Flet Prokurori Italian që i ka shpallur luftë mafias: Jetoj si një njeri i dënuar me arrest shtëpie

Nga Margherita Stancati |

Francesca Volpi për “The Wall Street Journal”

Nikola Gratteri udhëheq një betejë masive në Kalabrinë e varfër kundër organizatës kriminale më të pasur të botës perëndimore.

KATANZARO, Itali – Nga ky qytet kodrinor në jugun e thellë të Italisë, një prokuror 61-vjeçar po lufton një nga organizatat më të fuqishme kriminale në botë.

Nikola Gratteri po udhëheq betejën kundër ‘Ndrangheta-s, një organizatë kriminale, e cila që nga maja e çizmes së Italisë ka shtrirë tentakulat e saj në të gjithë globin dhe dominon tregtinë e kokainës në Evropë.

Prokurori antimafia, në dhjetor, mobilizoi mijëra oficerë të zbatimit të ligjit në një operacion që çoi në arrestimin e më shumë se 300 personave, pjesë e një hetimi të vazhdueshëm që po ekspozon lidhjet midis ‘Ndrangheta-s me zyrtarë lokalë dhe politikanë të rajonit të Kalabrisë. Ishte një nga operacionet më të mëdha ndaj mafies në historinë moderne të Italisë dhe bastisja më e madhe ndonjëherë kundër ‘Ndrangheta-s.

Posterët e kandidatëve në zgjedhjet rajonale të 26 janarit paraqesin një rrugë në Katanzaro.

“E mendova si luftë”, tha z. Gratteri, një vendas nga Kalabria që jeton nën mbrojtjen e policisë që kur u bë prokuror në rajonin e tij të lindjes, tre dekada më parë. Që nga ajo kohë, policia ka parandaluar disa komplote mafioze të cilat synonin ta eleminonin.

Ai filloi ta planifikojë spastrimin e fundit në 2016, në ditën e tij të parë si kryeprokuror i Katanzaros, kryeqytetit rajonal. Por lufta e Z. Gratteri është vetëm fillimi. Më shumë se 500 njerëz janë aktualisht nën hetim si pjesë e bandës, shumica e tyre në paraburgim.

Gjyqi do të fillojë para verës. Për të pritur numrin e madh të të pandehurve, dëshmitarëve dhe avokatëve, një fushë volejbolli me një kapacitet prej 3,200 vendesh është duke u shndërruar në një sallë gjyqi me siguri të lartë.

Ndër objektivat e Z. Gratteri janë radhët e larta të familjes Mancuso, një nga klanet më të fuqishme të ‘Ndrangheta-s, si dhe biznesmenë, nëpunës civilë dhe politikanë nga i gjithë spektri politik.

Akuzat përfshijnë vrasje, zhvatje, korrupsion, pastrim parash, të kryera si pjesë e organizatës kriminale dhe bashkëpunimit me të.

Disa politikanë dhe media vendase e kanë kritikuar sulmin si të tepërt, duke ngritur pyetje nëse këto qindra arrestime ishin vërtet të nevojshme. Z. Gratteri thotë se pa arrestime, rreziku i fshehjes nga drejtësia dhe zhdukjes së provave ishte shumë i lartë.

Gratteri filloi planifikimin e spastrimit të fundit kundër sindikatës së krimit ‘Ndrangheta në 2016.

Eskorta e armatosur shoqëron zotin Gratteri, i cili ka qenë shënjestra e disa atentateve.

Gjyqi i ardhshëm do të jetë çështja më e madhe antimafia e Italisë që nga i ashtuquajturi Maksi-procesi, procesi gjyqësor kundër Cosa Nostras në Sicili, që filloi në vitin 1986, dhe dobësoi shumë organizatën dhe ekspozoi punët e saj të brendshme.

Që atëherë, Ndrangheta gradualisht ka eklipsuar Cosa Nostran për t’u bërë organizata kriminale më e pasur në botën perëndimore. Ajo kontrollon rreth 80% të tregtisë së kokainës në Evropë dhe të ardhurat vjetore i vlerësohen rreth 55 miliardë dollarë — më shumë se sa të ardhurat e të gjitha kartelave të drogës të Kolumbisë dhe Meksikës të marra së bashku. Prokurorët vlerësojnë se ‘Ndrangheta ka 20,000 anëtarë.

