Një karikaturë të shtetit apo edhe një mosfunksionim i shtetit. Kështu e cilëson ish-ministri i jashtëm Besnik Mustafaj situatën e krijuar për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
I ftuar në News24, Mustafaj u shpreh ndër të tjera se, kjo është një situatë dramatike dhe se ngjarje të tilla nuk duhen marrë as me lehtësi dhe as humor.
“Mirë që nuk ka shkuar në gjendje civile të betohej që do të jem besnike në ditë të mira e ditë të zeza. Karikatura e shtetit, është një situatë dramatike. Nuk di as kujt mund t’i bëhet thirrje në këtë rast që ta çojë drejt arsyes këtë lloj ekipi, i cili ishte i lokalizuar në qeveri në një farë mënyre, me sjelljen e vet arrogante dhe karikaturale ndaj shtetit dhe tani po shtrihet dhe në institucione të tjera. Kjo ngjarje nuk duhet marrë me lehtësi e as me humor, duhet marrë me seriozitetin më të madh sepse është sindromi i asaj çka do prodhojnë institucionet që po dalin nga reforma, ajo reformë që ne e kemi pritur me një shpresë shumë të madhe.
Ky shtet ka pasur defekte të ndryshme që nga viti 1992 që është shënuar kthesa përfundimtare por asnjëherë nuk ka qenë një kakofoni e tillë, një konfuzion i tillë, një mohim reciprok nga institucionet për njeri-tjetrin, një marrje kompetencash të institucionevet. Ne sot për herë të parë që nga viti 1992, kemi një shtet absolutisht jo funksional ku institucionet funksionojnë në mënyrë të tillë sa nuk kanë më jo vetëm një komunikim zyrtar sepse nuk është e nevojshme që Presidenti me Kryeministrin të jenë miq, mund të mos jenë fare miq por Kushtetuta dhe gjitha aktet e tjera ligjore përcaktojnë mënyrën e funksionimit dhe marrëdhënieve midis tyre”, deklaroi Mustafaj.
Sipas politikanit të vjetër, në Kushtetutë është e shënuar që gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese apo edhe i Gjykatës së Lartë bën betimin mbi Kushtetutë para presidentit.
“Këta shpikin dhe pastaj çuditen pse ikin njerëzit. Nuk kam asnjë formulë magjike. Formula është në Kushtetutë. Nuk mund të shpikim tani. Të shkojë të betohet para noterit, e them me sinqeritet që kurrë nuk e kam dëgjuar. Opozita nuk ka gjë në dorë. Është vetëm retorike. Unë nuk jam dakord me shumë nga prononcimet e opozitës por opozita nuk ka asgjë në dorë. Nuk është më atje ku mund ta pengojë me votën e saj apo ta ngadalësojë me procedurat brenda parlamentit. T’ia hedhësh fajin opozitës është e kotë. Sa kemi ne në dorë, ka edhe Lulzim Basha”, tha Besnik Mustafaj.