Megdet Rahimkulov i “OTP-Bank”, një oligark i Putin në tregun financiar shqiptar

Megdet Rahimkulov

Nga Boldnews.al

26-vjeçarja Megi Fino, vajza e ish-kryeministrit Bashkim Fino është një prej dy prej përfaqësuesve të bankës “OTP Nyrt”, të cilët nënshkruan për kalimin e bankës Societe Generale Albania tek Grupi hungarez, një transaksion që shënoi hyrjen e parë zyrtare të një oligarku rus në tregun financiar shqiptar.

Megdet Rahimkulov, një biznesmen ruso-hungarez 77-vjeçar, i konsideruar si një prej njerëzve të afërt të Vladimir Putin dhe i përfshirë në Janar 2018 nga Departamenti Amerikan i Thesarit në “Listën Putin”, rezulton të jetë një prej aksionerëve të “OTP Bank Nyrt”, e cila mori në zotërim 100% të aksioneve të “Societe General Albania” (SGA), nëpërmjet kontratës së datës 29 Mars 2019.

Në kontratën e shitjes, për blerësin “OTP” kanë nënshkruar Megi Fino dhe Evis Zaja, si përfaqësues të filialit shqiptar të kompanisë italiane të konsulencës “CMS Adonnino Ascoli & Cavasola Scamoni”. Ndërsa për “Societe Generale Albania”, nënshkrues është Aigest Milo, djali i ish-ministrit të Jashtëm, Paskal Milo.

OTP Bank Nyrt, pronarja e “OTP-Albania” zotërohet nga “Hungarian Oil and Gas Company Ltd” (MOL); Kafijat Ltd; OPUS Securities SA dhe Gopama Gan Vie SA.

Interesat ruse
Miliarderi Rahimkulov është pronari i kompanisë “Kafijat Ltd”, e cila është aksionerja e dytë e “OTP-Albania”. Por, raportime mediatike rajonale, e lidhin Rahimkulovin edhe me kompaninë “MOL”, aksioneren kryesore të bankës “OTP-Albania”.

Portali informativ “linx.crji”, në një artikull të 30 Gushtit 2018, me titull “MOL dhe OTP, Kukullat Matrioshka Hungareze”, shkruan se “MOL Group”…është një tjetër kompani, në të cilën ndërthuren interesat ruse dhe të oligarkut Rahimkulov”.

Për të forcuar këto lidhje, portali i rikthehet ngjarjeve të zhvilluara në mesin e viteve ’90. Në atë kohë, kompania shtetërore ruse e naftës “Gazprom” u bashkua me “MOL Group” dhe krijuan “Pan-rus-gas”. Miliarderi Megdet Rahimkulov zotëronte 10% të “Pan-rus-gaz” dhe u emërua Drejtor Ekzekutiv i saj.

Në një tjetër zhvillim biznesi, “Gazprom” bleu “Altalanos ErtekForglami Bank” (AEB), e cila ishte në pronësi të Rahimkulov. Më pas, miliarderi rus e ribleu këtë bankë nga “Gazprom” dhe ua shiti personave të tjerë. Për një periudhë të shkurtër kohore, Rahimkulov ishte përfaqësuesi i “Gazprom” në Budapest.

Gjithnjë sipas portalit “linx.crji”, në vitin 2007, media hungareze raportoi se Rahimkulov, paratë e fituara nga shitja e bankës “AEB”, i investoi në blerjen e aksioneve të kompanisë hungareze të Naftës dhe Gazit- “MOL”, e cila kontrollohet në pjesën më të madhe nga Shtetit Hungarez. Po ashtu, ai bleu edhe aksione të “OTP-Bank Nyrt”, e cila gjithashtu ka aksione tek “MOL”.

Agjencia “linx.crji” citohet të raportojë se “Po në vitin 2007, grupi hungarez i studimeve gjeopolitike, “Stratfor George Friedman” siguroi një e-mail të brendshëm, të marrë nga burime diplomatike, ku flitej për interesat ruse tek Kompania Hungareze e Naftës dhe e Gazit- “MOL”.

Ky e-mail, sipas agjencisë “linx.crji”, u bë publik në atë që quhet “Wiki-leaks”. “Pjesa më e madhe e aksioneve të MOL është në duart e rusëve”, thanë burimet diplomatike për “Stratfor George Friedman”, shkruan kjo agjenci.