Pjesa më e madhe e parave të saj pastrohen në qytete të mëdha evropiane, duke përfshirë pasuri të paluajtshme, restorante dhe hotele.

E lënë pas dore

Ashtu si pjesa më e madhe e Italisë Jugore, Kalabria është në fund të listë së të ardhurave vjetore si sa i përket Italisë, por po ashtu edhe Europës Perëndimore.

Pak nga pasuria e ‘Ndrangheta-s arrin të përqendrohet në rajonin e saj, Kalabrinë, një nga zonat më të varfëra të Evropës Perëndimore, ku papunësia me 21.6%, është më e larta në Itali. Pikërisht këtu rrjetet e fshehta familjare të ‘Ndrangheta-s rekrutojnë anëtarë të rinj, shantazhojnë biznese për para kundrejt mbrojtjes dhe kultivojnë lidhje me zyrtarët e administratës. Ky korrupsion dhe frikësim shpjegon pse ka kaq pak investime të jashtme në Kalabri — dhe se pse shumë të rinj i drejtohen organizatës kriminale për punë.

Një ndërtesë e papërfunduar që ndodhet në La Castella, një qytet në rajonin e varfër të Kalabrisë

Por nuk është thjesht Kalabria. Prania e rëndë e organizatave kriminale ka kontribuar në stanjacionin e gjatë ekonomik në jug të Italisë në tërësi.

Lufta ndaj ‘Ndrangheta-s i ka kushtuar shumë Z. Gratteri. Në vitin 1989, mafiozët qëlluan me breshëri plumbash në derën e shtëpisë të të dashurës së tij dhe e telefonuan atë për ti komunikuar se po martohej me “një njeri të vdekur”. Ajo u martua me të gjithsesi, duke iu përshtatur stilit të tij të jetës. Çifti, të cilët janë ende të martuar, kanë dy djem të rritur.

“Unë nuk kam jetë” – tha Z. Gratteri, me theks të butë kalabrezi. Ai udhëton midis shtëpisë dhe zyrës së tij në një makinë antiplumb dhe rrallë shkon në vende të tjera. Ai nuk ka qenë në plazh apo kinema prej më shumë se 20 vjetësh. Ai kurrë nuk ka qenë për një shëtitje në qendrën e qytetit të Katanzaros që kur u bë prokuror atje. Ai nuk mundi të shkonte në funeralin e babait të tij.

LEXO EDHE  Të infektuar nga Covid 19, shërohen 8 mjekë dhe staf mjekësor

“Unë jam si i dënuar me arrest shtëpie. Pavarësisht gjithë këtij  kufizimi fizik, në mendjen time ndihem shumë i lirë” – tha ai.

Gratteri e përshkruan veten me probleme pagjumësie dhe si njeri shumë i dhënë pas punës. Ai zgjohet rreth orës 2:30 të mëngjesit, shkon në kuzhinë dhe punon deri në agim. I shqetësuar për jetën e tij, ai gjen ngushëllim në punë dhe në qërimin e perimeve, i rrethuar nga roje të armatosura dhe kamera sigurie.

Personeli ushtarak në Katanzaro ruajti një tubim të 18 janarit në mbështetje të Z. Gratteri.

“Është e rëndësishme të mos frikësohem, të dialogoj me vdekjen dhe t’i themi vetes se edhe nëse vdes sonte ose nesër nuk është fatkeqësi sepse kam pasur një jetë të mirë” – tha ai. “Unë kam qenë një njeri me fat”.

Rreziku është real. Në vitin 2005, policia italiane zbuloi një arsenal eksplozivësh dhe armësh luftarake që mendohej se do të përdoreshin për ta vrarë atë, një nga disa komplote vrasjesh kundër tij.

Kohët e fundit, policia përgjoi një bisedë telefonike midis dy mafiozëve që e përshkruanin zotin Gratteri si një “njeri të vdekur që po shëtiste”.

Pas valës së fundit të arrestimeve, rreziku është më i lartë se kurrë më parë. Policia thotë se ekziston një kërcënim specifik. Makinat e paprekshme të prokurorit thjesht janë zëvendësuar me automjete sportive që janë të blinduara kundër bombave. Më shumë njerëz janë shtuar në shoqërimin e tij.

