Basha takon presidentin e sapozgjedhur të PPE-së: Gjeta mbështetjen e plotë të tij për ….

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane në Zagreb, ku u zgjodh Presidenti i ri i PPE-së, Donald Tusk, i cili garonte i vetëm.

Kryedemokrati ka patur një takim me të, ku thotë se i shprehu vendosmërinë e tij se do luftojmë fort për të merituar hapjen e negociatave.

Duke postuar dhe dy foto në rrjetin social Facebook, nga ky takim kreu i opozitës shkruan se Donald Tusk mirëpriti ftesën e tij për të për të vizituar së shpejti Shqipërinë.

Kujtojmë se Donald Tusk është gjithashtu aktualisht dhe President i Këshillit Europian.

Postimi i plotë:

Pata kënaqësinë të bashkëbisedoja dhe ti uroja suksese Presidentit të ri të Partisë Popullore Europiane, Donald Tusk, një mbështetës i jashtëzakonshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e integrimit në BE.

Ndava me Presidentin Tusk vendosmërinë time për të luftuar fort për plotësimin e të gjitha detyrimeve që vendi ynë ka për hapjen e negociatave, dhe për të bindur me rezultatet e punës tonë vendet skeptike, sic kemi bërë për anëtarsimin në NATO dhe heqjen e vizave.

LEXO EDHE  PD lindi nga idealet e revolucionit demokrat, sot partia e shpresës

Gjeta mbështetjen e plotë dhe gatishmërinë e Presidentit Tusk për të na ndihmuar në këtë proces transformimi rrënjësor të vendit tonë, duke vendosur në Shqipëri standartet e Bashkimit Europian, zgjedhje të lira dhe të ndershme, funksionimin e shtetit ligjor, barazinë para ligjit, luftën kundër korrupsionit, ndarjen e politikës nga krimi dhe zhvillimin ekonomik.

Presidenti Tusk theksoi se në një betejë politike, e vërteta dhe vendosmëria do të triumfojnë kundër lajmeve të rreme, manipulimeve dhe urrejtjes, ndërsa shprehu angazhimin për ta ndihmuar Shqipërinë të thotë të vërtetat e saj larg propagandës. Presidenti i PPE, mirëpriti ftesën time për të vizituar së shpejti vendin tonë.