Lëvizja Vetëvendosje, dega Tiranë, ka publikuar 16 kërkesat që bashkojnë shqiptarët në marshimin e 28 Nëntorit. VV ka paralajmëruar një marshim që do të organizohet në Ditën e Flamurit, në orën 12:00 në sheshin Skënderbej në Tiranë.
Në një deklaratë, VV rendit kauzat që do të çojnë drejt bashkimit kombëtar, duke vënë theksin te bashkimi i tregut me Kosovën, jo mini-Schengeni që sipas Vetëvendosjes na fut në sferën e Serbisë.
Në këtë kuadër VV thekson se prodhuesit tanë janë në vështirësi të mëdha, u duhet treg, u duhet mbrojtje. “Bashkimi doganor i Shqipërisë me Kosovën, u jep treg e u jep mbrojtje. “Mini-Schengeni Shqipëri – Maqedoni e Veriut – Serbi” dhe zgjerimi i tij me vende të tjera i lë prodhuesit vendas të zbuluar përballë konkurrencës së pandershme me praktika ilegale si dampingu”, vlerëson VV.
Në vijim theksohet krijimi i një tregu të unifikuar energjetik Shqipëri-Kosovë, jo import me çmime të shtrenjta.
Në këtë kuadër, VV thekson se Shqipëria me hidrocentralet dhe Kosova me termocentralet plotësojnë kushtet për një sistem të plotë energjetik.
Në vijim, kërkohet respektim i të drejtës për arsim, e jo nëpërkëmbje e studentëve dhe degradim sistemi. Në këtë kuadër, VV thekson se nxënësit shqiptarë duhet të njohin trojet ku u formua e jeton kombi ynë në kuptimin e historisë e gjeografisë. Ndaj plotësimi i ndërsjellë kurrikular është i domosdoshëm. Ai duhet plotësuar nga vizitat edukative në Shqipëri, Kosovë e troje, që duhet të jenë pjesë e kalendarit mësimor.
Në pikën 4, VV kërkon heqjen e taksës në rrugën e Kombit. “Taksa e “Rrugës së Kombit” është paguar dy herë nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Taksa e re është e padrejtë dhe shumë e shtrenjtë. Fitimet e kësaj takse po u shkojnë atyre milionerëve që trau në rrugë u koncesionohet si monopol në kurriz të shumicës së shqiptarëve. Kjo rrugë nuk është zakonshme, ajo i shërben interesit strategjik kombëtar. Prandaj dhe shteti do duhej të kujdesej për mirëmbajtjen e saj”, thuhet në deklaratën e bërë nga VV.
Deklarata e Vetëvendosjes
– Bashkim i kauzave me hapa drejt integrimit kombëtar –
1. Bashkimi i tregut me Kosovën, jo mini-Schengen që na fut në sferën e Serbisë
Prodhimi është punë dhe zhvillim. Prodhuesit tanë janë në vështirësi të mëdha, u duhet treg, u duhet mbrojtje. Bashkimi doganor i Shqipërisë me Kosovën, u jep treg e u jep mbrojtje. “Mini-Schengeni Shqipëri – Maqedoni e Veriut – Serbi” dhe zgjerimi i tij me vende të tjera i lë prodhuesit vendas të zbuluar përballë konkurrencës së pandershme me praktika ilegale si dampingu. Në nivel politik, “mini-Schengeni” i minon përpjekjet e Kosovës për reciprocitet me Serbinë, e cila vazhdon të shfaqë politika agresive ndaj shqiptarëve, e përçan politikën e jashtme të dy republikave shqiptare dhe e shton ndikimin e Beogradit te Tirana zyrtare.
2. Treg i unifikuar energjetik Shqipëri-Kosovë, jo import me çmime të shtrenjta
Energjinë e blejmë shtrenjtë, sepse e importojmë me çmime e në kohëra të papërshtatshme kur mbetemi keq. Shqipëria me hidrocentralet dhe Kosova me termocentralet plotësojnë kushtet për një sistem të plotë energjetik. Marrëveshja për treg të unifikuar energjetik, ul koston e energjisë për qytetarët dhe na pavarëson nga importi.
