Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha nga Sukthi se shembja e shpejtë e objekteve është kriminale. Dëmtimi dhe shembja masive e ndërtesave nga tërmeti i 26 nëntorit nuk duhet dhe nuk do të kalojë pa përgjegjësi, shtoi ai. Betoni flet, nënvizoi Basha, dhe mënyra si është shkatërruar një ndërtesë tregon gjithçka.
Ndaj, shtoi kryedemokrati, duhet dokumentuar çdo provë materiale.
“Inxhinierët dhe ekspertët më thanë para dy netësh se shembja e shpejtë e objekteve është kriminale. E para e punës këto objekte duhen studiuar më parë çfarë ndodhi, pse ndodhi dhe këtë bën çdo vend që kalon një tragjedi të tillë.Betoni flet, mënyra si është shkatërruar një ndërtesë tregon gjithçka, që nga zbatimi i projektit, deri te kodet e ndërtimit, përmirësimet që duhen bërë. Sikur për asgjë tjetër, për të mësuar që në të ardhmen, larg qoftë, të mos na përsëriten gjëra të tilla, gjëja e parë që duhet bërë është të studiohet çdo objekt para se të shembet. Çdo objekt përbën sot e tutje provë materiale për hetimet penale, ka përgjegjësi kjo punë. Janë 51 njerëz të futur në dhe, mijëra të plagosur dhe mijëra të tjerë të traumatizuar. Kjo nuk do të shkojë pa përgjegjësi. Përbën provë materiale. Së treti, në shumë raste mund të bëhet një përpjekje minimale, pa rrezikuar njerëzit, për të nxjerrë orenditë”.
Basha nxiti Prokurorinë të bëjë detyrën dhe të çojë deri në fund hetimet. “Prokuroria të bëjë detyrën, ka ligjin, pushtetet e veta. Nëse prokuroria bën detyrën nuk ka asnjë njeri që të marrë prokurorinë zvarrë.Në një shtet të së drejtës të merr prokuroria zvarrë.Nëse prokuroria merret zvarrë dhe kthehet në vegël, është problem në vete”.
Propozimi për përballimin e situatës së emergjencës
Kreu i Partisë Demokratike përsëriti edhe një herë propozimin e tij për përballimin e situatës së emergjencës të krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Basha i kujtoi edhe njëherë Ramës 500 inxhinierët, duke shtuar se pa një vlerësim të saktë të dëmeve nga tërmeti nuk mund të ndërmerret asnjë hap.
“Kemi propozuar tre pika për ata që kanë vullnet të dëgjojnë dhe të zbatojnë. Pika e parë, deri në 500 inxhinierë janë gati nëse pajisen me autorizim nga shteti të përshpejtojnë procesin e vlerësimit. Ka rëndësi të jashtëzakonshme. Njerëzit duhet ta dinë ka mundësi të kthehen në banesa apo jo, është diçka që mund të riparohet apo duhet të prishet. Orienton dhe veprimet që duhet të marrin. Pa pasur këtë qartësi askush nuk bën dot asgjë. I kemi këta ekspertë nga vendi jonë dhe janë të gatshëm ta bëjnë pa pagesë. Kanë dy ditë që e kanë ofruar këtë publikisht te kryetari i opozitës se kryetari i qeverisë kishte takim me bamirës dhe figura të njohura të ekranit. Por kjo nuk do të thotë që për inat të kryetarit të opozitës të mos e organizojë këtë punë. Në vend që të tallet, të çojë njerëzit e shtabit të marrin kontakt me fakultetin e inxhinierisë, politeknikut, institutet përkatëse, ti organizojë këta 500 inxhinerë në terren që të përshpejtojë procesin e vlerësimit. Kjo do të jepte dhe një faturë të qartë të dëmit. Nuk mund ti ikim transparencës. Pastaj vjen faza tjetër, si do ta riparojmë këtë dëm? Janë 150 milion dollarë që do ti shkojnë 10 oligarkëve në buxhetin e 2020, meqë jemi në proces të rishikimit të buxhetit, meqë jemi në gjendjen e fatkeqësisë natyrore, ti përdorë fuqitë që i jep ligji, të anulojë kontratat e 10 oligarkëve dhe të çojë këto 150 milion dollarë te njerëzit në nevojë. I bëj thirrje qeverisë të jetë në krye të detyrës. Nuk jemi në garë, mos ta konsiderojë garë propozimin e opozitës, ti marrë këta inxhinierë dhe ti çojë në terren, të bëjë vlerësimin dhe të bëjë urgjentisht alokimin e fondeve. Nuk pret koha, këta njerëz nuk presin, janë në nevojë ekstreme”.
