Komisioni i Venecias, ka konfirmuar zyrtarisht se ka pranuar kërkesën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për dhënien e një opinioni për atë që Kreu i Shtetit e konsideron si veprimtaria antikushtetuese e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetarit të KED-së, Ardian Dvorani, në procesin e emërimit të dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.
Kërkesa e Presidentit Meta, do të shqyrtohet bashkarisht me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, në muajin Mars.Kreu i Shtetit i ka drejtuar një seri pyetjesh Venecias lidhur me zhvillimet në raport me Kushtetuesen, por edhe me zgjerimin e objektit të Komisionit Hetimor parlamentar, i ngritur me synim shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit.
Më poshtë zbardhet lista e pyetjeve të Presidentit Meta, drejtuar Komisionit të Venecias, dhënia e përgjigjeve të së cilave do të faktonte antikushtetushmërinë e gjithë veprimeve të kryera nga Kuvendi.
Pyetjet për të cilat presidenti i republikës së shqipërisë kërkon opinion nga komisioni i venecias
I. MBI ZGJERIMIN E OBJEKTIT TË KOMISIONIT HETIMOR NGA KUVENDI MONO-PARTIAK
Në Opinionin No. 959 / 2019 CDL-AD (2019) 019, Komisioni i Venecias vërente se: “78. Në kohën e përgatitjes së këtij opinioni, Komisioni i posaçëm hetimor ishte ngritur, por nuk kishte hartuar ende raportin e tij, duke shprehur dëshirën për të marrë në konsideratë Opinonin e Komisionit të Venecias.”
1. A i mori në konsideratë Opinionin dhe këshillat e Komisionit të Venecias, Komisioni Hetimor Parlamentar shqiptar?
2. Lidhur me zgjerimin e objektit hetimor dhe zvarritjen e veprimtarisë së Komisionit Hetimor Parlamentar për shkelje të pretenduar të ligjit (dhe jo Kushtetutës), vlerësoni se:
– A i shërben uljes apo rritjes së tensioneve?
– A i shërben apo e asgjëson më tej mekanizmin e kontrollit dhe balancës midis pushteteve, në një situatë kur Parlamenti dhe të gjitha Bashkitë dominohen nga një parti e vetme?
3. A përbën tejkalim kushtetues të kompetencës hetimore të Kuvendit, zgjerimi i objektit të hetimit dhe zvarritja e veprimtarisë së Komisionit Hetimor Parlamentar ?
4. Në Opinionin No. 959 / 2019 CDL-AD(2019)019, Komisioni i Venecias vëren se: “80. Ndërsa përbërja e gjykatës kushtetuese ngjall gjithmonë interes për aktorët politikë, referimi i një rasti të tillë (shkarkimi i Presidentit) në kohën kur përzgjidhen gjyqtarët (e Gjykatës Kushtetuese) nuk është sfondi ideal për garantimin e pavarësisë së tyre.”
4.1 Në rastet kur qeveria dhe parlamenti janë një, dhe kur Presidenti është i vetmi aktor institucional jashtë tutorialit të qeverisë: A përbën zgjerimi i objektit hetimor për shkelje të pretenduar të ligjit (dhe jo të Kushtetutës) rritje të rrezikut eminent për të emëruar politikisht anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë vetëm nga një parti, pra vetëm nga një aktor politik?
4.2 A përbën kjo sjellje e Kuvendit tejkalim të kompetencave kushtetuese parlamentare që lidhen me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?
4.3 A e vendos zgjerimi i paligjshëm i objektit të Komisionit Hetimor Parlamentar Presidentin nën presion politik, që të emërojë në Gjykatën Kushtetuese kandidatët e preferuar nga partia në pushtet?
4.4 A rrezikon të cenojë legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese?
4.5 Përdorimi i komisionit hetimor, apo veprimeve të tjera të Kuvendit monopartiak , a rrezikon të krijojë precedent për ushtrimin e trysnisë së papërshtatshme politike nga mazhoranca qeverisëse edhe ndaj Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese prej saj?