3. Respektim i të drejtës për arsim, e jo nëpërkëmbje e studentëve dhe degradim sistemi
Dy republikat shqiptare nuk mund ta zhvillojnë kombin pa siguruar të drejtën në arsim publik cilësor e falas në të gjitha nivelet. Studentët në Shqipëri e Kosovë janë ngritur për të drejtat e tyre që mbeten ende të parealizuara. Kushtet e mësimdhënies dhe konvikteve nuk i plotësojnë standardet. Drejtues dhe pedagogë të pakualifikuar etë punësuar partiakisht pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të cilësisë. Qarkullimi i studentëve dhe pedagogë Shqipëri-Kosovë e anasjelltas ka pësuar regres të madh, e kundërta është zgjidhje optimale. Duhen masa urgjente, reformë strukturore, që dy republikat do mund ta kryenin më mirë të koordinuara me njëra-tjetrën. Shkolla ka për detyrë t’u mësojë nxënësve dije, kulturë, shkencë e moral, por edhe histori e identitet. Nxënësit shqiptarë duhet të njohin trojet ku u formua e jeton kombi ynë në kuptimin e historisë e gjeografisë. Ndaj plotësimi i ndërsjellë kurrikular është i domosdoshëm. Ai duhet plotësuar nga vizitat edukative në Shqipëri, Kosovë e troje, që duhet të jenë pjesë e kalendarit mësimor.
4. Heqja e taksës në rrugën e kombit, jo pasurim i oligarkisë
Taksa e “Rrugës së Kombit” është paguar dy herë nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Taksa e re është e padrejtë dhe shumë e shtrenjtë. Fitimet e kësaj takse po u shkojnë atyre milionerëve që trau në rrugë u koncesionohet si monopol në kurriz të shumicës së shqiptarëve. Kjo rrugë nuk është zakonshme, ajo i shërben interesit strategjik kombëtar. Prandaj dhe shteti do duhej të kujdesej për mirëmbajtjen e saj.
5. Politika të përbashkëta për zhvillim, jo thellimi i pabarazisë me PPP
Kosova e Shqipëria kanë minerale, naftë e burime të tjera. Ato janë pasuri e gjithë kombit. Përdorimi e përpunimi i tyre është interes kombëtar. Një plan i përbashkët investimi në to do ta zhvillonte sektorin, zgjeronte punësimin, kualifikimin dhe organizimin e punëtorëve. Duke zëvendësuar modelin tashmë të dështuar ngritur mbi privatizime të egra dhe Partneritetin Publiko-Privat (PPP) me modelin e bazuar në prodhim e punësim që ndal edhe shpopullimin e trevave shqiptare.
6. Mbrojtje dhe avancim i të drejtave të grave, jo dhunë e shfrytëzim
Realizimi i të drejtave kombëtare nuk mund të arrihet pa luftuar për të drejtat e plota të grave, si një përpjekje e përbashkët drejt çlirimit të dyfishtë. Dy republikat shqiptare duhet të çlirohen nga kapja. Gratë kanë nevojë të çlirohen nga dhuna e strukturuar, objektifikimi dhe shtypja. Kudo ku rritet varfëria e përkeqësohen arsimi, shëndetësia e shërbimet publike, po ashtu përkeqësohet gjendja e grave. Papunësia për to është më e lartë dhe ato shpesh janë viktima të dhunës: në familje, rrugë, media, vend të punës. Shqipëria e Kosova së bashku duhet të marrin masa konkrete për punësim e arsimim të grave për edukim kundër dhunës sistemike dhe ndalje të shfrytëzimit fizik e seksual të tyre.
7. Krimi i integruar luftohet kur shteti është i bashkuar
Krimi i organizuar vepron në Kosovë, Shqipëri e mërgatë, tashmë i koordinuar. Është e pamundur të luftohet ndarazi nga dy shtete të ndara. Pastrimi i parave, trafiqet, edhe fenomenet e dhunës, duhet ta marrin një përgjigje të fortë nga një shtet i fortë. Shqipëria e Kosova duhet të njësojnë politikat e tyre të sigurisë, dhe luftën kundër mafies e krimit të organizuar.
8. Mbrojtja e të drejtave kombëtare shqiptare në trevat e rajonit
Të drejtat kombëtare dhe qytetare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në Mal të Zi dhe të shqiptarëve të dëbuar nga Çamëria duhet të jenë çështje prioritare e Shqipërisë dhe Kosovës në raportet dypalëshe dhe shumëpalëshe me shtetet e tjera të rajonit. Bashkërendimi i përpjekjeve të dy republikave në këtë drejtim është imperativ. Në takimet e dy qeverive duhet të ftohen përfaqësues politikë të shqiptarëve nga trevat e tjera që të shtrojnë problematikat e tyre.
9. Mbrojtje e mjedisit, jo degradim i natyrës
Problemet mjedisore në Shqipëri e Kosovë i kanë shkaqet, rrjedhimisht pasojat, të ngjashme, prandaj duhet t’u përgjigjemi së bashku. Rreziqet vijnë nga shfrytëzimi i egër, i pambikëqyrur dhe i toleruar nga autoritetet. Politika e njësuara mjedisore, si pakt në mbrojtje të burimeve ujore, lumenjve e lagunave, parqeve, pyjeve e tokave bujqësore, bregdetit, cilësisë së ajrit e ujit të pijshëm, mbeturinave, na garanton cilësi jete, për sot dhe të ardhmen.
