësisë dhe shumë shkurtimeve, u ble nga Marc Benioff, themeluesi i Salesforce.com, për 190 milion dollarë në 2018. Los Angeles Times u shit në kompaninë Tribune në vitin 2000, dhe në 2018, shumë shkurtime më vonë , te Patrick Soon-Shiong, një investitor i pasur, i cili gjithashtu bleu The San Diego Union-Tribune.

LEXO EDHE  Tremujori i dytë rriti fitimin e sektorit bankar. Kreditë me probleme “rezistojnë” në 8.1%

CBS kaloi në disa blerje dhe tani është rrjeti i lajmeve në vendin e tretë. Ndryshime këto që pasojnë atë të Huffington Post-it në 2011 që u ble nga AOL (kompani që sot nuk ekziston më) për shumën rekord të 315 milionë dollarëve, një shumë e jashtëzakonshme kjo për Ariana Hufingtonin, ish-studenten greke të diplomuar në Cambridge për shkenca politike që kishte ngritur blogun e saj tejet të suksesshëm në një kohë rekord.

Disa media tradicionale janë ringritur bindshëm, si New York Times, që pasi bëri me pagesë faqen e saj online (pas një numri të caktuar artikujsh falas në muaj) duke ndjekur kësisoj shembullin e suksesshëm të Wall Street Journal, The Economist apo Financial Times, sot raporton 3.5 milionë abonues digjitalë dhe ka përforcuar bindshëm financat e saj. Times, nga llogaria e vet, po zbret shumë pajtimet e tij dixhitale (abonenti mesatar paguan pak më pak se 12 dollarë në muaj), dhe si kompani prodhon marzhe fitimi pak më pak se 10 përqind, krahasuar me gati 40 përqind të Facebook (të ardhurat neto të Times në 2018 ishin 126 milion dollarë, përkundrejt 22 miliardë dollarëve të Facebook).

Dhe, për shkak të cilësisë dhe shtrirjes së saj, është në një kategori shumë të vogël. Rrjetet sociale si Facebook kanë arritur të krijojnë një gati monopol jo vetëm në filtrimin dhe trafikun e lajmeve duke përzgjedhur dhe të preferuarat sipas marrëveshjeve të biznesit por arrin të prodhojnë dhe vetë lajme apo të përcaktojnë se cilat janë të ligjshme-legale (mainstream) dhe cilat fake (lajme të rreme). Natyrisht gjithë kjo përkthehet në industri shumë-miliardë dollarëshe e cila në një botë përherë e më të ndërlidhur kërkon ushqim (lexo:lajme) përherë e më të shpejta.

Megjithatë të tjerë e shohin me disi më tepër optimizëm këtë fenomen. Për shembull, në një raport të ri të quajtur “Për gazetarinë amerikane, e ardhmja është më e ndritshme se sa mendoni”, nga Boston Consulting Group, thotë shprehimisht se: “gazetaria ka përfituar nga forma të ndryshme të subvencionit, mbështetjes dhe dashamirësisë.

Ndoshta është jo rastësore që historikisht Times, Post, dhe Wall Street Journal ishin të kontrolluar dhe operuar nga familje të vetme, me motive dhe misione që shkonin pëërtej maksimizimit të fitimit. Një gjeneratë e re e miliarderëve, përfshirë Jeff Bezos, Patrick Soon-Shiong dhe Marc Benioff, duket se po hyjnë në një rol të ngjashëm në pronësinë e tyre përkatësisht të Ëashington Post, Los Angeles Times, dhe revistës Time.

Problemi me patronët e pasur apo oligarkët siç i quajmë këtejpari, është se shpesh kanë synime politike apo financiare që cënojnë pavarësinë editorial. Agjendat e tyre shpesh private ndonjëherë janë të kithëta me ato të publikut. Ndaj roli rregullator, gjithnjë kur është i vet-rregulluar nga vetë mediat dhe jo i diktuar në formë qeveritare nga qeveria, siç po ngjet në rastin shqiptar, është rruga e domosdoshme për të patur një media të lirë, informative dhe me mision interesin publik. Sepse media si pushtet i katërt është një garanci shtesë për mos-kapje të pushtetit.