II. GJYKATA KUSHTETUESE
Gjykata Kushtetuese qëndron në krye të piramidës së institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
Në opinionin e ndërmjetëm, No. 824 / 2015 CDL-AD (2015)045, paragrafët 23 dhe 24, dhe Opinionin final No. 824/2015 CDL-AD(2016)009, paragrafët 36, 37, 39, mbi amendamentet kushtetuese për gjyqësorin, Komisioni i Venecias paralajmëroi mbi rreziqet në kushtet kur:
1. Gjykata Kushtetuese krijohet nga e para;
2. Mazhoranca ka shumicë të cilësuar;
3. Presidenti dhe Parlamenti i përkasin të njëjtës forcë politike.
Komisioni i Venecias kërkoi rregulla të qarta për tranzicionin gradual të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë përcaktimin eksplicit të institucioneve të emërtesës dhe modus operandi (radhës që përcakton Kushtetuta), në mënyrë që kjo gjykatë të mos kapet politikisht nga partia në pushtet.
1. Në rastet kur parlamenti zotërohet de facto tërësisht nga një forcë politike, pra zotëron edhe shumicën e cilësuar prej 2/3 të votave të Kuvendit, emërimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vetëm nga një parti: A përbën rrezik të emërimit politik të kësaj gjykate?
2. A është zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vetëm nga një aktor politik në përputhje me përvojën kushtetuese europiane dhe rekomandimet e shprehura nga Komisioni i Venecias në opinionin për Shqipërinë dhe Malin e Zi?
3. Krijimi i Gjykatës Kushtetuese vetëm nga një forcë politike, pra vetëm nga një aktor politik, a përbën cenim të nenit 6 të KEDNJ-së, si një gjykatë e formuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin?
4. Mosrespektimi i modus operandi (radhës që përcakton Kushtetuta) në emërimin e gjyqtarëve që në momentin e parë të zbatimit të parashikimeve kushtetuese dhe ligjore dhe kur Gjykata Kushtetuese krijohet nga e para, a është në përputhje me përvojën kushtetuese europiane dhe a rrezikon të krijojë precedent të rrezikshëm për të ardhmen?
5. A legjitimohet Kuvendi të ndërhyjë në procedurën e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që i përkasin organeve të tjera të emërtesës, pra Presidentit apo Gjykatës së Lartë?
6. A mundet Kuvendi të ndërhyjë në marrëdhënien që krijohet midis Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe organeve të tjera të emërtesës – Presidentit apo Gjykatës së Lartë, në kushtet kur kompetenca kushtetuese e Kuvendit është e kufizuar në procesin e zgjedhjes së vetëm 3 prej 9 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?
III. MBI VEPRIMTARINË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
1. Në rastin kur Gjykata Kushtetuese krijohet nga e para, kur shumica parlamentare dhe Presidenti nuk i përkasin të njëjtës forcë politike, dhe kur parlamenti mono-partiak kërkon t’i rrëmbejë Presidentit kompetencën kushtetuese për të emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, a përbën rrezik që mazhoranca politike të emërojë më shumë se 1/3 e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?
2. Mosrespektimi i modus operandi (radhës që përcakton Kushtetuta): a është shkelje e gërmës së Kushtetutës, frymës së saj, si dhe standardit të përbërjes së balancuar të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?
3. Midis detyrimit kushtetues për respektimin e modus operandi (radhës që përcakton Kushtetuta), dhe parashikimit ligjor për respektimin e afatit 30 ditor, cili detyrim mbizotëron sipas parimit të hierarkisë së normave sipas Kushtetutës në Republikën e Shqipërisë?
4. A përbën mosrespektimi i modus operandi (radhës që përcakton Kushtetuta) ndërhyrje në hapësirën e përzgjedhjes së organit tjetër të emërtesës?
5. Sipas praktikës kushtetuese europiane, a është e pranueshme që përmes keqinterpretimit të mekanizmit zhbllokues, Presidentit t’i rrëmbehet kompetenca kushtetuese për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ai ka shprehur vullnetin në vazhdimësi e në mënyrë të dokumentuar se do ta ushtrojë këtë kompetencë?
6. A mundet të vendosë precedent të rrezikshëm deformimi i mekanizmit zhbllokues, duke e shndërruar atë praktikisht në një mekanizëm rrëmbimi të kompetencës kushtetuese?
7. Mosplotësimi i numrit minimal të 3 kandidatëve të ndryshëm për çdo vakancë nga KED, a sjell “një zgjedhje të detyruar” ose “të paracaktuar”?
