Tigri, Hermesi, Beni “tallësi by…” dhe ministri i Rindërtimit

Nga Boldnews.al

Ai është ministri më me fat, një mastiç pas kryeministrave, por edhe shfrytëzues i lindur i mundësive. Nëse shumëkush e konsideron si “mësues anglishteje” dhe se nga financat as që ia ka idenë, duket se gabon që në perceptimin e parë. Arben Ahmetaj i njeh mirë transaksionet apo krijimin e kompanive fantazëm që të mbulojnë me para. Është i hershëm në këtë zanat…

Në vitin 2003-2004 nga opozita e saj kohe u denoncua një aferë e rëndë korruptive që lidhte Arben Ahmetajt dhe Dhmitraq Raftin me komnpaninë ende shtetërore “Albetelekom” me një kompani private “Hermes”, e cila menaxhonte të gjithë hyrje –daljet telefonike me jashtë vendit, duke përfituar miliona benda një viti, të cilat u llogaritën në rreth 30 milionë dollarë. Dosja kaloi edhe në prokurori, por Beni shpëtoi lehtshëm, ndërsa bashkëkuzuesit e dosjes së rëndë ia dolën me disa dënime të vogla kur ranë në duart e ustallarëve të sistemit të drejtësisë.

Ishte koha kur Arben Ahmetaj mbante postin e zëvendësministrit dhe themelues i shoqërisë “Hermes” që veprimtarine e kishte në fushën e telekomunikacionit. “Kam në dorë një marrëveshje, që këshilltari financiar i Fatos Nanos, aktualisht zv/ministër, Arben Ahmetaj, që ka një kompani të përbashkët me Fatos Nanon dhe Arben Malajn, ka nënshkruar me Dhimitër Raftin. Në dispozitën 27, thuhet se: ‘Albtelekom deklaron dhe garanton se, do të trajtojë shoqërinë “Hermes” si klientin më të favorshëm’-, pra kompaninë e Fatos Nanos. Kjo është konkurrenca në Shqipëri dhe e firmosur poshtë nga Arben Nano (Ahmetaj) dhe Dhimitraq Nano (Rafti)”– deklaronte Berisha në vitin 2004, në atë kohë në opozitë.

E Beni sërish nuk u tut, iku Nano por erdhi Rama, mastiç edhe pas “këpucës së tij” dhe njerëz të tillë Rama i do shumë. Në vitin 2013, Ahmetaj ishte kandidat për deputet në Gjirokastër ku edhe fitoi, pavarësisht se në atë kohë u publikua një video, ku Ahmetaj shprehej para elektoratit të majtë: “Po tall by.. me ta”…

Ministër të Finacave e gradoi Rama në vitin 2013. Post më të lartë e vend ku qarkullon gjithë buxheti i shtetit nuk mund të gjente. Për pak kohë sapo u bë ministër mori edhe nofkën “tigri”…, për disa “gojë të liga” që e përflisnin jo vetëm për abuzime me pushtetin…
Njeriu i afërt i Ramës dhe një financues i zellshëm i çdo projekti PPP (koncesione) që vinin si vendim qeverie. Por edhe në këtë pikë Ahmetaj u akuzua nga opozita si i lidhur drejtëpërdrejtë me një biznesmen disi anonim Klodian Zoto, kompanie e së cilit fitoi tendera qindra miliona eurosh për ndërtimin e inceneratorëve.

LEXO EDHE  Lëkundje tërmeti në Greqi, ja sa ishte magnituda…

“Nuk kam menduar se buxheti i Shtetit është rruga ku unë mund të fus duart . Nëse keni një firmë të vetme çojeni në prokurori. Për kokë të dy gocave jap dorëheqjen në moment!”-deklaroi Ahmetaj më 18 shkurt 2016 nga salla e Kuvendit, teksa akuzohej nga deputetët e opozitës për afera korruptive. Edhe mënyrën e diskutimit, me “betim mbi kokën e fëmijëve”, është një zhargon i rëndomtë i pijedashësve në skutat e lokaleve të lagjeve.

Megjithatë, në dhjetor të vitit 2018, pas protestës masive të studentëve, Ahmetaj me shumë keqardhje nga Rama dhe me pauz dhe dëshpërim të dukshëm, i komunikoi atij largimin nga detyra e Ministrit të Ekonomisë. Një përlotje e lehtë e Ahmetajt ishte treguesi se lënia e pushtetit dhemb… Por u desh një tërmet tragjik si ai i 26 nëntorit që kryeministri Edi Rama të shpikë një ministri të re. Ai dy emra ka në mendje, Arben Ahmetajn dhe Damian Gjiknurin, ku peng në zemër e ka se nuk mundi që ti mbajë dot pas shumë skandaleve.

Kryeministri Rama propozoi dje emërimin e Arben Ahmetajt si ministër të Rindërtimit. Sipas një postimi në rrjetet sociale të Kryeministrit Rama, ministri i përjetshëm i Ramës, por i ri në këtë funksion të krijuar do të bëjë “koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me programin [e rindërtimit] dhe do të ndjekë orë e minutë zbatimin e programit”.

Me pak fjalë të gjitha fondet nga buxheti i shtetit, donacionet e huaja apo edhe huat do të jenë në arkën e madhe për rindërtimin e vendit pas tërmetit tragjik dhe do të menaxhohen nga Ahmetaj… Një emërim i tillë u prit me gëzim dhe duartrokitje edhe në komisionin e Ekonomisë që lajmin “live” e shfaqën me lumturi, të qeshura dhe duartrokitje. Beni ka edhe fat…!