E gjithë Italia e kujton se si dy prokurorë të spikatur të antimafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, u vranë nga mafia siciliane në fillim të viteve 1990.

Gratteri anashkaloi tubimin e mbështetësve të tij për shkak të një kërcënimi të sigurisë.

Një grua në tubim mbante një poster ku shkruhej “Të gjithë me Gratterin”

Si djali i një shitësi, Z. Gratteri u rrit në një fshat të vogël të Gerace-s, ku ai dhe djem të tjerë të rinj luanin futboll zbathur. Rrugët e tij u kryqëzuan sërish më vonë në jetë me ta, duke e marrë në pyetje njërin prej tyre në një burg të Miamit i cili u kap në një varkë me vela me rreth 400 kg kokainë. Një mik tjetër i fëmijërisë, tani një anëtar i ‘Ndrangheta-s, u arrestua në një nga operacionet e Z. Gratteri.

Përfshirja e ‘Ndrangheta-s ka tronditur Kalabrinë duke qenë se qytetarët e saj zgjedhin qeverinë lokale më 26 janar. Arrestimet kanë ushtruar trysni ndaj partive politike të Italisë për të provuar se kandidatët e tyre nuk kanë lidhje kriminale.

Guvernatori aktual demokrat i Kalabrisë, Mario Oliverio, u tërhoq nga gara pasi ekipi i Z. Gratteri njoftoi se dy nga ndihmësit e tij më të afërt janë nën hetim. Një politikan tjetër i shquar konservator është ndër ata që janë në paraburgim.

Disa akuzojnë zotin Gratteri për ndërhyrje në politikë. Ligjvënësja demokrate Enza Bruno Bossio tha që arrestimet në mënyrë masive penguan zotin Oliverio të kandidojë përsëri. Bashkëshorti i saj, ish-zëvendësguvernatori, është në mesin e atyre që janë nën hetim.

“Gratteri arreston gjysmën e Kalabrisë! A është drejtësi? Jo, është thjesht një shfaqje” – tha ajo në një postim në Facebook që tashmë e ka fshirë.

Për shumë kalabrezë të tjerë, Z. Gratteri është një hero. Në një tubim në mbështetje të tij më 18 janar, disa mijëra njerëz u mblodhën para zyrës së prokurorit në Katanzaro. Nxënësit e shkollës fillore dhe mësuesit e tyre brohorisnin “Mos e prek Gratterin!”

Aranceto është një nga lagjet më të varfra të Katanzaros

Një helikopter fluturoi dhe snajperët e policisë u vendosën nëpër çati. Prokurori nuk u paraqit: Policia ishte e shqetësuar se dikush nga turma do të përpiqej ta vriste atë ditë.

“Mafia është si një kancer që përhapet. Po shkatërron shpresat dhe të drejtat tona” – tha Pasquale Spina, 18 vjeç, i cili u shpreh se dëshiron të bëhet oficer policie. “Ne jemi këtu për të mbështetur Gratterin sepse ai ka nevojë për ne”.

Por në një rajon ku ka pak mundësi ekonomike për të rinjtë dhe mosbesimi ndaj autoriteteve është i lartë, bashkimi me mafien nganjëherë shihet si një mundësi e mirë.

“Sa i përket çështjeve sociale, politikanët janë të dobët – ndërsa ‘Ndrangheta është shumë më e fortë” – tha Z. Gratteri. “Ajo ofron shpresë”.

Për të rritur ndërgjegjësimin kundër krimit të organizuar, Z. Gratteri ndonjëherë bën bisedime në shkollat lokale. Mesazhi i tij nuk përthithet gjithmonë ashtu si synohet. Pas një bisede vitin e kaluar, tregon ai, një student i kërkoi atij këshilla se si të bashkohej me mafien.

Gratteri dyshon nëse ‘Ndrangheta do mund të mposhtet ndonjëherë plotësisht. “Ju mund të eliminoni 80% të saj përmes zbatimit të ligjit. Por një pjesë e vogël mbetet, dhe ky është mentaliteti mafioz” – u shpreh ai.

Qendra e ekspozitës Romani në Katanzaro, e papërfunduar.

Përkthyer nga BN