8. A përbën kjo situatë rrezik të lartë për asgjesimin e kompetencës substanciale të zgjedhjes/emërimit?
IV. MBI VEPRIMTARINË E KUVENDIT TË SHQIPËRISË
Pas shqyrtimit me vëmendjen e duhur të Opinionit tuaj të paraqitur me nr. CDL-AD (2016) 009, në faqen 9 të tij, citojmë: “Në përvojën Kushtetuese Evropiane, zgjedhja nga parlamenti e gjyqtarëve kushtetues shpesh mbështetet nga kërkesa për shumicë të cilësuar me qëllim që të sigurohet një zgjedhje e përbashkët me mbështetjen pluraliste të partive politike dhe jo vetëm nga shumica.” Duke mbajtur në konsideratë këtë vlerësim:
1. A bie ndesh zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga një parlament mono-partiak me frymën e ndryshimeve Kushtetuese, rekomandimin (e mësipërm) e Komisionit të Venecias, dhe garantimin në kontekstin afatgjatë të paanësisë së anëtarëve të kësaj gjykate?
2. Kur Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë, Këshillat Bashkiakë dhe thuajse të gjitha institucionet e pavarura, janë në duart e një partie të vetme: a i shërben kapja ose paralizimi i Gjykatës Kushtetuese interesit politik të kësaj force për të mos patur një mekanizëm kontrolli të pavarur, siç duhet të jetë Gjykata Kushtetuese?
3. Po kur ky parlament mono-partiak tenton të marrë edhe më shumë se 1/3 e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke rrëmbyer emërtesën e Presidentit, a kemi të bëjmë me tejkalim të kompetencave dhe dominim të përbërjes së Gjykatës nga kandidatë që gëzojnë mbështetjen vetëm të një force politike?
4. Refuzimi i Kuvendit për të bashkëpunuar me Presidentin e Republikës , votimi në seancën plenare të datës 11 nëntor 2019 dhe miratimi i Rezolutës datë 15 dhjetor 2019, a dëshmojnë shkelje të parimit të luajalitetit kushtetues me qëllim kapjen e Gjykatës Kushtetuese?
5. Nisma ligjore e Kuvendit, datë 6 dhjetor 2019 , për miratimin e një ligji që ndryshon procedurën e betimit tek Presidenti i Republikës, dhe dhënia e efektit prapaveprues me synim heqjen e mandatit të anëtarit të emëruar nga Presidenti në Gjykatën Kushtetuese, a dëshmon se Kuvendi mono-partiak synon kapjen me çdo kusht të Gjykatës Kushtetuese?
6. Veprimtaria e Kuvendit për ta vendosur veten në një pozicion supremacie ndaj Presidentit (Komisioni Hetimor) dhe ndaj Gjykatës Kushtetuese (Rezoluta dt.15.11.2019) si dhe nisma ligjore datë6.12.2019, a përbëjnë goditje të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një shtet të së drejtës?
V. MBI EMËRIMET NË GJYKATËN KUSHTETUESE TË REALIZUARA NGA KUVENDI I SHQIPËRISË
1. Në kuptim të përvojës kushtetuese europiane, votimi i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese nga një listë me vetëm 1 kandidat , a e legjitimon parimin e “zgjedhjes”?
2. Cila është arsyeja që hartuesit e Kushtetutës dhe Komisioni i Venecias 2015-2016 parashikuan domosdoshmërinë e të paktën 3 kandidatëve për çdo vakancë? Çfarë rreziku mendohej të shmangej dhe a është sot ky rrezik eminent? Çfarë rekomandoni në raste të tilla?
3. A ka ndodhur në këtë rast, që kompetencën e zgjedhjes e ka marrë de facto një organ që nuk e ka këtë kompetencë, siç është KED ?
4. A përbën shkelje kushtetuese përjashtimi nga lista dhe mospërfshirja e znj. Arta Vorpsi nga Kuvendi në votimin e vakancës së 2 dhe të 4 (vakancat e Kuvendit), në seanën plenare të datës 11 nëntor 2019?
5. Sa e pajtueshme është me konceptin e “gjykatës së caktuar me ligj” të përcaktuar nga neni 6 i KEDNJ, zgjedhja nga Kuvendi e dy gjyqtareve në kundërshtim me procedurën kushtetuese?
6. Të gjitha shkeljet kushtetuese të Kuvendit, veçmas dhe/ose së bashku, që janë kryer për emërimin e kandidatëve të tij, a vënë në dyshim garancitë e individëve për një proces të rregullt ligjor?
VI. MBI VEPRIMTARINË E KËSHILLIT TË EMËRIMEVE NË DREJTËSI (KED)
1. Qëndrimi në detyrë përtej mandatit kushtetues i Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani (16 vite nga 9 që përcakton Kushtetuta), dhe për rrjedhim zgjedhja e tij si Kryetari i KED, a cenon parimet e pavarësisë dhe paanshmërisë gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve?
