Kur Ramës i prishet festa me OFL

Nga Boldnews.al

Në pesë ditë aksion, Operacioni Forca e Ligjit, (OFL) nisi dhe po bitiset me dështim. Daljet publike për sekuestrimin e pronave të të “fortëve”, i ngjan më shumë një spektakli veror në kulmin e dimrit. Policë me maska që janë instruktuar gjashtë muaj që të aktrojnë, shfaqje me veshje gjoja speciale me syze të errëta që të mbulojnë deri mollëzat e faqeve dhe në fund produkti disa prona të sekuestruara, por shumë shpejt pritet të rrëzohen nga gjykatat, pasi çdo nismë e marrë kanë një fund: “ligji dhe spektakli” nuk shkojnë bashkë.

E turpshme është gjithashtu edhe lista me objektet e sekuestruara që mbyllen me ndonjë shtëpi njëkatëshe në Dukagjin, apo bllokimin e motorrëve papaq. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, ku gjithçka ishte një skenar i shkruar keq nga kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Qëllimi ishte i qartë që për të rregulluar disi imazhin se Rilindja nuk është e lidhur me krimin e organizuar duhej kjo shfaqje për të mbuluar diçka shumë më të madhe, që asesi nuk mund të mbulohet aq lehtë. Pasi kanë ndikuar që elementë të botës së krimit të linin qelitë nga vendime të dyshimta, sot po i bëjnë “gjyqin” me spektakël publik, që nuk po ngjit në shoqëri.

Një ndër personazhet që i shkoi “formulari” në banesë për të justifikuar pronat ishte edhe Lulzim Berisha, por ai paraqiti dokumentat që bënte të ditur se ishte bashkëpronar në furnizimin e anijeve të peshkimit dhe disa tendera të fituara. Ishte po vetë Rilindja që i dha dorën e fundit në lirimin e Berishës, por edhe të tjerëve nga burgjet.

Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako firmosi një dokument që thuhej se ishte i gatshëm për të punësuar Lulzim Berishën në ndërmarrjen komunale të bashkisë, në mënyrë që ky i fundit ti shpëtonte viteve të tjera të dënimit.

LEXO EDHE  ‘Më përndiqte nga puna në shtëpi’/ Luana Vjollca kallëzon në polici 28-vjeçarin

Po ashtu edhe administrata e burgjeve e kontrolluar nga qeveria, është bërë nismëtare që sot të dalin nga burgjet disa të dënuar me burgim të përjetshëm, duke i konsideruara ata si “me sjellje shembullore në burg”, apo edhe “punëtorë të mirë”. Me këto fletushka që vijnë nga administrata e burgjeve, të dënuarit përjetë që mbajnë mbi supe krime të rënda po lenë një nga një izolimin dhe dalin si qytetarë të lirë në publik, madje të shfaqen edhe si “biznesmenë të ndershëm”.

Për të shpërndarë “hi propagandistik”, u mendua që të shfaqej OFL, e cila në letra nga qeveria po shitet si forcë e cila synon të dobësojë dhe luftojë krimin e organizuar. Edhe sikur kjo të funksionojë, elementë të botës së krimit, pasi morën bonusin e madh të lirimit nga burgu nuk e kanë aspak problem që të lëshojnë ndonjë pronë, vetëm e vetëm të duket sa më i vërtetë aksioni Forca e Ligjit.

Skenari i ra qeverisë, pasi ky spektakël që nuk synon luftën kundër krimit të organizuar, por lojë propagandistike, është përçudnuar publikisht, pavarësisht ulërimës së pushtetit. Gjithashtu ka shkelje të rënda ky akt normativ i qeverisë, pasi detyron institucionet e pavarura si Prokurorin e Përgjithshëm, kreun e SPAK apo të SHISH që një herë në tre muaj të jenë nën “hyqmin” e Ministrit të Brendshëm, ku do u kërkojë “rezultatet në punë”. Nga shumë juristë kjo është konsideruar si skandal, që nëse do ishte në funksion Gjykata Kushtetuese do e kishte rrëzuar ende pa nisur funksionin aktin normativ dhe vetë OFL-ja.

Prej të paktën tre vitesh për qeverinë tonë nuk ka rëndësi Kushtetuta, por shfaqja propagandistike, që edhe këtë herë iu rrëzua nën këmbë, ndonëse e mendoi se do ishte një mënyrë për të përmirësuar perceptimin e drejtë të publikut që mazhoranca është e lidhur me elementë të botës së krimit. OFL-së po i bie maska!