Gjendja në Manëz
Kreu i Partisë Demokratike denoncoi gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen banorët e pesë pallateve në Manëz, të cilët prej 6 ditësh flenë jashtë në çadra mes llucës dhe shiut. Basha tha se këta banorë duhet të sistemohen urgjentisht në shkolla ose kontenierë pasi mes tyre ka fëmijë të vegjël dhe të moshuar të sëmurë.
“Në kampin e çadrave të ngritur në Manëz është një batërdi e vërtetë. Balta ka shkuar deri në gju, brenda ka nga foshnje një muajshe dhe fëmijë 1 apo 2 vjeç deri pleq 70-80-90 vjeç të sëmurë. Janë dy objekte shkollore që janë certifikuar jashtë rrezikut dhe nuk ka asnjë arsye pse familjet të qëndrojnë në llucë, janë familjet e pesë pallateve që u është vënë kryqi, të dëmtuara nga tërmeti. Nata e 6 jashtë në shi, kur ishim aty filloi prapë shiu, që e bën të ftohtin dhe më të papërballueshëm.Nuk ka pse të jenë aty. Të merren dhe të çohen në shkolla, ose propozimi i dytë që ka ardhur nga ekspertët tanë të vendosen në kontenierë.Nuk mund të qëndrojnë në çadra. Prej ditës së dytë të emergjencës kam bërë thirrje që askush të mos qëndrojë në çadra. Një numër është sistemuar te të afërmit ose te strehimet e tjera.
Ankesa nga banorët ka edhe për shpërndarjen e ndihmave.
“Pa ndihma, ankohen për seleksionim. Dikush nuk merr asgjë dhe dikush shumë më shumë seç ka nevojë. Nuk jam në gjendje ti verifikoj, por ankesat janë masive. Nuk ka asnjë organizim.Tani më thanë se kanë marrë vesh që ka ardhur kryetari i opozitës dhe kanë nisur disa makina, por kjo nuk është mënyra për të punuar. Jam i revoltuar dhe shumë i shqetësuar me situatën që kam parë në Ishëm dhe Manëz dhe dje në Bubq dhe Durrës, lagjen 7. Duket se ka një paralizë totale”, tha Basha.
Basha u ndal edhe te fshati Gjuricaj, ku sipas tij 90% e banesave janë kthyer në të pabanueshme nga tërmeti.
“Kam katër orë në këtë zonë totalisht e harruar. Ju ftoj të shkoni deri në Ishëm.Kam parë dëme të jashtëzakonshme në shtëpitë e banorëve. Në Gjuricaj, në 90% të shtëpive nuk jetohet. Dëmet janë kudo, por në këtë zonë ka një harresë totale. Nuk ka shkuar askush ti shohë dhe ti japë një sqarim mund të rrinë apo nuk mund të rrinë aty. Në shumicën e rasteve nuk ka as çadra, në ato raste që u është dhënë një çadër, kanë qenë bashkëfshatarët e tyre që i kanë sjellë nga Italia apo një organizatë nga Kosova. Harresë dhe lënie totale në mëshirën e fatit të mijëra banorëve. Është gjendje shumë e rëndë, emergjencë totale”.