2. Veprimtaria e njëanshme e Kryetarit të KED Ardian Dvorani në shkelje të ligjit dhe të vendimeve të KED:
– Shkelja kushtetuese e modus operandi (radhës që parashikon Kushtetuta, e miratuar dhe me vendimet e KED, datë 21.9.2019), nëpërmjet dërgimit të listave të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese në organet e emërtesës dy e nga dy dhe të diferencuara në kohë;
– Botimi në Fletoren Zyrtare të listës së kandidatëve në kundërshtim me ligjet nr.115/2016 dhe nr. 78/2014, dhe me vendimin kolegjial të KED;
– Komunikimi zyrtar jashtë objektit të mandatit dhe pa vendimmarrje të KED;
– Mospublikimi për 1 vit rresht i procesverbaleve të mbledhjeve të KED, në shkelje të ligjit 115/2016 (nenet 226,232) dhe të vendimit nr. 1, datë 08.02.2019 të KED.
Këto shkelje ilustrohen qartë në dy spotet që Istitucioni i Presidentit të Republikës ka publikuar:
http://president.al/spoti-pare-ne-mbrojtje-te-kushtetutes-dhe-integritetit-te-gjykates-kushtetuese/;
http://president.al/spoti-dyte-ne-mbrojtje-te-kushtetutes-dhe-integritetit-te-gjykates-kushtetuese/
A e cënoi integritetin e procesit të përzgjedhjes së kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese?
Cila dispozitë kushtetuese parashikon që një organ emërtese mund të emërojë disa gjyqtarë kushtetues njëkohësisht?
3. Të gjitha faktet, mbi shkeljet procedurale të konstituimit të KED (bllokimi për 2 vjet i funksionimit të KED; pasja e 7 anëtarëve dhe në fund vetëm e 5 anëtarëve nga 9 që duhet të ketë), a e cenojnë legjitimitetin dhe besueshmërinë e KED, me pasojë cenimin e legjitimitetit edhe të produktit të tij, pra të përpilimit listave të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese?
4. Përjashtimi i Avokatit të Popullit nga veprimtaria e KED në shkelje të Kushtetutës (neni 179, pika 11) dhe ligjit nr. 115/2016 (neni 233), a e cenon transparencën e vendimmarrjes së KED dhe a kufizon kompetencat kushtetuese dhe ligjore të Avokatit të Popullit?
5. Sa i rëndësishëm është pluraliteti i kandidaturave në procesin e përzgjedhjes, veçanërisht kur procedohet për disa vakanca njëherësh, dhe kur Gjykata Kushtetuese ripërtërihet nga e para?
6. Në kushtet kur kandidatët për gjyqtar kushtetues, që vijnë nga radhët jashtë gjyqësorit, verifikohen nga KED me ndihmën e Agjencive në varësi të qeverisë (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave): a ekziston rreziku i favorizimit politik të kandidatëve të preferuar nga Qeveria?
7. Renditja në krye të listës të kandidatëve që kanë dështuar në testin e Shkollës së Magjistraturës, në kundërshtim me ligjin nr. 84/2016, (nenit 42, pika 2, neni 44, gërma c) si dhe ligjit nr. 96/2016 (neni 165, pika 2,3,4,8): A cenon besueshmërinë dhe integritetin e procesit të renditjes së kandidatëve nga KED? Për pasojë a cenon besueshmërinë, nivelin e profesionalizmit dhe integritetit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht kur kjo e fundit krijohet nga e para?
8. Në kushtet kur në sistemin e brendshëm gjyqësor shqiptar, aktualisht janë në shqyrtim:
i. një çështje penale që po hetohet nga SPAK mbi veprimet e paligjshme të Kryetarit të KED Ardian Dvorani; dhe
ii. një padi administrative e Avokatit të Popullit, që ka kundështuar aktet nënligjore të miratuara nga KED;
Cili do të ishte efekti i Opinionit të Komisionit të Venecias, përkundrejt hetimit dhe gjykimit të këtyre çështjeve?
Në përfundim të këtij informacioni të plotë mbi çështjen, si dhe pyetjeve të parashtruara më sipër, lutemi gjeni bashkëlidhur dokumentacionin shoqërues dhe listën e provave të renditura në mënyrë kronologjike.
Duke ju siguruar për konsideratën më të lartë,
Sinqerisht,
Ilir Meta