10. Jo përjashtim por përfshirje dhe të drejta për diasporën
Mërgimtarët duhen përfshirë, që të zhvillohet ekonomia, demokracia e krijimtaria. Së pari u duhet dhënë e drejta e votës. Së dyti, duhet krijuar një institucion i përbashkët për mërgatën, mes Shqipërisë e Kosovës, që u ofron atyre këshillim për investime në sektorët strategjikë, që i rekruton për punë më të aftët mes tyre, e që koordinon shkollimin shqip për fëmijët e tyre.
11. Heqja e roaming-ut, jo zvarritje e marrëveshjeve të nënshkruara
Vendet e Bashkimit Evropian e kanë hequr roaming-un mes njëra-tjetrës. Kosova e Shqipëria mund ta bëjnë të njëjtën gjë, pra të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar duke mos u fshehur pas nismave rajonale. Kjo i liron shumë kostot e komunikimit për qytetarët e sipërmarrësit.
12. Njësim i kurrikulave dhe jo pengesa në njohjen e diplomave e licencave profesionale
Për të gjitha nivelet arsimore, pa pasur nevojë për procedura shtesë Shqipëria duhet të njohë e të njësojë diplomat me Kosovën dhe anasjelltas. Në arsimin e detyrueshëm duhet të njësohen kurrikulat. Në atë të mesëm e universitar diplomat. E licencat profesionale të barasvlerësohen ashtu që të njihen për të dyja vendet. Vetëm kështu zgjerohet e dinamizohet tregu i punës e i profesioneve në nivel kombëtar.
13. Eliminimi i lejeqëndrimit, jo trajtim si të huaj
Qytetarët e dy republikave shqiptare duhet të kenë mundësi të punojnë dhe të jetojnë kudo në Kosovë e Shqipëri, pa dokumente shtesë. Kjo do të rriste mundësitë e të rinjve për punësim, si dhe mundësitë e bizneseve për të gjetur punëtorë. Nuk mjafton heqja e lejeve të punës, duhet të hiqet dhe pengesa për leje të qëndrimit.
14. Mbrojtje e trashëgimisë kulturore, jo rrënim i Teatrit Kombëtar
Të punohet drejt unifikimit të kornizave ligjore e të koordinohen institucionet për hulumtime, dokumentime dhe fonde të përbashkëta për konservimin e trashëgimisë. Të përfaqësohemi me politika të njësuara në institucionet e organizatat ndërkombëtare. Trashëgimia duhet mbrojtur nga projektet tjetërsuese dhe privatizuese. Dy shtetet shqiptare duhet t’i vendosin të gjitha vendndodhjet e trashëgimisë në një regjistër të përbashkët dixhital e publik dhe t’i bëjnë pjesë të kurrikulave shkollore.
15. Kinema publike dhe financim për filmin, jo rrënim e harrim
Rrjeti i kinemave publike në Shqipëri dhe Kosovë është rrënuar, degraduar e tjetërsuar. Qasja në kinema publike e edukim me filmin është e drejtë qytetare, e pareduktueshme vetëm te iniciativa private. Ndaj dy republikat duhet të themelojnë fondin e përbashkët për rivitalizimin e rrjetit të kinemave publike. Buxheti që ndahet në dy vendet për projektet filmike, arkivat e filmit dhe shpërndarjen e promovimin e prodhimit filmik është më i vogël se ai për shpenzimet e zyrave të qeverive, ai duhet shtuar e bashkërenduar. Festivalet e filmit aty ku kanë bërë traditë duhet të bashkë-financohen nga të dy republikat si vlerë kombëtare e çmuar.
16. Jo krenari për ndarje, por bashkim i ligave sportive
Liga e përbashkët e futbollit është kërkesë e kahershme e sportdashësve dhe profesionistëve. Ekzistojnë të gjitha kushtet për bashkimin e ligave dhe bashkërendimin e Federatave. Duke nisur fillimisht prej kupave të përbashkëta në sportet kolektive e pa u kufizuar në to. Prej ligave të bashkuara për ekipet e moshave e të akademive sportive, tek organizimi për liga e kampionate të përbashkëta deri tek njësimi i formacioneve të kombëtareve sipas Federatave në sporte të ndryshme.
Tiranë, 28 Nëntor, ora 12:00, Monumenti i Heroit Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”
*** MARSHIM PËR BASHKIM ***