Lali Eri na e shet betonin për shëndetlie!

Nga Boldnews.al

Një shekull kryeqytet, një shekull vuajtje, trishtim, gëzim, shpresë por edhe vrasje e shpresës dhe jetesë në një bunker të madh. Kjo është Tirana e sotme, ku dhimbja mbytet me tallava politike dhe me shitjen e një produkti fals që nuk ekziston, ku e keqja mbulohet me shfaqje virtuale.

“Tirana ka shije, e ëmbël si shëndetlie! Kemi hyrë në vitin e 100-të të Tiranës kryeqytet dhe për secilin prej nesh, ky qytet përfaqëson diçka: është vendi ku ka lindur, ku është rritur, ku ka hedhur hapat e parë, ku ka rënë për herë të parë në dashuri, ku ka krijuar familjen, ku po rrit fëmijët, ku punon, ku thur ëndrra, ku i gëzohet suksesit e ku ngrihet sërish në këmbë për t’i thënë vetes – “Po, unë mund t’ia dal!”. Ky është postimi më i fundit i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, të cilin e shoqëron me një video qejfi, ku nëse do i besohet vetëm spektaklit propagandistik, kryeqyteti i shqipërisë do shpallej si vendi më i mirë në botë për të jetuar.

Tirana nuk është më vendi ku kanë lindur 20-vjeçarët e sotëm, madje as ata 5- vjeçarët e vegjël. Beton kudo. Pallate, kulla, smog i betoniereve, zhurmë e tmerrshme e gurëve fresilël që presin hekura e ngrejnë objekte që të zenë jo vetëm frymën, por edhe dritën e diellit.

Të mbyten mushkëritë nga ndotja e madhe, të gërryen zorrët dhe shpirtin propaganda. Të shfaqet në çdo çast Erion Veliaj, në telefon kur klikon për ndonjë lajm, në televizor kur tenton të qetësohesh dhe në rrugë kur të gjobisin dhe dhunojnë skifterët e Lalit, policët bashkiakë.

Duhet parë Tirana e vërtetë, kur në verë hap rubinetin e ujit dhe ujë nuk ke, zbret poshtë shkallëve dhe gjen faturën e shtrenjtë të ujësjellësit. Shkon në vendin ku ke parkuar por në xhamin e makinës tënde modeste ke gjobën e policicisë bashkiakë. Lëviz për ti kur të “keqes”, por sheh sërish grupin e gatshëm të skifterëve të Lali Erit që rrahin një të moshuar që shet në rrugë, sakatojnë cifte bashkëshortësh që pjekin misra. Por këto ngjarje të përditshme nuk janë në videon e Lali Erit, pasi të keqen e mbulon me propagandë, e shet korrupsionin masiv si zhvillim në kryeqytet. Të tjerë qytetarë gëzojnë kur ulen në ndonjë stol në parkun e sapondërtuar në rrëzën e ndonjë oborri të mbetur, por pak e dinë se për një shesh as 200 metra katrorë janë dhënë më shumë se 50 milionë lekë.

LEXO EDHE  Vasili: Asnjë lëshim Rilindjes për vjedhjen e zgjedhjeve! Refuzimi i kushteve të opozitës, fund reformës

“Është Tirana ku i gëzon suksesit”-thotë Veliaj. Po kush është suksesi sot, kur kryeqyteti është kthyer në një fjetore të madhe ku nuk ka punë, edhe nëse e gjen një të tillë paguhesh pak dhe nuk e gjen vetën asesi në pjesën e vogël të oligarkëve që kanë zënë për gryke dhe e shtrëngojnë çdo ditë një kryeqytet.

“Është Tirana kur rrit fëmijën”-thotë kryebashkiaku. Po është ky kryeqytet që nuk do doje kurrë të rrisje fëmijën në këtë katrahurë urbane, në mungesën e shpresës apo ta dërgoje në një shkollë që nuk ka ngrohje, por vetëm bojatisje fasadash dhe ato të paguara mjaft shprenjt nga taksat tona. Është Tirana ku prindërit jetojnë çdo çast me frikën se ndonjë tërmet tjetër do i shkërmoqë ato shkolla të rikonstruktuara në tre vitet e fundit, por të dërmuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Po sot qytetarët po ngopen me lugën bosh, aq sa po jetojnë një pjesë edhe ata në botën vituale të Lalit, që nis nga Sheshi Skënderbej, ku të rrëzohet edhe pema e Vitit të Ri dhe mbyllet në qarkun e kullave që kanë pushtuar Sahatin e Tiranës dhe këndin e lojërave në afërsi të Rrugës së Elbasanit… Kjo është Tirana me shije, e ëmbël si shëndetlie…! Beton me shije të ëmbël.