“Ne mund të themi se interesat ruse kanë arritur në nivelin e 50%. MOL ishte goditja e parë e Rusisë, e dyta do të jetë OTP, banka më e madhe në Hungari”, shkruanin në atë dokument burimet diplomatike, në vitin 2007, cituar nga “linx.crji”.

LEXO EDHE  "Fatura e dëme nga tërmeti 1 mld euro"/ Deklarata e Ramës trondit Di Maio (VIDEO)

Qeveria shqiptare “mbylli sytë”
Largimi i një banke, sidomos nga një vend me ekonomi të dobët si Shqipëria, ndikon në ekonominë kombëtare. Vendimi i bankës me kapital francez, “Societe General Albania” për të mbyllur aktivitetin e saj në Shqipëri shkaktoi panik në tregun financiar vendas.

Interesi i bankës hungareze “OTP” për të blerë aksionet e “Societe Generale Albania” u pa me interes nga Qeveria Shqiptare, e cila, siç rezulton, ka ulur ndjeshëm vigjilencën për të penguar penetrimin e interesave të Moskës në ekonominë shqiptare.

Në një zhvillim të ngjashëm, Qeveria shqiptare ngriti barrikadën për të mos lejuar që “Telekom Serbia” të blinte “Telekom Albania” në Tetor të vitit 2018. Por, kjo barrikadë nuk u ngrit kur banka hungareze “OTP”, e cila përfshin interesat e oligarkut rus, Megdet Rahimkulov, realizoi me qetësi blerjen e “Societe Generale Albania”.

“OTP-Bank Albania”, nga ana e saj, nuk pranon të përfshihet në komente të natyrës politike e gjeopolitike.

“Boldnews.al”, duke cituar qëndrimin e vazhdueshëm të Qeverisë Shqiptare për një qasje pro-amerikane në politikën e saj të jashtme, përfshirë edhe marrëdhëniet financiare, pyeti zyrtarisht Bankën “OTP” se cili ishte vlerësimi i saj “për ekspansionin ekonomik në Shqipëri të interesave të Rusisë, e drejtuar nga Presidenti Vladimir Putin”.

Gjithashtu, “Boldnews.al” e pyeti “OTP Bank Albania” edhe për synimet e saj në tregun shqiptar.

“OTP Bank Albania”, në një përgjigje të parë për redaksinë, dha përgjigjet e saj. Por, në një komunikim të dytë, kërkoi nga “Boldnews.al” që citimet e saj fillestare të tërhiqeshin nga ky artikull.

“Banka OTP Albania nuk dëshiron të komentojë këtë hulumtim. Nga ana e saj, nuk pranon të jetë e përfshirë në përgojime të natyrës politike apo gjeopolitike. Ne kërkojmë që përgjigjet e Bankës “OTP Albania”, dërguar tek ju fillimisht, të hiqen nga ky artikull”, u shprehën përfaqësuesit e Bankës në një komunikim via-email.

Nga “Banka Popullore” tek “OTP”
Banka, tashmë e emërtuar “OTP Albania”, është themeluar me emrin “Banka Popullore”, në vitin 2003. Fillimisht, ajo kishte 22 aksionerë, të cilët ishin ndër biznesmenët më të fuqishëm shqiptarë të asaj kohe, por edhe në vijim.

Në vitin 2007, një pjesë e rëndësishme e aksioneve të Bankës Popullore u blenë nga francezja “Societe General Albania”. Deri në vitin 2010, institucioni financiar mbajti emrin “Banka Popullore”.

Pasi “Societe General Albania” mori në dorëzim paketën thuajse të plotë kontrolluese të aksioneve, iu ndryshua edhe emri i bankës. Tashmë, “Banka Popullore” u emërtua me emrin e shoqërisë që kishte pjesën më të madhe të aksioneve-“SGA”.

Prej vitit 2010, deri në 30 Mars 2019, ajo quhej “Societe General Albania”. Në vijim, ish-Banka Popullore tashmë quhet “OTP-Bank Albania” dhe të vetmit shtetas shqiptarë që janë në Këshillin Mbikqyrës së saj janë eksperti financiar Adrian Civici dhe biznesmeni e njëkohësisht Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armando Duka.