Nga BoldNews.al
Disa elementë në letrën që Tartar Bazaj i drejton Gent Ibrahimit përmendim disa shkëmbime favoresh, të dyshuara si korruptive, ndërmjet anëtarit dhe kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Në letrën zyrtare të datës 28 Janar 2020, të publikuar në “Boldnews.al”, jepen këto detaje:
Në fillesat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi i kërkon Tartar Bazajt votën për kryetar, në këmbim të “mirënjohjes”.
Tartar Bazaj jep votën për Ibrahimin. Në vijim, në përmbushje të “paktit të mirënjohjes”, Gent Ibrahimi kryen veprime aktive për “t’i hequr qafe” Bazajt problemet që mund t’i krijoheshin nga një raportim mediatik i gazetarit Artur Çani.
Në fjalë më të thjeshta – Gent Ibrahimi merr pushtetin e kryetarit, të cilin më pas e përdor për të ndihmuar Tartar Bazajn që “t’i heqë qafe” andrallat që mund t’i krijohen këtij të fundit nga një raportim mediatik i gazetarit Artur Çani për fallsifikim dokumentash.
Këto veprime të natyrës “më jep, të jap”, parashikohen në Kodin Penal si vepra korruptive.
Neni 319 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të drejtësisë”, parashikon:
“Premtimi…drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, gjyqtarit, prokurorit ose çdo punonjësi tjetër të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një vit deri në katër vjet”.
Në rastin konkret, Gent Ibrahimi, sipas letrës zyrtare të Tartar Bazajt, i ka kërkuar këtij të fundit votën për kryetar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në këmbim të “mirënjohjes”. Dhe këtë “mirënjohje”, Gent Ibrahimi e dëshmoi kur i “hyri mik” gazetarit Artur Çani për të “mos i rënë në qafë” vartësit të tij, Tartar Bazaj, i cili i dha votën për kryetar.
Sa më sipër, veprimet e Gent Ibrahimit duket se përfshijnë elementët e “korrupsionit aktiv”.
Vijojmë më tej me Kodin Penal. Në nenin 319/ç, “Korrupsioni pasiv i zyrtarëve të drejtësisë”, parashikohet:
“…Marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ….ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga gjyqtari, prokurori ose funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e funksionin e tij, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet”.
Në rastin konkret, Tartar Bazaj e pranon vetë në letrën e tij se ai ka pranuar t’i japë votën Gent Ibrahimit, në këmbim të “mirënjohjes” së këtij të fundit. Pra, Bazaj ka pranuar “premtimin” për “mirënjohje”, në këmbim të votës për Gent Ibrahimin.
Sa më sipër, veprimet e Tartar Bazajt duket se përfshijnë elementët e “korrupsionit pasiv”.
Hetimi i rasteve të korrupsionit tashmë është kompetencë e Prokurorisë Speciale-SPAK. Për më tepër, dy zyrtarët e përfshirë në këtë histori konsiderohen nga ata të nivelit të lartë, të cilët janë kompetencë e SPAK-ut, jo vetëm për korrupsion, por edhe për çdo vepër penale tjetër.