Falsifikimi i historisë prek edhe Teatrit Kombëtar/ Kastriot Çipi: Nuk do lejoj që historia komuniste të…

Regjisori i njohur Kastriot Çipi, një prej aktivistëve kryesorë në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, përmes një postimi në rrjet ndalet te falsifikimi i historisë.

Çipi shkruan se vazhdon i njëjti mentalitet dhe i njëjti debat si me datën e çlirimit të vendit, ku të majtët pretendojnë për datën 29 nëntor dhe konservatorët apo të djathtët për datën 28 nëntor.

Por Çipi shkruan se si të mos mjaftonte debati i tejzgjatur dhe i pazgjidhur zyrtarisht për datën e çlirimit, ne kemi edhe dy data të themelimit të Teatrit Kombëtar: 24 maj 1944, i pretenduar nga historiografia komuniste, dhe 30 maji 1945, që bazohet në raportimet e gazetave të kohës, për premierën e dramës “Topazi”.

“Keqedukimi nga arsimi dhe mediat komuniste e postkomuniste, nuk kanë ndihmuar në rishikimin e historisë, e as në aftësinë e njerëzve të thjeshtë për të kuptuar dallimin mes miteve dhe fakteve reale.

Falsifikimi i qëllimshëm i historisë gjen terren të përshtatshëm edhe për shkak të një të mete që kemi si komb: kujtesës së shkurtër, e cila ndërvepron aktivisht me manipulimin mediatik të falsifikatorëve të historisë.

Nga njëra anë, kujtesa e shkurtër e favorizon përhapjen e historive të falsifikuara dhe nga ana tjetër, historitë e falsifikuara ndihmojnë në fshirjen e kujtesës afatgjatë”, shkruan Çipi.

Postimi nga Kastriot Çipi

Nuk është e rastit që, në këtë vend, njëra gjysmë e popullit e feston çlirimin në një datë, ndërsa gjysma tjetër në një datë tjetër. Qysh pas instalimit zyrtar të diktaturës komuniste, më 11 janar 1946, diktatura dhe klanet e lidhura me të edhe tani, në postdiktaturë, bëjnë çmos për të falsifikuar historinë. Si të mos mjaftonte debati i tejzgjatur dhe i pazgjidhur zyrtarisht për datën e çlirimit, ne kemi edhe dy data të themelimit të Teatrit Kombëtar: 24 maj 1944, i pretenduar nga historiografia komuniste, por i pambështetur në asnjë dokument dhe 30 maji 1945, që bazohet në raportimet e gazetave të kohës, për premierën e dramës “Topazi”, e pranuar edhe nga historiografia komuniste si shfaqja e parë e Teatrit Kombëtar.

Keqedukimi nga arsimi dhe mediat komuniste e postkomuniste, nuk kanë ndihmuar në rishikimin e historisë, e as në aftësinë e njerëzve të thjeshtë për të kuptuar dallimin mes miteve dhe fakteve reale. Falsifikimi i qëllimshëm i historisë gjen terren të përshtatshëm edhe për shkak të një të mete që kemi si komb: kujtesës së shkurtër, e cila ndërvepron aktivisht me manipulimin mediatik të falsifikatorëve të historisë. Nga njëra anë, kujtesa e shkurtër e favorizon përhapjen e historive të falsifikuara dhe nga ana tjetër, historitë e falsifikuara ndihmojnë në fshirjen e kujtesës afatgjatë.

Kështu, për shembull, sot ka ende shumë njerëz që besojnë se Kadare ka marrë pjesë në mitingun komunist të 5 korrikut 1990 dhe madje ka mbajtur një fjalim gjatë të cilit ka thënë se “refugjatët janë jashtëqitja e kombit”, megjithëse ai miting famëkeq ka ndodhur vetëm 29 vjet më parë dhe shumica e pjesëmarrësve në të, si edhe shumica e atyre që e kanë parë në TV janë ende gjallë, megjithëse vetë Kadare ka sfiduar publikisht, në mënyrë të përsëritur, shpifësit të paraqesin një faqe gazete apo një minutë video, si provë.

LEXO EDHE  Përplasja me policinë në Elbasan - Jepet vendimi/ Suel Çela i pafajshëm, 11 vite për Bekteshin e Xhaferin

Po ashtu, shumëkush beson se kioskat në Tiranë i hoqi Edi Rama, pasi u bë kryetar bashkie, në tetor 2000. Aksioni i parë anti-kioskë në Tiranë, u zhvillua në Sheshin Skënderbej, pikërisht në atë pjesë të sheshit ku ndodhej dikur shtatorja e diktatorit Hoxha. Aksioni u urdhërua nga kryeministri i atëhershëm Pandeli Majko dhe u zbatua nga policia e shtetit, nën komandën e Mit’hat Havarit. Madje ky aksion u kundërshtua nga kryetari i atëhershëm i Bashkisë Tiranë, Albert Brojka. Atëherë Edi Rama ishte ministër kulture dhe nuk kishte as polici, as ruspa në dispozicion. Kur Edi Rama u bë kryetar bashkie, kishte mbetur për t’u pastruar nga kioskat vetëm Parku Rinia dhe segmenti i Lanës nga Pallatet Shallvare, deri tek Shkolla Vasil Shanto. Të gjitha kioskat rreth e qark Kuvendit, Muzeut Historik Kombëtar, prapa Pallatit të Kulturës dhe në segmentin e Lanës nga Pallatet Shallvare e deri tek Brryli, ishin hequr tashmë. Kush ka dëshirë ta verifikojë këtë fakt, mund ta bëjë shumë lehtë. Në YouTube gjendet videoja e plotë e debatit të kandidatëve për kryetar bashkie, Rama e Mustafaj, në TV Klan. Aty Rama pyetet nga Fevziu se çfarë do të bëjë me Parkun Rinia dhe ai përgjigjet se do t’i kërkojë qeverisë të shembë kioskat vetëm kur të ketë një projekt për atë zonë.

Por falsifikimi i historisë vazhdon edhe sot dhe madje edhe me historinë e viteve të fundit. Drejtori aktual i Teatrit Kombëtar Eksperimental (TKE), Kiço Londo, pasi rifalsifikoi historinë e Teatrit Kombëtar, duke festuar 60 vjetorin e themelimit të tij në 24 maj 2004, tani mundohet të falsifikojë edhe historinë e TKE, duke e shpallur vitin në vazhdim si 5-vjetorin e themelimit të tij. E vërteta është se ky teatër është themeluar me emrin Teatri Kombëtar i Komedisë, me premierën e dramës satirë “XXL TV” të Stefan Çapalikut, më 17 dhjetor 2011.

Unë nuk jam historian dhe nuk kam kohën dhe burimet e duhura, për t’u marrë me historinë e hershme të Teatrit Kombëtar, qysh prej themelimit të tij. Por të paktën do të bëj të pamundurën, për të mos lejuar falsifikimin e historisë së vonshme të tij, nga viti 1999 e këtej. Shpifësit dhe falsifikatorët nuk do ta kenë të lehtë betejën me mua.

Meqë dje u mbushën 20 vjet nga artikulli im i parë kundër Edi Ramës, po postoj sot titullin dhe disa paragrafë të tij. Është vetëm një nga qindra dëshmitë (artikuj në gazeta, video dhe foto) që dokumentojnë historinë e vonshme të Teatrit Kombëtar dhe luftës së mbrojtësve të tij, kundër diktatorit mafioz.